MENU
klinika

Penalizimet e BE

Edhe ministrat e financave pro sanksioneve për Italinë

14.06.2019 - 16:14

Tani edhe ministrat e Financave të BE-së kanë arritur në përfundimin se Italia ka shkelur rregullat për borxhin dhe mund të penalizohet.

Mario Çenteno, kreu i grupit me 19 vende të eurozonës, deklaroi të premten pas takimit në Luksemburg se sanksionet janë të justifikuara.

Ai ftoi qeverinë italiane të marrë masat e nevojshme ekonomike që të përputhen me legjislacionin evropian.

Organi ekzekutiv i BE-së ka paralajmëruar një gjobë disa miliarda dollarë nëse Roma nuk e ul borxhin publik që ka arritur në nivelin 132 për qind, apo dyfishin e vlerës limit.

Komisioni Europian ka kërkuar që Italia të japë fakte, shifra dhe të dhëna konkrete si mendon të dalë nga situata e vështirë.

Mbledhja e ardhshme e Eurogrupit është vendosur të mbahet në muajin korrik, kur pritet të merret edhe vendimi final për penalitetet.

Ndërkohë, pas takimit maratonë prej 15 orësh një ditë më parë, ministrat e financave nuk gjetën konsensus për idenë e presidentit francez, Emanuel Makron, rreth krijimit të një buxheti të përbashkët për vendet e eurozonës.

Palët u ndanë për çështjet si burimi i të ardhurave, madhësia e buxhetit, apo edhe për rolin e tij si stabilizues apo promovues në rastet e vështirësive ekonomike.

Komisioni Europian ka marrë hapin e parë drejt penalizimit financiar të Italisë me arsyetimin se ka shkelur rregullat fiskale europiane.

Në një raport të publikuar të mërkurën tregohet se borxhi publik masiv i Italisë në 2018 shkeli rregullat e buxhetit të BE dhe se kjo nënkupton fillimin e procedurave të shkeljes.

“Italia nuk parashikohet të jetë në përputhje me standartin e reduktimit të borxhit në 2019 ose 2020, bazuar në planet qeveritare dhe në parashikimin e vitit 2019,” thuhej në raport.

Sipas ligjit të BE-së, shtetet anëtare duhet t’i përmbahen udhëzimeve buxhetore dhe të mbajnë borxhin publik nën 60% të PBB-së. Sipas të dhënave zyrtare, borxhi publik i Italisë u rrit në më shumë se 132% të PBB-së në 2018.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zv. kryeministri kërcënon BE

Shtohen tensionet Itali-BE