Bashkia e Tiranës shtroi sot për ditën e shenjtë të Fiter Bajramit, një drekë festive në të gjitha qendrat sociale, për dhjetëra familje në nevojë.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti zgjodhi që ta uronte këtë festë, duke shërbyer drekën në mensën sociale në Kombinat,
Ndër të tjera, Veliaj theksoi se ky ishte një muaj reflektimi dhe distancimi nga çdo e keqe.
“Nuk ka qenë vetëm një muaj për t’i qëndruar larg ushqimit, as për të mbajtur dietë, por për të mbajtur distancë nga çdo ves, paudhësi, mendim i keq, nga çdo thashethem, sharje apo shpifje, nga çdo gjë e ligë që lind me njeriun.
Një nga gjërat që inkurajojmë shumë në Tiranë është se, qoftë Ramazan, Pashkë apo Krishtlindje, këto janë çaste reflektimi, që siç jetojmë me shenjtëri dhe me përkushtim pak më të madh në këto muaj të veçantë, të jetojmë edhe në 11 muajt e tjerë, të jetojmë gjithë ditët e javët e tjera”, tha ai.
Kreu i Bashkisë i bëri apel edhe më të rinjve që të tregojnë një vëmendje të shtuar ndaj prindërve dhe më të moshuarve.
“Apeli im është për të gjithë fëmijët, edhe nëse janë jashtë, t’i bëjnë një telefonatë prindërve, jo vetëm ditën e Bajramit, por çdo ditë. Mos i harroni prindërit, mos i braktisni as për Bajram, as për Vit të Ri, as për Krishtlindje, as për Pashkë.” u shpreh ai.
Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe klasës politike, për të lënë sherret dhe dialoguar e punuar bashkë për të ardhmen.
“Dalin të gjithë këta të politikës së vjetër dhe thonë: Vëllazëri fetare, të ketë harmoni mes feve! Po ne harmoni mes feve kemi pasur 500 vjet, s’kemi pasur ndonjë sherr. Ne sherrin na e sjell politika. Se të thuash te dera e xhamisë ose e kishës:
Duam harmoni, të jetojmë bashkë të krishterë e myslimanë, dhe pastaj sa mbaron fjalën, kalon rrugën, nga KMSH shkon tek Parlamenti dhe fillon me gurë e molotov, kjo ësht ë hipokrizi. O do besojmë atë themi dhe do jetojmë atë që besojmë, ose pastaj një pjesë e politikanëve janë hipokritë.” përfundoi Veliaj.