MENU
klinika

Poeti simbol i antiintelektualizmit

Gazetarët i priste me pizhama, por i urrente intervistat

05.06.2019 - 13:47

      Kanë kaluar tetëdhjetë e tre vjet nga dita kur ai u vra nga batareja e një skuadre të djathtë pushkatarësh, por Federiko Garsia Lorka vijon të mbetet besnik këmbëngulës i aforizmës “një i vdekur në Spanjë është më i gjallë se një i vdekur kudo tjetër në botë”.

Poeti i famshëm lindi më 5 qershor 1898 në një familje të pasur dhe libreale andaluziane. Një nga zërat më origjinalë të shekullit XX në Spanjë, mori pjesë në përpjekje të ndryshme moderniste, sidomos impresioniste.

I pëlqente të shkruante në vapë, nuk e përdorte ashensorin. Flinte deri vonë në mëngjes dhe i priste gazetarët i veshur me pizhama. Intervistat i urrente, por jepte shumë të tilla, i tillë ishte poeti Lorka.

 

 

 

 

 

Dramat dhe poemat e tij i kanë rezistuar programave mësimore dhe teatrove, duke e përforcuar famën e autorit pas vdekjes, shkaktuar gjithashtu nga misteri i përhershëm që qarkon vdekjen e tij. Së fundmi, historia e hidhur e dramaturgut më të famshësh të Spanjës vjen e gjallë në një roman grafik, i rimishëruar si heroi kryesor që shqyrton jetën, dashuritë dhe krijimtarinë e tij të gjerë në plot 100 faqe.

“Jeta dhe vdekja e Federiko Garsia Lorkas”, – një bashkëpunim midis biografit spanjoll Ian Gibson dhe biografit të Lorkas, Quique Palomo, është përpjekja për t’ia prezantuar autorin e “Shtëpia e Bernarda Albas” dhe “Balada cigane” një audience të re.

Përgjatë tetë muajve, shkrimtari dhe artisti punuan për të përmbledhur biografinë 700-she të Lorkas nga Gibsoni dhe ta riinterpretojnë atë si një libër komik, për ata që nuk mund të kenë lexuar romanet ose poezitë.[…].

“Është një histori e mahnitshme dhe fakti që Lorka ishte i fiksuar pas vdekjes dhe kishte parandjenja të këqija, është shumë dramatike dhe mendoj se kemi bërë një punë të mirë”.

Për Palomon sfida shkon përtej përkthimit të kapitujve në skica të thjeshta. “Para se të flisja me Ian, mendoja: “Heu! Si mund ta ndryshoj diçka kaq të gjatë dhe të ambalazhoj në mënyrë të detajuar në gjuhën e komikëve?” Si ilustrator, nuk doja ta tkurrja kurrsesi në një koleksion titujsh. “Kjo është ajo që ndodhi atë vit; kjo është ajo që ndodhi vitin e ardhshëm”.

 

 

 

 

Zgjidhja ishte identifikimi i ngjarjeve më të dukshme dhe të paharrueshme në jetën e shkurtër, por intensive të Lorkas, si dhe të ndërtonte mbi to, duke shtuar shtresime hollësish.

Libri i bën kronikë udhëtimeve dhe aventurave të Lorkës në Madrid, Nju Jork, Kubë dhe Argjentinë, por kryesisht është i rrënjosur fort në fëmijërinë e tij në Andaluzi, si dhe zakonet, tregimet, këngët dhe poemat që brumosën krijimtarinë e autorit.

Megjithëse seksualiteti i Lorkës ishte dikur një temë tabu në atdheun e tij, Gibson dhe Palomo ishin të vendosur të mos këpusnin asnjë rresht. “Ai është homoseksual dhe u desh kohë që spanjollët ta pranojnë këtë, përfshirë edhe familjen e tij, – thotë Gibson. – Marrëdhënia e tij me Salvador Dalinë dhe njerëz të tjerë është mjaft e qartë, siç është edhe homoseksualiteti i tij”.

“Ishte tmerrësisht e vështirë dhe pata probleme kur u publikua biografia e parë në spanjisht; ajo shkaktoi bujë mes gjithë miqve të tij të vjetër. Ishte vënë në qendër të librit, kur nuk ishte vënë gjëkundi. I tmerroi njerëzit, por brenda natës u mirëprit. Është e çuditshme, por kështu është Spanja”. Gibson, i cili ia kushtuar jetën e tij studimit të letërsisë dhe historisë spanjolle, nuk habitet nga apelimi i qëndrueshëm i Lorkës.

“Është një lloj përmbledhjeje e Spanjës. Ai ka gjithçka: pasionin; karakteristikat si karafilat e kuq dhe demat që i bëjnë apel lexuesit të huaj. Natyrisht, ai shkon përtej kësaj”.

“Lorka, – shton ai, – ishte një djalë fshatar, i cili u bë njëlloj surrealisti, një poet, një pianist, një artist dhe një drejtor teatri. Dhe pastaj, sigurisht, vdekja e tij. Vrasja dhe zhdukja e tij në gusht të vitit 1936 e bëri Lorkën të jetë martiri më i famshëm i luftës civile spanjolle dhe një simbol i anti-intelektualizmit dhe intolerancës së shfrenuar që karakterizonte frankistët”. Ndërkohë, fakti që trupi i tij nuk u gjet kurrë, shërben për të pasqyruar trashëgiminë e varrosur dhe të pazgjidhur të luftës civile dhe diktaturës pasuese.

 

 

 

 

“Lorka është i famshëm në botë dhe do të ishte bërë, edhe nëse nuk do ta kishin vrarë, – thotë Gibson. – Ishte e shkruar që ai të bëhej i famshëm, sepse ai ishte viktimë e fashizmit. Kjo e ndihmoi për ta katapultuar atë në famë, por nuk do të kishte mbijetuar nëse krijimtaria nuk do ishte e jashtëzakonshme”.

 

 

Hija e shpirtit tim

Fluturon në një perëndim alfabeti,

Mes librash

Dhe fjalësh.

 

Hija e shpirtit tim!

 

Kam arritur në vijën ku bie

Malli,

Dhe pika e vajit shndrrohet,

Në alabastër shpirti.

 

Hija e shpirtit tim!

 

Kupa e dhimbjes

U mbarua,

Por kjo është arsyeja dhe përmbajtja

E buzëmbledhjeve të vjetra të mesditës

E vështrimeve të vjetra të mesditës.

 

Një labirinth i mjegullt

Yjesh të tymtë

Grackon iluzionet e mia

Aq të venitura.

 

Hija e shpirtit tim!

 

Dhe një halucinacion

Mëkon vështrimet.

E shoh fjalën dashuri

Të zhveshur.

 

Bilbili im!

Bilbil!

A po këndon?

 

Federiko Garsia Lorka u pushkatua nga fankistët në vitin 1936. Vijon të jetë një person i zhdukur dhe, në këtë mënyrë, ai përfaqëson gjithë të vdekurit e luftës civile spanjolle dhe të gjithë tmerrin e luftës dhe diktaturës./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

Gjergj Fishta me fjalët e fundit

“Jo për tjetër, por sepse po lë…”