MENU
klinika

Raporti i INSTAT

Gjysma e administratës me 8-vjeçare dhe gjimaz

04.06.2019 - 17:28

Në administratën publike punonjën rreth 170 mijë të punësuar në fund të vitit të kaluar, por më shumë se 45% janë me arsim 8-9-vjeçar dhe të mesëm, teksa vetëm gjysma e punonjësve në sektorin publik janë me arsim të lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i personave me arsim fillor ka ardhur në rënie të dukshme gjatë dekadës së fundit.

INSTAT bën të ditur se në vitin 2000, në sektorin publik, ishin të punësuar mbi 190 mijë persona, ku 15% e tyre ose mbi 30 mijë persona ishin me arsim 8-vjeçar. Në fund të vitit 2018, vetëm 7% e punonjësve të sektorit publik ishin me arsimin fillestar. Pas vitit 2000 kanë pësuar rënie edhe punonjësit me arsim të mesëm, të cilët aktualisht përbëjnë 38% të totalit, nga 49% në fillim të viteve të 2000.

Nga ana tjetër është rritur dukshëm pjesa e të punësuarve me arsim të lartë, që në fund të vitit 2018 përbënin gati 54% të totalit te të punësuarve në shtet. Pas vitit 2007, qeveritë forcuan kriteret e arsimit për pranimin në administratë, duke i stimuluar me paga më të larta. Gjithashtu në sektorin e shëndetësisë u vunë si kushte diplomat e arsimit të lartë dhe masterat e nivelit të dytë.

Forcimi i kritereve sa i përket diplomave dhe shpërthimi i universiteteve private gjatë dekadës së kaluar e rritën numrin e personave me arsim të lartë në shtet. Me gjithë rritjen e cilësisë arsimore, administrata shqiptare vuan nga mungesa e eficencës dhe një burokraci e lartë. Ndryshimi i shpeshtë i punonjësve në sektorin publik, si pasojë edhe rrotacioneve politike, e ka dëmtuar profesionalizimin dhe ekspertizën.