MENU
klinika

Vendimi i Ministrisë së Turizmit

Hapësira publike në plazhe, grup pune për zbatimin e vendimit

20.06.2019 - 16:20

Këshilli i Ministrave me një vendim në muajin prill parashikon që subjektet që lidhin kontrata me njësitë e qeverisjes vendore për të marrë me qira një hapësirë në plazh për një afat nga 1 deri në 5 vite duhet të respektojnë disa kritere, një prej të cilave është hapësira prej 2.5 metra përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku.

Vendimi parashikon dhe hapësirën minimale dhe maksimale që jepet me qira, kushtet që duhet të plotësojë stacioni i plazhit, lënien e hapësirave për pushuesit që duan plazh publik si dhe mirëmbajtën e bregut dhe pastrimin e tij.

Por, ky vendim nuk po gjen zbatimin e duhur.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në një takim të zhvilluar sot me mediat dhe disa institucione përgjegjëse, njoftoi për krijimin e një grupi pune, që do të verifikojë ecurinë dhe zbatimin e kërkesave për ushtrimin e aktivitetit të stacionit të plazhit dhe strukturat akomoduese.

Klosi-konica.al
Klosi-konica.al

“Unë kam kërkuar që në zbatim të këtij vendimi të ngrihet ky grup pune me përfaqësues të Inspektoratit të Mjedisit, Agjencisë së Bregdetit e një sërë të tjerë që të nisin të bëjnë verifikimin e aktivitetit të stacioneve të plazhit.

Ky kontroll do të nisë nga 24 qershori deri në shtator. Do të bëhet verifikimi i kushteve dhe veprimtarisë së plazhit, lejet mjedisore për strukturat akomoduese. Çdo stacion plazhi duhet të ketë kushtet për sigurinë në det dhe tokë, dushe, ndotjet dhe zhurmat”, tha ai.

Klosi tha që pritet që të ketë 6.6 milionë turistë për 2019.

Ai pohoi se situata politike ka ndikuar disi në aktivitetin e turizmit. Në maj, hyrjet e turistëve shënuan një rritje minimale prej 2 për qind.

“Prisnim të shkonim në 7 milionë turistë këtë vit por presim një tërheqje nga turistët familjare, të cilët mund të kenë një lloj stepje prej protestave”, tha Klosi.

Stacioni i plazhit duhet të ketë në dispozicion të peshuesve një dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra, si dhe të jetë i pajisur me shërbimet higjienike, kabinat e zhveshjes, zonën e ndihmës së shpejtë për pushuesit.

Në asnjë rast nuk mund të ndalohet apo të kufizohet, në asnjë formë dhe në asnjë kohë, kalimi i publikut në rrugët që lidhin rrugën publike me plazhin publik.

“Subjektet e veprimtarisë së stacionit të plazhit kanë detyrimin për të krijuar kushtet e kalimit lirisht të publikut dhe moscenimin në ndonjë formë të kësaj të drejte, si dhe sigurimin e kushteve të kalimit lirisht të personave me aftësi të kufizuar” thuhet në rregullore.