MENU
klinika

Gjuha shqipe

Identiteti kombëtar përballë frikës së tri feve

23.06.2019 - 14:25

 

Në një kohë, kur vendi ynë ndodhej nën Perandorinë Osmane dhe në Ballkan kishte shpërthyer një fushatë e egër helenizuese dhe turqizuese nëpërmjet shkollave greke dhe osmane, që ishin hapur për të nxitur fanatizmin dhe përçarjen fetare midis shqiptarëve, që jetonin në një vend ku ushtroheshin tri fe (myslimane, ortodokse dhe katolike), lëvizja kombëtare shqiptare nuk mund të bazohej në një fe të vetme për krijimin e shtetit shqiptar, siç ndodhi në shtetet fqinje, ku feja dhe kombësia përputheshin. Për të realizuar bashkimin kombëtar, rilindësit tanë të mençur dhe largpamës, u përpoqën që të vinin në plan të parë ato aspekte të kulturës që ishin të një natyre jo fetare. Prandaj, ata e vunë theksin kryesor te gjuha shqipe, e cila, krahas raporteve të kombit me fetë, ishte një nga faktorët kryesorë që mund të shërbente si një hallkë ndërlidhëse ndërmjet grupeve të ndryshme krahinore dhe fetare.

 

 

 

 

 

Për rilindësit shqiptarë ishte pjekur mendimi, që një popull i robëruar të dalë në dritën e lirisë, gjëja e parë që duhet të bëjë është të lëvrojë gjuhën e tij dhe të mblidhet rreth saj, ashtu siç mblidhet edhe rreth flamurit kombëtar. Dhe kishin të drejtë. Për shqiptarët gjuha shqipe është një nga tiparet themelore të identitetit kombëtar, është pasuria më e madhe shpirtërore e trashëguar brez pas brezi, që nga kohët më të lashta. Ajo sot është jo vetëm gjuha moderne e kulturës moderne të shqiptarëve, por edhe një nga arritjet më të mëdha të njësimit shpirtëror të shqiptarëve. Në stadin e zhvillimit që ka arritur gjuha shqipe sot, pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), mund të themi me se ajo ka kurorëzuar një proces të gjatë të zhvillimit dhe të konvergimit drejt një standardi të njësuar.

Gjuha shqipe, një nga gjuhët më të vjetra në botë, por që fatkeqësisht e dokumentuar e shkruar shumë vonë, ka kaluar një rrugë shumë të vështirë për të arritur këtë stad zhvillimi. Të parët tanë u bënë ballë, burrërisht, të gjitha orvatjeve ogurzeza të armiqve të të gjitha llojeve, duke marrë parasysh çdo sakrificë, deri në vetëflijim, për ta ruajtur me fanatizëm të pastër dhe të kulluar gjuhën tonë. Gjuha shqipe, para se të shkruhej me bojë, është shkruar me gjakun e atdhetarëve shqiptarë.

 

 

 

 

 

Në këto përpjekje gjigante, në ballë të luftës kanë qëndruar të patrembur mësuesit dhe shkolla shqipe. Mësuesit e shkollës shqipe (një shkollë laike që në lindjen e saj), në qoftë se gjuhën shqipe e shkruan me gjak, shkollën shqipe e ngritën me eshtrat e tyre të shenjta. Për hapjen dhe përparimin e shkollës shqipe, një shkollë me frymë kombëtare, kanë dhënë jetën me qindra arsimtarë patriotë. Nuk mund të lemë pa përmendur martirët Dhaskal Todrin (1730-1805), i vrarë duke shkuar në Voskopojë, Naum Veqilharxhin nga Vithkuqi (1797-1846), autori i parë i Abetares shqipe (1845), i cili u helmua në tryezën e Patriarkut dhe në ditën pasardhëse u dogjën po në oborrin e Patrikanës edhe librat e tij; Pandeli Sotirin (1843-1891), mësues dhe drejtori i Mësonjëtores së Parë Shqipe, që u hap në Korçë, më 7 mars 1887, i cili u vra pabesisht nga e shoqja greke dhe vjehrri. Po kështu, u vra më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani (1875-1905) bashkë me të vëllanë dhe katër fshatarë të tjerë, sepse çelën shkollën shqipe në Negovan.

Po kështu, pasi u sulmua dhe u rrah barbarisht në oborrin e shkollës në Qestorat, ku kishte dhe ku jepte fshehurazi mësimin e gjuhës shqipe, vdiq mizorisht Koto Hoxhi (1824-1895), Mësues i Popullit dhe mësuesi i Petro Nini Luarasit, shok dhe mik i vëllezërve Frashëri, sepse “kishte krijuar një çështje kombëtare”, sipas armiqve të Shqipërisë, sidomos me qëndrimet që mbante për shkollën shqipe. Prandaj, Mitropoliti i Gjirokastrës edhe e kishte shkishëruar. Të njëjtin fund të hidhur pati edhe Gjerasim Qiriazi (1861-1894), që së bashku me dy motrat e tij: Parashqevi (1880-1970) dhe Sevasti (1871-1949), hapën më 15 tetor 1891, të parën shkollë shqipe të vashave në Korçë, një vdekje mizore pas torturave që iu bënë nga komitët e paguar me armiqtë e Shqipërisë.

 

 

 

 

Më 15 gusht 1911 u helmua në Ersekë Petro Nini Luarasi (1865-1911), ish-nxënës i Koto Hoxhit, njëri nga mësuesit e Mësonjëtores së Korçës dhe drejtori i saj më 1891, nismëtar i hapjes së shumë shkollave në Shqipërinë e Jugut etj. Për këto veprimtari, Mitropoliti i Korçës e kishte shkishëruar, po kështu e shkishëroi më vonë edhe Mitropoliti i Kosturit.

Amaneti i tij: “Vramëni, po gjakun mblidhmani se do t’u duhet nipërve për të shkruar gjuhën shqipe”, – ka mbetur proverbial.

Po i helmuar vdiq në burgun e Athinës edhe Anastas Kullurioti (1820-1884), redaktor i gazetës shqip-greqisht “Zëri i Shqipërisë”, autor abetaresh e librash shqipe. Në mënyrë barbare u vra prifti patriot Dhimitër Ballkameni (14 tetor 1912), kur po dilte nga shkolla shqipe e Tushemishtit. Po kështu, një fat tragjik patën edhe mësuesit patriotë, që hapën shkolla shqipe ose dhanë mësimin e gjuhës shqipe në trojet shqiptare jashtë kufijve të sotëm të shtetit shqiptar, si Sadik Zajmi e Idriz Novokari, që patën hapur shkolla shqipe në Shkup, Pejë, Gjakovë e Prizren, Patër Shtjefën Gjeçovin (1874-1929), etnograf, arkeolog dhe shkrimtar, se u mësonte gjuhën shqipe kosovarëve të robëruar etj.

Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe përfaqëson një nga faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakshme në historinë e kombit tonë. Vargu i martirëve të gjuhës dhe të shkollës shqipe është shumë herë më i madh, saqë do të duheshin të shkruheshin libra të tërë për të treguar vuajtjet, persekutimet dhe flijimet e tyre për të mbrojtur gjuhën dhe shkollën shqipe.

Në sajë të sakrificave të këtyre martirëve, të mësuesve dhe të shkollës shqipe, në të gjitha kohërat, gjuha shqipe u ruajt e pastër, u zhvillua në kahjen përparimtare, deri në stadin që ka arritur sot./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit