MENU
klinika

100 gra sipërmarrëse

INSTAT: 25.5% e grave janë të përfshira në tregun e punës

11.06.2019 - 18:36

U mblodh për herë të parë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, forumi i Gruas në Sipërmarrje.

Ideja e projektuar që në fillim të këtij viti mori kështu formë finale në një forum biznesi dhe në një botim me intervista të zonjave që ju bashkëngjitën kësaj ideje.

Në një sallë me më shumë se 100 gra sipërmarrëse u ngritën ide dhe shqetësime që sot ka gruaja në biznes. Zonja me eksperiencë shumë vjeçare në biznes dhe ato të rejat që duan t’i përkasin kësaj bote ndanë eksperiencat e tyre të punës, problematikat dhe ajo çfarë mund të bëhet në një të ardhme të afërt.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka duke ju uruar mirëseardhjen zonjave në këtë aktivitet, u shpreh i hapur të dëgjojë të gjithë propozimet apo kërkesat që ato kanë. Nënkryetarja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zonja Valentina Gjoka, si një nga organizatoret e këtij aktiviteti që në krye të herës u shpreh se “nëpërmjet këtij eventi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon që të tërheqë vëmendjen e të gjithë aktorëve, duke filluar nga qeveria, biznesi dhe shoqëria civile.

Synojmë të adresojmë sfidat ekonomike me të cilat përballet sipërmarrja e grave, rritja e tyre, krijimi i vendeve të punës, fleksibiliteti i tregut të punes si dhe financimi i tyre”.

tregtia-konica.al
tregtia-konica.al

Sipas zonjës Gjoka, zgjidhja më e mirë, jo vetëm për sipërmarrjen, por edhe për gjithë shoqërinë, do të ishte përmirësimi i diversitetit dhe rritja e kontributit të gruas në ekonomi dhe shoqëri, bazuar në talent dhe meritokraci.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është institucioni më i madh i biznesit në Shqipëri. Në organet drejtuese të saj ka përfaqësues nga sipërmarrja e grave, si nënkryetare ashtu edhe në kryesi, anëtare nga Shoqata Kombëtare e Grave Sipërmarrëse dhe Zejtare të Shqipërisë”, u shpreh Gjoka duke cilësuar se “ajo është përfaqësuesja legjitime dhe avokate e mbrojtjes se interesave të biznesit, pasi biznesi i qarkut të Tiranës kontribuon me mbi 40% të GDP së vendit; 40% të totalit të eksporteve, gjithashtu në këtë qark operojnë 67% të numrit total të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta”.

Ndaj në këtë kontekst ajo ju bëri një ftesë të hapur grave pjesëmarrëse në forum që ta zgjerojnë netëorkun e tyre, duke qenë pjesë e Dhomës, pasi kjo do të sjellë një zë të unifikuar dhe kontribuese reale për një shoqëri më të mirë.

Në pjesën e parë të takimit ishin përfaqësues nga qeveria, bashkia apo dhe përfaqësues të organizmave të huaja ndërkombëtare të vendosura në vendin tonë.

Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, si pjesë e këtij aktiviteti, foli në gjuhën e shifrave, duke theksuar se ka ndryshuar përfaqësimi i gruas në sipërmarrje, por që mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sipas INSTAT në vendin tonë 25.5% e grave janë të përfshira në tregun e punës me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë të punësuara në biznes familjar apo të vetëpunësuara.

42% e grave të punësuara janë në sektorin bujqësor, sektor që ka përfshirjen më të lartë të grave.

Zonja Anisa Ruseti, Drejtorja e Shërbimit Social pranë Bashkisë Tiranë, prezantoi para zonjave, projektin më të fundit të Bashkisë që ka të bëjë me ndihmën që ju jepet grave që duan të nisin një biznes, duke i ftuar të pranishmet që ta ndajnë këtë me kolege të tyre, apo dhe të bëhen vetë pjesë e kësaj iniciative.

Zonja Evis Sulko, përfaqësuesja e Bankës Botërore në këtë forum, u shpreh se “asnjë vend komunitet apo ekonomi nuk mund të arrijë potencialin e vet pa pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të burrave dhe grave, vajzave dhe djemve”.

Zoti Eduard Shalsi, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, duke vlerësuar rolin e gruas në sipërmarrje, por jo vetëm, u shpreh së në ministrinë e tij ka një derë të hapur gjithmonë për gruan, për të dëgjuar dhe dhënë zgjidhje problemeve që ekzistojnë.

“Jam i nderuar që jam pjesë e një kabineti qeveritar që ka më shumë se gjysmën e ministrave gra. Nuk mund të ketë progres ekonomik, një përmbushje të parimeve demokratike pa përfshirje e grave. Ky është konkluzion që duhet mbajtur gjithnjë parasysh”, u shpreh Shalsi ndër të tjera në fjalën e tij.