MENU
klinika

Të dhënat e BSH-së

Investimet e huaja fokusohen te energjia dhe industria

25.06.2019 - 22:07

Të huajt zgjedhin t’i investojnë kapitalet e tyre kryesisht në dy degë në ekonominë shqiptare.

Energjia dhe industria nxjerrëse dominuan investimet e huaja direkte në Shqipëri edhe për tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se këta dy sektorë sollën 185 milionë euro ose rreth 65% e vlerës totale që bizneset e huaja kanë investuar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.

Investimet në projekte energjetike kishin vlerën e 136 milionë eurove, por paraqiten në rënie të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në masën më të madhe, kjo reflekton rënien e volumit të investimeve në gazsjellësin Trans Adriatik. Punimet për këtë vepër në territorin e Shqipërisë janë drejt përfundimit. TAP është një kompani e regjistruar në Zvicër dhe investimet nga ky shtet ranë me 36% me bazë vjetore.

Shteti që solli më shumë investime të huaja në Shqipëri gjatë tremujorit të parë ishte Holanda, me 77 milionë euro. Investimet holandeze lidhen sidomos me ndërtimin e hidrocentralit të Devollit. Kompania norvegjeze Statkraft po e ndërton këtë vepër përmes një shoqërie të regjistruar në Holandë, ndaj zyrtarisht ajo rezulton si investim holandez.

Të tjera investime të rëndësishme që zotërohen nga kompani të regjistruara në Holandë janë Shell, Vodafone, Spitali Amerikan apo Abcom. Kjo ka bërë që tashmë Holanda të jetë investitori i tretë më i madh në Shqipëri, pas Zvicrës dhe Greqisë.

Sektori i dytë më i rëndësishëm për nga fluksi i investimeve të huaja ngelet industria nxjerrëse, me rreth 49 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti.

Në këtë sektor besohet se aktualisht flukset kryesore të investimeve gjenerohen nga Bankers Petroleum dhe Shell.