MENU
klinika

Agnon

Izraeliti i parë i Nobelit

13.06.2019 - 15:34

I pari shkrimtar hebre nderuar me çmimin “Nobel” (Themeluesi i romancizmit izraelit)

    Një nga figurat kryesore të letërsisë izraelite moderne, krijimtaria e të cilit trajton konfliktin midis jetës tradicionale hebreje dhe botës moderne, si dhe përpjekjet për të rigjeneruar traditat e venitura nga shtetlli evropian ose vendbanimi.

Në Greqinë e lashtë, grekët i nderonin fituesit në garat atletike dhe në poezi me një kurorë dafinash. Për nder të kësaj fituesin e çmimit Nobel e quajmë “Laureat Nobel”. Nga letërsia moderne hebraike Shmuel Yosef Agnon (Shai Agnon, S.Y. Agnon) ishte izraeliti i parë që fitoi çmimin “Nobel”; njëmbëdhjetë izraelitë të tjerë, në fusha të tjera, e pasuan, dymbëdhjetë laureatë të çmimit “Nobel” në shtetin 67-vjeçar. Agnoni ishte i përkushtuar pas të shkruarit, ai do të punonte herë pas here, për të njëjtën histori, për vite me radhë, madje edhe pas botimit do të vazhdonte ta zbukuronte dhe ta përsoste atë për një botim të mëvonshëm.

 

Agnoni shkroi për jetën hebraike në Evropën Lindore, Gjermani dhe Izrael, në romanet, novelat dhe tregimet e veta harmonizoi tema dhe materiale nga burime tradicionale hebraike, duke i shndërruar në vepra letrare moderne. Shkroi fuqishëm për tema si miqësia, dashuria, marrëdhëniet prindër-fëmijë, kriza si shkak për ndryshim.

 

 

 

 

Agnoni (1887-1970) lindi në një familje me prindër tradicionalë të arsimuar. Në vitin 1908, ai emigroi në Palestinë ku botoi tregimin e tij të parë. Vetëm pak vite më vonë, botoi një novelë për jetën hebraike në Evropën Lindore dhe u njoh si një shkrimtar hebre me rëndësi. Autori shkroi me një arsyetim të thellë për botën shpirtërore të personazheve të tij, në linjën e tregimeve surrealiste. Përveç punës, botoi disa antologji, si “Ditët e Frikësimit”, “Thesari i Urtësisë Hebraike për Reflektim, Pendim dhe Ripërtëritje në Ditët e Larta të Shenjta” etj.

Pas vdekjes së Agnonit, vajza e tij, Emuna Yaron, publikoi disa vepra, të cilat i ati i kishte lënë në dorëshkrim. Botimet postum përfshijnë një bllok me letra, të cilën Agnoni ia kishte shkruar bashkëshortes, korrespondencë midis Agnonit dhe botuesit të tij, ese dhe fjalime, disa novela dhe koleksione tregimesh dhe gojëdhëna të shkurtra. Disa nga veprat ruajnë të gjallë në shtyp jetën e çifutëve të Europës Lindore, duke e përshkruar atë botë para efekteve të modernizimit dhe asgjësimit.

Shmuel Yosef Agnon njihet për prozën letrare, poezinë dhe folklorin në gjuhën jidishe dhe në gjuhën hebraike. Karriera letrare e Agnon filloi kur ishte veçse 15-vjeç, me botimin e poemës së tij të parë. Puna e tij, duke përfshirë edhe historinë e famshme “Agunot”, nga e cila thuhet se rrjedh pseudonimi i shkrimtarit, Agnon, njihen për shqyrtimin e tensionit mes traditës hebraike dhe modernitetit. Agnoni i vendos shumë nga tregimet e tij të shkurtra në fshatrat e vjetra evropiane dhe përmes tregimeve të thjeshta, nxjerr në pah jetën e gjallë tradicionale të shtetlit dhe tensionin e tij me mendim bashkëkohor dhe laik.

Veprat më të famshme të Agnonit përfshijnë “Një histori e thjeshtë”, “Altari i martesës”, “Tmol Shilshom” etj. Agnoni është nderuar me çmimin “Bialik” dhe çmimin izraelit për letërsinë, kurse në vitin 1966 u nderua me “Nobel” në Letërsi. Agnoni u shpërngul nga Galicia në Jaffa në moshën 20-vjeç dhe më pas u vendos në shtëpinë e tij në Jeruzalem, e cila mund të vizitohet së bashku me bibliotekën e tij mbresëlënëse në Talpiyot.

 

 

 

 

Është e pamundur të mos lexosh historinë e qenit, i quajtur Balak, emër që tingëllon hebraishtja “qeni” e shkruar mbrapsht, si një parabolë e vetë historisë hebraike. Ashtu si populli hebre, Balaku shënohet për një persekutim, të cilin nuk mund as ta kuptojë, as ta shmangë. Atë e udhëheq vuajtja, si Jobi, për të sfiduar Providencën: “Balaku i ankohet Qiellit dhe angullin “Arf arf”, më jep një vend për të pushuar, më jepni ndershmëri dhe drejtësi. Dhe kur dëgjohet angullima e Balakut, e sulmojnë me gurë dhe shkopinj”. Por gjatë rrjedhës së romanit, Agnoni zgjeron dhe komplikon alegorinë, me një rezultat të mugullt; madje ai bën shaka me përpjekjet e personazheve në libër, që të kuptojnë se ç’do të thotë tregimi i Balak. Ashtu si Kafka, një shkrimtar që Agnoni thotë se nuk e ka lexuar kurrë, Agnoni na prezanton një parabolë që shfaqet e palexueshme, sikur të tregojë se, në një roman të shekullit të njëzet, vetë kuptimi duhet të bëhet i dyshimtë. Në këtë mënyrë “Vetëm Dje”, ndonëse një histori e fuqishme lokale, i bën vend vetes në panteonin e modernizmit ndërkombëtar.

Agnoni e ndau çmimin “Nobel” të 1966-ës në letërsi me Nelly Sachs, dramaturgun dhe poetin hebre që shkroi në gjermanisht. Puna e tij është përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe gjuhë të tjera. Përkthimi i veprës së Agnonit është e vështirë, sepse lëndën e parë të krijimtarisë së vetë e ka tërhequr gjerësisht dhe intensivisht nga burime tradicionale hebraike:- Bibla, literatura e rabinëve, tregimet dhe konceptet hasidike, burime tradicionale të ligjshme dhe gojëdhëna, si rrjedhojë duhet një njohuri e thelluar për të kuptuar vërtet veprat e këtij autori. Shpesh mjaftohemi me përkthimet e mirëfillta të autorëve të ndryshëm të shquar bashkëkohorë izraelitë, si Amos Oz, A. B. Yehoshua, David Grossman, Etgar Keret dhe Zeruya Shalev.

 

 

 

 

Çmimin “Nobel” Agnonit ia  dorëzoi Mbreti i Suedisë, Gustaf Adolf VI në banketin zyrtar në Bashkinë e Stokholmit: “për artin e tij tregimtar thellësisht karakteristik me motive nga jeta e popullit hebre”.

Stili i të shkruarit të Agnonit ndryshon, duke u zhdredhur dhe duke u kombinuar me teknika eksperimentale, surrealiste dhe tradicionale, fetare dhe folklorike. Në fjalimin e pranimit të Nobelit, ai u shpreh: “Disa shohin në librat e mi ndikimet e autorëve, emrat e të cilëve, më falni për injorancën, nuk i kam dëgjuar ndonjëherë, ndërsa të tjerët shohin ndikimet e poetëve, emrat e të cilëve i kam dëgjuar, por veprat e tyre nuk i kam lexuar”. Ai përmend si ndikim fillestar historitë nga Bibla, si dhe nga letërsia dhe kultura gjermane, të famshme për përralla popullore./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Xhek Keruak - letërsia e momentit

“E gjithë jeta është një vend i huaj”