MENU
klinika

Publikohet projekti

Ja si do të jetë Stadiumi Kombëtar i Kosovës!

14.06.2019 - 20:22

Në muzeun e Kosovës është prezantuar projekti i Stadiumit Kombëtar, i cili do të ndërtohet në afërsi të Drenasit.

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti ishin kryeparlamentari, Kadri Veseli, ministri i sportit, Kujtim Gashi, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, futbollisti i Kombëtares, Milot Rashica, familja Vokrri dhe shumë personalitete tjera nga institucionet dhe jeta sportive.

Ministri i sportit, Kujtim Gashi, vuri në dukje se ky është një projekt kapital dhe më i madhi sa i përket investimeve në vendin tonë, derisa rruga deri te kjo ditë sipas tij nuk ka qenë e lehtë.

“Besoj se tani kemi arritur deri te një projekt i cili i plotëson kushtet dhe nevojat e sportistëve tanë. E falënderoj veçanërisht kryeparlamentarin Kadri Veseli, i cili ka qenë mbështetës i fuqishëm i këtij projekti. Falë përkushtimit të tij ne sot po e prezantojmë këtë projekt. Ky stadium do të ndërtohet në mes të Kosovës, afër aeroportit dhe afër autostradës.

Qyteti më i largët i vendit nga ky stadium do të jetë më pak se një orë, prandaj kjo nënkupton se edhe lokacioni i zgjedhur ka qenë i duhuri. Ne si institucione do ta jetësojmë këtë gjigant sportiv. Jam i bindur se për disa muaj veçse do ta fillojmë këtë projekt”, ka thënë ministri Gashi.

E presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se me këtë projekt po i vihet kupola infrastrukturës së futbollit në Kosovës.

“Ministria e sportit dhe qeveria prej fillimit të punës së tyre kanë punuar shumë për futbollin, duke filluar me renovimin e stadiumeve, pastaj me ndërtimin e 12 fushave me bari sintetik dhe tani me Stadiumin Kombëtar, i cili do të jetë kupola e infrastrukturës në vendin tonë. Ndihem shumë mirë që ky projekt po jetësohet, jo vetëm për futbollistët tanë, por edhe për tifozët pasi kërkesat janë shumë të mëdha.

Ne aktualisht e kemi stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me 12 mijë ulëse derisa kërkesa online për bileta për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës është 100 mijë. Pra kjo është dëshmi se njerëzit në Kosovë dhe bashkatdhetarët tanë e duan futbollin. Falënderimet për këtë projekt i takojnë kryeparalemtarit Veseli që na ka mbështetur fuqishëm në çdo periudhë.

Në raste të këtilla mbështetja e institucioneve është e domosdoshme. Një falënderim të veçantë edhe kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, si dhe për tifozët Dardanët. Urime dhe e gëzofshim këtë stadium”, ka thënë presidenti Ademi.

Sipas projektit të prezantuar, Stadiumi Kombëtar do të ketë restorante, hotele, fusha ndihmëse, parqe e pishina, ndërsa në ndeshjet e Kosovës, stadiumi do të ndriçohet nga ngjyra të kaltra.