MENU
klinika

Të drejtat për sipërfaqet 5-30 ha vetëm me VKM

Kalimi i tokës bujqësore në truall, procedurat

06.06.2019 - 19:56

Ministria e Bujqësisë propozon që të ndryshojnë procedurat për kalimin e tokës nga bujqësore në truall me qëllim që t’u vihet në ndihmë personave që investojnë për ngritjen e strukturave bujqësorë.

Ministria e Bujqësisë ka dorëzuar në kuvend projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8752, datë 26.3.2001, “për krijimin dhe funksionimin e strukturave të administrimit dhe mbrojtjes se tokës”, të ndryshuar.

Në realzionin që shoqëron projektligjin thuhet se qëllimi i tij është lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afateve kohore për kalimin e sipërfaqes së tokave bujqësore në tokë truall për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, për struktura/objekte në funksion të agroturizmit si dhe veprimtari të tjera ekonomike.

Nëpërmjet shtesave dhe ndryshimeve të propozuara bëhet e mundur që miratimi i kalimit të tokës bujqësore në kategorinë truall të realizohet në një kohë më të shkurtër, dhe sipërmarrësit të marin më shpejt lejet e ndërtimit për fillimin e investimeve.

“Për tokat bujqësore të kategorive V-X të bonitetit, ndryshimi në kategori resursesh të tjera si tokë urbane (truall) si dhe për veprimtari minerale dhe gjologjike për gurore e kariera, për sipërfaqe deri në 30 ha bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Po kështu, kalimi i sipërfaqes së tokës bujqësore në të gjitha kategoritë e bonitetit, me destinacion ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit të lëshuar nga institucionet përkatës, të cilat kushtëzohen me miratimin e ndryshimit/kalimit të sipërfaqes së tokës bujqësore në truall, janë evidentuar vonesa, që lidhen me kohën e miratimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Këto vendime, propozohen nga ministritë përgjegjëse sipas fushës së veprimtarisë që mbulojnë dhe trajtohen rast pas rasti”-thuhet në relacion.

Sipas relacionit gjatë dy viteve të fundit, pjesa më e madhe e VKM-ve për sipërfaqet e tokës bujqësore që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall) kanë qenë kryesisht nga 500 m2 deri në 3500 m2, të cilat përfshijnë ndërtimet për objektet për qëllime bujqësore dhe agroturizmin.

Numri i kërkesave për investime të tilla po rritet ndjeshëm, sidomos për shkak të mbështetjes me grante nga programi IPARD II dhe skemave kombëtare në kuadrin e programit për zhvillimin bujqësor dhe rural.

“Me qëllim lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve miratimi i ndryshimit për sipërfaqet e tokave bujqësore deri në 5 ha që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall), të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë.”