MENU

Nga Shpëtim Nazarko

Ke të drejtë mjeshtër, kufoma e Haxhiut mban erë akoma…

19.06.2019 - 16:32

 Një çetë këtej e një andej. Po kthehem nga Korça. Në të dalë të Cërravës, nja njëqind njerëz po tentonin t’i bllokonin rrugën Ramës. Në televizione lokale  dhe kombëtare, po ashtu të sheh syri në darkë, për çdo ditë, peizazhe të njëjta. Është «Viti i mbrapshtë» i Kadaresë. Po Shestan Verdhë, ashtu si në librin e tij, çka ia përmendja dhe në letërkëmbim me të, këtu e njëzetë e pesë vjet më parë, prapë nuk shoh gjëkundi. Turmat që ikin andej-këtej të kujtojnë jo atë, po Haxhi Qamilin…

Është teatër i madh e po kujtojmë kohët e kaluara, në një ambient më të madh, apo palët po sillen sipas rregullave e kohëve të vjetra?

Në Pogradec, te pallati i vjetër i kulturës është ende një pllakë që kujton heroizmin e batalionit të kolonjarëve, që u printe Gani Butka, i biri Saliut të Madh. Batalioni u masakrua i tëri, po esadistët a qamilistët, që dallojnë në formë po jo në përmbajtje, nuk arritën deri në Korçë…

Tabllua është e njëjtë apo po bëj propagandë që si gjithnjë i zëmëron partizanët partiakë. Nuk besoj dhe përgjigjen ndoshta më të saktë, se çfarë mendoj, e lexova sot në mëngjes, te një pasazh brilant i Kadaresë që përshkruan historinë e kaluar..

 

“Haxhiqamiloida, një nga kujtimet më të turpshme të rrugëtimit historik shqiptar, ka qenë më e keqe se ç’është kujtuar dhe më e rrezikshme se ç’do të mund të përfytyrohej. Nëse njëqind vjet më parë, klithma e haxhiut të ç’mendur ka qenë klithma e shkuljes së perandorisë së sëmurë nga preja e saj, sot, njëqind vjet më pas, ajo do të ishte ofshama e fundit antieuropiane në këtë vend. Atë ofshamë e fshihnin me kujdes të gjithë ata që, duke ulëritur për Europën, luteshin së brendshmi që Europa të mos i hapte kurrë portat për shqiptarët. Parti politike ose pjesë të shtetit, organizata të krimit, klane të korruptuara, ishin në përgjim të vazhdueshëm të kërkimit të vjegave për t’u acaruar me Europën, me shpresën e gjetjes së një orientimi të ri.”

*KADARE: “MOSMARRËVESHJA” (f. 194)

 

Thua do të zëmë mend kësaj here, apo do të vazhdojmë hyneret e vjetra? Kufoma e Haxhi Qamilit ka njëqind vjet që është tretur, po duket se herë pas here kutërbon akoma…

Pata rast ta vija re në 14 shtator të vitit 1998, sesi u ngrit nga varri kufoma e atij. Opozita e atëhershme që është po kjo e sotmja, kishte mbërthyer Televizionin shtetëror dhe liderët e saj, apo kush t’i donte qejfi, se shteti kishte rënë  po prej tyre, mbanin fjalime për Shqipërinë e re europoiane.

Në një moment, më zuri tmerri.  Sigla e TVSH-së ishte zëvendësuar me siglën e «TV Shijakut». Të dyja ishin «TVSH» në paraqitje dhe duhej një vëzhgues i vëmendshëm, të kuptonte se spikerin e RTSH-së shtetërore e kishin flakur gjëkundi dhe ca njerëz me mjekra dhe me gjerdane armësh i vinin para, spikerit të ri, lajmet e reja…

Në librin «Radiostacioni», Kadareja e përshkruan me fantazi këtë situatë që përkonte me nëntorin e 1944-ës, por skena e 1998-ës e tejkalonte çdo fantazi.

Nuk e kam pyetur asnjëherë Ismailin, nëse e ka parë këtë skenën e përputhjes së dy siglave të televizioneve. Besoj, nuk e ka parë, se do ta kishte shfrytëzuar në letrat e tij.

Po ndofta edhe mund edhe të mos ta kishte shkruar. Edhe ai është adhurues i Balzakut. Mjeshtri madh i realizmit në « Evgjeni Grande », nuk e shkruan një të vërtetë të tmerrshme. Plaku Grande që zbaton testamentin e të vëllait të vdekur, për ta shpënë në fshatin e tij, nuk do ta paguajë biletën e transportit për të. Pandaj e thyen në dysh kufomën dhe e mban si në valixhe pasagjerësh. Ndonjëherë edhe kur janë të vërteta absolute, disa të tilla të zë turpi t’i shkruash…

Kur pashë dy siglat në televizon, m’u kujtuan dhe njëherë, fjalët e njohura që i atribuoheshin Haxhi Qamilit – Nuk më duhet bota, kur kam Kavajë e Shijak…

Edhe ata të 14 shtatorit, kishin përpikmërisht Kavajë e Shijak…

Haxhi Qamili ishte përsëritur. Po kësaj radhe, në një periudhë më të shkurtër dhe sipas rregullës së dialektikës, në formë më shumë komike sesa tragjike.

 

Po vemë prapë, te Haxhi Qamili?

Edhe të vemë, duhet të ngushëllohemi si më 1998-ën. Koha do të jetë shumë e shkurtër. Më e shkurtër, se e shatorit të 1998-ës. Dhe, edhe nëse, vërtet fiton Haxhiu, fati i lëvizjeve të këtij lloji dihet… Po ndërkaq, po vemë, por ata që po ndërtojnë një shoqëri europiane, nuk i zë turpi…

 

Sipas rregullës që thotë, se njeriu, në ndryshim nga kafsha, e shkruan historinë e tij, do të duhej të mos venim në të njëtën situatë…

Ajo që mbetet është të lexojmë edhe njëherë mjeshtrin e madh, që na kthen te koha e gjyshërve të palavdishëm, kufoma e të cilëve, mban erë akoma, si ata njerëzit e lig, që nuk i tret varri dhe kutërbojnë gjithnjë atë erën e keqe sa herë u afrohemi…

 

Po  e teprojmë dhe po mbajmë anë?

Them ta lexojmë edhe njëherë me kujdes, atë fjalinë e fundit të Kadaresë. Dhe më shumë se lexuesit e zakonshëm, le ta lexojnë ata që po kërkojnë ta përsërisin atë skenë, apo t’i afrohen kufomës së patretur të Haxhi Qamilit…                      

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN