MENU

"Çështje e brendshme kineze"

Kina paralajmëron: SHBA të mos ndërhyjë në Hong-Kong

15.06.2019 - 11:10

Kina thirri një ditë më parë përfaqësuesin diplomatik amerikan në Pekin për të  kundërshtuar komentet e Uashingtonit për çështjen e ligjit të ekstradimit të Hong-Kongut.

Zëvendës Ministri i Jashtëm Le Yucheng thirri në takim Robert Forden, Zëvendës Shef i Misionit amerikan në Pekin, për të dorëzuar notën e protestës, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme kineze.

Le tha se Kina nuk pranon ndërhyrjen e fuqive të huaja në çështjet e Hong Kongut.

Në deklaratë thuhet se “Kina i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara… të ndalin menjëherë të gjitha ndërhyrjet në çështjet e Hong Kongut dhe të ndalin veprimet që mund të ndikojnë në begatinë dhe stabilitetin e Hong Kongut”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, u shpreh se çdo përpjekje për të shkaktuar kaos në Hong Kong nuk do të ketë sukses. Komentet u bënë pasi ligjvënësit amerikanë propozuan të enjten legjislacionin në bazë të të cilit do t’i kërkohej Sekretarit amerikan të Shtetit të çertifikojë çdo vit autonominë e Hong Kongut, si parakusht për përfitimin nga ligji i viti 1992 për trajtimin e veçantë.

Pekini paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të mos ndërhyjnë në situatën e tanishme në Hong Kong, të cilën e konsideron çështje të brendshme kineze.

Rreth 1 milionë njerëz kanë dalë në rrugët e Hong Kongut për të protestuar kundër ndërhyrjes në rritje të Pekinit tek autonomia dhe shteti ligjor i Hong Kongut.

Kjo është demonstrata më e madhe në Hong Kong, që kur territori i është dorëzuar Kinës nga Britania, në vitin 1997.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Protesta më e madhe që nga 1997

SHBA e shqetësuar për situatën në Hong-Kong