MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Komardarja presidenciale e shpëtimit

11.06.2019 - 01:49

Dita e shtunë dhe e hënë ishte e ngjeshur me ngjarje politike, duke nisur me intervistën e zv.ndihmësit sekretarit amerikan Mathew Palmer; protesta e opozitës; si dhe vendimi i Presidentit për të shfuqizuar dekretin e tij për shpalljen e datës së zgjedhjeve më 30 Qershor.

Të tre këto ngjarje, janë zhvilluar brenda harkut kohor të një dite, por me shumë lidhje me njëra tjetrën. Dalja e të hënës, e presidentit vetëm sa konfirmoi lidhjen mes tre ngjarjeve. Palmeri kërkoi një intervistim tek Top Channel meqënëse do zhvillohej protesta; Meta vendosi të bënte publik vendimin e tij para protestës. Ndërkohë qëndrimi i tij është reagim flakë për flakë ndaj Palmerit, në një ditë si e shtuna, kur administratat ndërkombëtare, nuk kanë nge të merren me Shqipërinë. Të hënën  ai nuk shtoi referenca kushtetuese për veprimin e tij, një precedent në aksionin presidencial. Por le t’i marrim me radhë ngjarjet.

-Intervista e Mathew Palmer

Në intervistën e Palmer, njeriut më të rëndësishëm të administratës amerikane që merret me Shqipërinë në baza ditore, së pari u bë krejt e qartë, se SHBA-të ishin të vendosura për të dënuar çdo shfaqje dhune duke kërcënuar drejtuesit e opozitës me bllokimin e udhëtimit në drejtim të SHBA-ve. Listë e zezë me një fjalë.

*Së dyti, me paralajmërimin për shefat e opozitës të cilët kanë patur mundësi të zhvillonin dhe protesta paqësore kur donin, protesta mori goditje të rëndë në atë që do të duhet të ishte forca e saj: dhuna si element kërcënues për Ramën.  Në mitologjinë e protestuesve dhe një pjese të drejtuesve të opozitës, Rama përflitet si një njeri që ka frikë, ndaj për këtë arsye sa më shumë që të bëhet dhunë aq më madhe do të jetë frika e tij. Kësisoj marrja e vendimeve nën atë efekt, duke supozuar se edhe mund të jepte dhe dorëheqjen, do favorizonte opozitën.  Mirepo doli se opozita kishte  frikë prej Amerikës me të drejtë… Goditja prej saj ishte e fortë, sa Presidenti Meta shpalli të shtunën, një veprim që e firmosi të hënën. Sovrani nuk foli si premtoi Basha, por foli Presidenti

Në një kontekst të tillë, opozita mori  prej SHBA-ve, një goditje të fortë, jo thjeshtë për atë se ju hoqën armët më të forta. U prodhua një protestë, e cila në përgjithësi, përgjatë asaj që do ishte pjesa zyrtare, u zhvillua në kufi normalë me një skenografi kërcënimi viziv–qelitë e burgut-, ndoshta më efektive madje se sa dhuna. Dhe vetëm një pjesë e protestës që u zhvillua pas thirrjes për shpërndarje, për të ikur në shtëpi, si dëshmi edhe e frikës, por edhe për të kënaqur një pjesë të protestuesve që janë të vendosur për të bërë dhunë, nuk pati frikë nga Amerika.

Së treti, u pa se SHBA-të i konsiderojnë zgjedhjet e qershorit si të ligjshme. Dhe as dëgjojnë nga veshi ku vijnë ankesat e opozitës.

Goditje më të rëndë për opozitën nuk ka patur në këto muaj proteste. Dhe në kushtet e një pabarazie të tillë në fushën e lojës, duke imagjinuar rezultat 100% pro PS në ato zgjedhje, nevojitej një veprim ekuilibrues. Silurat amerikane e çanë mes pêr mes anijen opozitare ndaj duhej një komardare shpëtimi për marinarët kryesorë të paktën.

-Qëndrimi i presidentit Meta

E veçanta, e kësaj situate të krijuar, është qëndrimi i presidentit Meta, i cili  mu si përgjigje ndaj Palmerit, i dha një dorë opozitës, por hapi dhe dyert për zhvillime të reja. Ai është brenda të drejtës së vet për ta interpretuar situatën në këtë mënyrë: zhvillimi paralel i zgjedhjeve dhe i protestave destabilizojnë vendin, ndaj unë ndërmora një vendim që mund të çojë palët në tryezë. Pak a shumë këtë tha të hënën, dhe në linjë me të ishte dhe qëndrimi i deputetit të CDU-së që krijoi idenë se Meta mund të kishte folur me të. Ndonëse palët nuk ja kanë kërkuar këtë veprim, ai si president mund të veprojë në kuadër të papërcaktueshmërisë kushtetuese, sipas parimit “çdo gjë që nuk ndalohet, lejohet”. Ky qëndrim presidencial ka tre plane në të cilat mund të analizohet:

*Këndvështrimi kushtetues

Ky është një veprim, i cili duam apo s’duam e ka një precedent tek ngjarjet e 2017-ës, në marrëveshjen Rama-Basha, kur presidenti Nishani u detyrua që t’i nënshtrohej një vendimi të partive politike dhe të shfuqizonte një dekret të tijin për zgjedhjet, ti shtynte ato për disa ditë. Madje dhe presidenti Moisiu ka shtyrë zgjedhjet, duke rishikuar dekretin e vet të mëparshëm. Meta ka bërë vetëm gjysmën e tyre, ka shfuqizuar dekretin e vet, por pa caktuar një datë tjetër zgjedhjesh, diçka që e bën qëndrimin e vet të atakueshëm. Tashmë sipas kësaj optike palët detyrohen të ulen në tryezë: radha e veprimeve është përmbysur. Në këtë kuptim, dilema nëse ky dekret është apo s’është në përputhje me Kushtetutën është e pakuptimtë edhe për një arsye tjetër. Sepse, Meta, është duke shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese si institucion, i cili mund të thirrej për tu shprehur me një procedurë të përshpejtuar për ta shpallur si kushtetues ose jo veprimin e tij. Në rrethana si këto edhe vetë qeveria nuk ka mundësi për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Të bën përshtypje se qoftë presidenti, qoftë qeveria nuk kanë vepruar ose duhet të vepronin me një iniciativë kushtetuese, të mbushnin një letër, të thërrisnin Gjykatën në fjalë, për interpretim, si hap të parë sapo ajo të themelohet. Duke synuar të legjitimojnë veprimet e veta pas faktit.

Qeveria supozohet se do ta konsiderojë si jo kushtetues vendimin e presidentit Meta dhe për pasojë do të zhvillojë zgjedhjet të cilat në një kuptim kanë humbur një lloj legjitimimi, ndonëse roli i presidentit në çertifikinin e zgjedhjeve është tërësisht i kufizuar. Mundësia e përdorimit të Gjykatës administrative është e kufizuar: ky dekret nuk duket se është me karakter individual administrativ.

Pasoja më imediate, që mund të vijë prej një shfuqizimi të një dekreti të tillë, është që presidenti Meta të thotë, se nuk i njeh institucionet që do dalin nga zgjedhjet e 30 Qershorit.

Me veprimin e tij, në pikëpamje legale, Meta luajti në një hapësirë të mungesës së institucioneve kushtetuese. Është kjo një mungesë të cilën ai e evidenton si një nga problemet më të mëdha të reformës në drejtësi,  dhe që mori përgjigje në një farë mënyre tek intervista e Matthew Palmerit i cili thoshte se nuk mund të presim që gjyqtarët të kapur për gabime të mëdha të vendosin për gjëra të rëndësishme kushtetuese.

kolana e librave

*Këndvështrimi politik

Meta reagoi pikërisht kur opozita mori një goditje publike, të fortë nga ana e SHBA-ve. Do duhet supozuar se intervista e dhënë për TopChannel ishte një intervistë e kërkuar prej administratës amerikane. Intervistë me marrëveshje. Në një moment të tillë, veprimi i presidentit Meta ishte ekuilibrues, sepse ndihmoi të dobëtin, në kuptimin që: kur kjo dalje e administratës amerikane në favor të qeverisë e fuqizonte Ramën akoma më shumë, ky veprim i Metës dhe presidentit si institucion i dha një lloj ngushëllimi opozitës, e cila ishte zotuar që 8 Qershori do të ishte dita e fundit e qeverisjes.

Por, nga ana tjetër, është një lëvizje e cila e ka brenda embrionin e krizës, domethënë thellimit të saj. PS do duhet të reagojë me maturi, larg thirrjeve për kokëfortësi. Ndonëse Meta vepron qartë në favor të opozitës, gjuha ndaj tij duhet të mbetet institucionale, ashtu si dhe mjetet.

Meta e kishte bëre të qartë disa javë më parë, se do të përfshihej në mënyrë të vendosur në ekuilibrimin e lojës në skenën politike shqiptare, dhe e bëri këtë jo nëpërmjet dorëheqjes së tij sipas modelit kilian; jo nëpërmjet shpërndarjes së Parlamentit si përflitej, por nëpërmjet shfuqizimit të dekretit të tij, një veprim që siç u tha më lart është me karakter të qartë politik.

*Këndvështrimi institucional

Intervista që dha  zyrtari i lartë amerikan i cili e bëri të qartë, që Amerika nuk do ndërhyjë aspak në zgjidhjen e krizës politike), ishte në nivel të lartë për Shqipërinë. Ajo nuk ishte deklaratë ambasade, ndonëse përfaqësia e BE-së apo edhe asaj gjermane u shfaqën në unison të plotë dhe njëkohësisht me të. Matthew Palmer tha se ne do t’jua lëmë institucioneve shqiptare që ta zgjidhin vetë krizën. Njëjtë reaguan dhe përfaqësitë e tjera dje. Ashtu- tha Meta? Mirëpo, si do ta zgjidhin? Pamja e shtetit shqiptar që del në sytë e botës pas një veprimi të tillë të presidentit është një imazh jo serioz, kaotik. Ndaj titujt e mediave ndërkombëtare ishin: Shqipëria në kaos. Dhe kjo është një nga pasojat më të rënda të veprimit të presidentit e që mund të përkeqësohet nga agresiviteti i palës tjetër. Një pamje e rrëmujshme, kakofonike e cila do të mund të moderohej sadopak nëse retorika, sherret apo përplasjet publike mes institucioneve do të përmbaheshin.

A mund të shkarkohet presidenti?

Hipoteza e shkarkimit, ndonëse numrat dhe mund të bëhen, do të duhet të vërtetohet nga Gjykata Kushtetuese, kështu që deri në një rrethanë të tillë, pra krijimin dhe fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, një veprim i tillë  do të mbetet i varur në ajër. Edhe sikur të bëhen numrat, dhe qeveria të mos ta njohë presidentin, kjo do ishte situatë absurde. E paprecedent. Firma e noterit duhet. Shumë procese do ishin të paplota dhe me legjitimitet të dyshimtë. Shterimi i inisiativës së shkarkimit do shtojë konfliktualitetin ndërinstitucional dhe Gjykata Kushtetuese do ta ketë të vështirë të provojë se kjo është një shkelje e rëndë e kushtetutës. Kushtetuta në fakt do duhej të kishte radhë tjetër veprimesh: në fillim do duhej të shprehej Gjykata, pastaj të vendoste parlamenti. Kësisoj kërcënimi i Ramës ka efekt të kufizuar kohor.

Skenarë për zgjidhjen e krizës

Veprimi i Metës, besohet se nuk do të tensionojë situatën, për një arsye që ngjan paradoksale edhe sipas një pandehme e cila mund të vërtetohet në ditën e zgjedhjeve. Mund të ndalen protestat. Po ashtu një veprim si ky i presidentit ka vlerë vetëm për një pjesë të popullit, atë opozitar. Mesazhi i presidentit  për ta është se zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë legjitime, për pasojë, ato as nuk do duhet të kontestohen. Sipas një narrative që do kultivohet deri në zhvillimin e tyre në kokën e popullit opozitar do të besohet, se këto zgjedhje nuk do të prodhojnë institucione të ligjshme, pra janë zgjedhje fiktive.

Kjo narrativë supozohet që, bashkë me presionet ndërkombëtare, do ta bëjë aksionin opozitar më të përmbajtur, apo që të duket edhe më i panevojshëm. Pra, në një farë kuptimi, ngjan se veprimi i Metës, paradoksalisht mund ta shfryjë veprimin agresiv opozitar në  sulmimin e zgjedhjeve. Natyrisht këtu duhet shtuar edhe presioni amerikan, presion i fortë jo thjeshtë për udhëheqësit e opozitës, por edhe për ata që marrin pjesë në protesta, në një vend kur numri i aplikantëve per llotarinë amerikane është shumë i madh. Hapësira për ulje në tryezë është krijuar megjithatë.

Do duhet kuptuar që një përzierje e tillë e ngjarjeve megjtihatë është parathënëse e një imazhi të shtetit shqiptar, kaotik në sytë e botës.

Në fund të fundit: kjo lëvizje ngjan ekuilibruese, si një komardare shpëtimi për një opozitë të dëshpëruar në kushtet e mungesës së mbështetjes ndërkombëtare nga asnjë institucion, shtet apo grup shtetesh. Opozita mori prej presidentit një karamele ngushëlluese, e cila megjithatë mund të ketë vlerën e përforcimit për ndonjë skenar të zgjidhjes së krizës, që mund të arrihet me negociata sigurisht pas 30 Qershorit, datë e cila konsiderohet si dita e parashikuar në kodin zgjedhor.

Perëndimorët supozohet se do të insistojnë që ato të zhvillohen dhe vetëm pas tyre mund të kemi negociata…