MENU

Kompozitori krenar

Shtrausi, një nga romantikët e fundit

11.06.2019 - 11:35

Muzikanti i shekullit XIX dhe XX, Shtraus ka përshkuar më shumë se 80 vjet histori dhe krijimtari, duke u mbizotëruar si një nga figurat kryesore të muzikës gjermane.

Krijimtaria e Riçard Shtraus përfshin gati dyqind këngë vokale (Lieder), mbi dhjetëra opera, mes të cilave “Salome” (1905), “Elektra” (1909) dhe “Kalorësi me trëndafil” (1911), vepra të mëdha orkestrale, si dhe dhjetë poema simfonike, më e njohura ndër të cilat “Kështu foli Zarathustra” (1896).

Lindur më 11 qershor 1864 në Mynih dhe vdiq më 8 shtator 1949 në Gjermani, kompozitori dhe dirigjenti jetuan kthesën e rëndësishme intelektuale dhe artistike të shekullit XX. Pas vdekjes së Vagnerit (në 1883) dhe të Brahmsit (në 1897), ai u radhit mes personaliteteve më të rëndësishme të jetës muzikore gjermane.

 

 

 

 

Shtraus i ka trajtuar thuajse të gjitha zhanret muzikore, mbi të gjitha revolucionarizoi zhandrin e poemës simfonike (në fund të shekullit XIX), si dhe kompozimin operistik në vitet e para Luftës së Parë Botërore. Gjithsesi, Shtrausi nuk ndoqi revolucionet estetike të epokës së tij, duke i qëndruar besnik tonalitetit muzikor të shekullit XIX, gjë që na shtyn ta konsiderojnë si një nga përfaqësuesit e fundit të romantizmit.

U njoh që herët me suksesin, që në moshën 23-vjeçare, duke u angazhuar kështu si në shtëpitë e mëdha të operave, ashtu edhe në drejtimin e orekstrave më të rëndësishme gjermane. Jetoi i rrethuar nga intelektualë, artistë dhe muzikantë të kohës së vet, njëherazi ka qenë edhe muzikanti i ri mbrojtur nga dirigjenti i pushtetshëm gjerman, Hans von Bülow, i cili e trajnoi për drejtim.

Në gjysmën e parë të shekullit XX, ndërkohë që shumë intelektualë dhe muzikantë u detyruan të largoheshin për shkak të ardhjes në fuqi të nazizmit në Gjermani, Riçard Shtraus u emërua president i Reichsmusikkammer (Dhoma e muzikës Reich) dhe nënshkroi me penën e tij shumë vepra rrethanore të tilla si Himnin e Lojërave Olimpike të Berlinit të vitit 1936. Vdiq në moshën 85-vjeç në vilën e tij në Garmisch-Partenkirchen, Austri.

Njihej si kompozitor goxha krenar, pasi ai nuk bënte pjesë tek ata kompozitorë të përulur, gjë e cila e ekspozoi para shumë kritikave. Kur kompozoi “Kështu foli Zarathustra”, u qortua së tepërmi pretendimi për të interpretuar teoritë filozofike të Niçes. Pas kritikave, Shtrausit iu desh të specifikonte se ai “nuk ka dashur të shkruajë muzikë filozofike, as ta përkthente muzikalisht veprën e madhe  të Niçes”, porse ka dashur vetëm “të propozonte përvijimin e një tabloje të zhvillimit të racës njerëzore nga origjina e saj […] deri tek konceptimi niçian i Mbinjeriut” një propozim të thjeshtë.

 

 

 

 

Riçard Shtraus ishte mjeshtër i poemës simfonike, duke u dalluar kësisoj nga Mahleri dhe Bruckner që u qëndruan besnikë formave simfonike më tradicionale. Muzika e tij është e mbushur me një ekspresion romantik gati në ekstrem, ndërsa orkestrimet e tij edhe sot e kësaj dite vijojnë t’i zmbrapsin kufijtë e numrave konvencionalë.

Karriera e shkëlqyer si dirigjent e çoi në dy fronte, tek repertori simfonik dhe opera. Të njëjtën gjë mund të thuhet edhe për kompozimin. Së bashku me poetin muzikant Aleksandër Riter, ai zbuloi “muzikën e së ardhmes”: atë të Liszt, Berliozit dhe Vagnerit.

Në vijimësinë e Liszt dhe Berlioz, ai përmirësoi zhanrin e poemës simfonike, e cila artikulohet  jo mbi një formë me disa lëvizje, por mbi një ide, një histori, disa personazhe, madje edhe një tekst. Nga Vagneri përdori parimin e lajtmotiveve, motive muzikore që simbolizojnë personazhet ose idetë gjatë gjithë punës.

Bashkëpunimi me shkrimtarin hebre zviceran Stefan Cvajg dhe origjina hebreje e nuses së tij, i sollën gjëmën politike pranë nazitëve./Konica.al

Shtraus në 6 data:

  • 1894: pason Hans von Bülow në krye të Filarmonisë së Berlinit.
  • 1896: emërohet dirigjent i parë i Operës së Oborrit së Mynihut.
  • 1919: emërohet dirigjent i Operës Shtetërore të Vjenës.
  • 1933: pranon të kryesojë Reichsmusikkammer, Instituti Nazist për Kontrollin e Muzikës
  • 1936: pranon të shkruajë himnin e Lojërave Olimpike të Berlinit.
  • 1948: shkëputi të gjitha bashkëpunimet me nazistët.

 

Shtraus në 6 punime:

  • 1889: “Don Zhuani”, poemë simfonike.
  • 1896: “Kështu foli Zarathustra”, poemë simfonike.
  • 1905: “Salome”, operë.
  • 1909: “Elektra”, operë
  • 1911: “Kalorësi me trëndafil”, operë.
  • 1948: “Katë liederët e fundit”, për zër dhe orkestër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk e ndjej vetminë se me mua është kënga"

Marije Kraja, ndër solistet e para të TOB

Bahu i paradokseve

“I detyrohem vetëm Zotit”