MENU

Letërsi pa komercializëm

Loer Kume kurorëzohet me një “Kadare”

12.06.2019 - 11:25

Loer Kume u shpall fituesi i madh i çmimit “Kadare”, për vitin 2019. Kume vlerësohet si përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare dhe larg komercializmit e të zakonshmes në letërsi, duke sjellë një përmbledhje me tregime e duke rrëmbyer trofeun, kësisoj.

 

 

 

Të përzgjidhesha në 10 finalistët e çmimit “Kadare 2019”, ishte në njëfarë mënyre habi dhe shpërblesë, sepse për brezin tim, çmimet në Shqipëri janë kthyer prej kohësh në një farsë të madhe, ku cilësohen dy-tre emra në fillim dhe më pas, dihet kush e fiton. Skema e përhershme me po ata emra të lakuar e të lashtë në juri ose në kandidim, që i kthejnë favoret njëri-tjetrit. Ndaj u habita që u prish kjo tabu dhe u kënaqa që këmbëngulja ime prej ‘kokëshkëmbi’, do të thosha, për të marrë pjesë në konkurs për herë të dytë dha një rezultat fillestar”, – është shprehur disa javë më parë, Loer Kume, për mediet.

Ndërkohë, për çmimin e madh të letërsisë garuan pesë autorë: Fate Veliaj, Mimoza Hysa, Roland Gjoza, Ylljet Aliçka dhe Loer Kume, fituesi i çmimit “Kadare”.

 

 

 

 

Juria e çmimit “Kadare”, u kryesua nga Bashkim Hoxha, me antarë shkrimtarët: Mehmet Kraja, Genciana Abazi, Alda Bardhyli dhe Diana Kastrati, të cilët u mblodhën në Razmë, ku mbajtën edhe mbledhjen finale për përzgjedhjen e fituesit, i kurorëzuar tashmë.

Ky është viti i pestë i krijimit të çmimit “Kadare”. Në katër vjet, më shumë se 100 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar 4 vepra të rëndësishme të letërsisë bashkohore shqipe, si veprat fituese të këtij çmimi.

I gjithë projekti i çmimit “Kadare”, ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe “Ditët Letrare të Razmës”.