Që nga 1 qershori, Hysen Bytyqi nuk po mund ta eksportojë peshkun e gjallë në Maqedoninë Veriore.
Si eksportues prej 10 vjetësh në këtë vend, ai tregon se për këtë ndalesë u informua nga partneri i biznesit.
Sigurohet shkresa e Dhomës së Tregtisë në Maqedoni, në të cilën thuhet se është bërë ndryshimi i listës së shteteve që ju është dhënë e drejta, për import të peshkut të gjallë.
Shkresa thotë se në bazë të rregullores për import dhe transit për mënyrën e veprimit, listës së vendeve të treta u ndalohet importi i peshkut të gjallë të cilët dedikohen për rritje, mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël dhe objekteve të hapura për zbukurim e që janë me prejardhje nga Kosova.
Por, në asnjë pjesë shkresa nuk tregon arsyet.
Madje, për këtë vendim nuk i kishin informuar as autoritetet kosovare.
Pas njoftimit nga bizneset, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kërkuar arsyetim me shkrim duke u bazuar në rregullat ndërkombëtare për tregti të lirë.
Edhe ambasada e këtij shteti në Prishtinë, për TopChannel thonë se nuk kanë informatë zyrtare për këtë bllokadë.
Maqedonia ka qenë ndër tregjet më të rëndësishme për prodhuesit e Kosovës, për shitjen e peshkut të gjallë.
Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 100 mijë eurove.