MENU
klinika

Dossier/ Masakra e Tiananmenit

Një ‘njollë e zezë’ në historinë e Kinës

03.06.2019 - 16:42

Më 4 qershor mbushen 30 vite që kur në Kinën komuniste u zhvilluan protestat më të mëdha politike të para ndonjëherë. Ende edhe sot pas 30 vitesh nuk është i saktë numri i atyre që u vranë për idealet e larta të lirisë dhe demokracisë.

Askush nuk e di të sigurt nëse ishin qindra apo mijëra, ata që sakrifikuan jetën e tyre që era e ndryshimeve të frynte në gjithë perandoritë e murtajës së kuqe.

Bota moderne, civilizimi human dhe aspiratat e shenjta të lirive dhe të drejtave të njeriut, panë me sytë e tyre se çfarë po ndodhte, dhe deri ku mund të arrijë paranoja e diktatorëve.

Përse protestohej?

Protestuesit, kryesisht studentë, fillimisht marshuan nëpër Pekin në sheshin Tiananmen pas vdekjes së Hu Yaobang Hu, një ish-udhëheqës i Partisë Komuniste, që kishte punuar për reformën demokratike në Kinë. Në zi për Hu, studentët kërkuan një qeveri më të hapur dhe demokratike. Mijëra njerëz u bashkuan me studentët në sheshin Tiananmen, dhe numri i tyre arriti në dhjetra mijëra deri në mes të majit.

Megjithëse qeveria e Kinës kishte ndërmarrë një numër reformash në vitet 1980 që krijonin një formë të kufizuar të kapitalizmit në vend, kinezët e varfër dhe kinezët e klasave të punës përballeshin ende me sfida të rëndësishme, duke përfshirë mungesën e vendeve të punës dhe rritjen e varfërisë.

Studentët gjithashtu argumentuan se sistemi arsimor i Kinës nuk i përgatiste ata në mënyrë adekuate për një sistem ekonomik me elemente të kapitalizmit të tregut të lirë.

Disa liderë brenda qeverisë së Kinës i shihnin me dashamirësi protestuesit, ndërsa të tjerët i shihnin ata si një kërcënim politik.

Dekretimi i Ligjit Ushtarak dhe ndërprerja e vizitës së Gorbaçovit

Më 13 maj, një numër protestash studentësh filluan një grevë urie, e cila frymëzoi sulme dhe protesta të tjera të ngjashme në të gjithë Kinën. Ndërsa lëvizja u rrit, qeveria kineze u bë gjithnjë e pakënaqur me protestat, veçanërisht pasi ndërpreu një vizitë të kryeministrit rus Mikhail Gorbaçov më 15 maj.

Një ceremoni mirëseardhëse për Gorbaçovin, fillimisht e planifikuar për Sheshin Tiananmen, u mbajt në aeroport, edhe pse vizita e tij kaloi pa incidente. Megjithatë, duke ndjerë se demonstrimet duhej të kufizoheshin, qeveria kineze shpalli ligjin ushtarak më 20 maj dhe 250 mijë trupa hynë në Pekin.

Deri në fund të majit, më shumë se një milion protestues ishin mbledhur në sheshin Tiananmen. Ata mbanin marshime të përditshme, dhe imazhet e ngjarjeve u transmetuan nga mediat tek audiencat në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

Masakra në Tiananmen

Ndërsa prania fillestare e ushtrisë dështoi të ulte protestat, autoritetet kineze vendosën të rrisin agresionin e tyre. Në orën 1 të mëngjesit më 4 qershor, ushtarët kinezë dhe policia sulmuan Sheshin Tiananmen, duke gjuajtur turmën.

Megjithëse mijëra protestues u përpoqën të shpëtonin, të tjerët luftuan, duke gjuajtur me gurë trupat sulmuese dhe duke nisur zjarr ndaj automjeteve ushtarake. Reporterët dhe diplomatët perëndimorë  vlerësuan se qindra e mijëra protestues u vranë dhe rreth 10,000 u arrestuan.

Deri në mëngjes zona ishte pastruar nga protestuesit, megjithëse filluan të shtënat sporadike gjatë gjithë ditës.

Si reaguan fuqitë e tjera botërore?

Udhëheqësit në mbarë botën, përfshirë Gorbaçovin, dënuan veprimin ushtarak dhe, më pak se një muaj më vonë, Kongresi i Shteteve të Bashkuara votoi për të vendosur sanksione ekonomike kundër Kinës, duke argumentuar se arsyeja ishte shkeljet e të drejtave të njeriut.

Historia e sheshit Tiananmen

Ndërsa ngjarjet e vitit 1989 tani dominojnë historitë rreth sheshit Tiananmen, vendi ka qenë prej kohësh një udhëkryq i rëndësishëm brenda qytetit të Pekinit. Ai u emërua Tiananmen, ose “Porta e Paqes Qiellore”, dhe shënon hyrjen në të ashtuquajturën Qytet i Ndaluar.

Mao Zedong, që konsiderohet babai themelues i Republikës Popullore të Kinës, është i varrosur në Sheshin Tiananmen, në një mauzole në shesh.

Një masakër që u “fshi” nga historia

Shumë pak është folur gjatë viteve për masakrën. Në vitin 1999, Arkivi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së publikoi ​​“Sheshi Tiananmen, 1989: Historia e deklasifikuar”. Dokumenti përfshin dosjet e Departamentit të Shtetit të SHBA lidhur me protestat dhe goditjen ushtarake pasuese.

Në 20-vjetorin e masakrës, qeveria kineze i ndaloi gazetarët të hynin në Sheshin Tiananmen dhe bllokuan aksesin në faqet e lajmeve të huaja dhe në mediat sociale. Megjithatë, përpara 30-vjetorit të ngjarjes, në vitin 2019, Human Rights Watch me qendër në Nju Jork botoi një raport që përshkruan arrestimet e raportuara në Kinë lidhur me ato që lidhen me protestat.

Ngjarjet e vitit 1989 në Sheshin Tiananmen janë gjithashtu shumë të censura në internetin e kontrolluar nga Kina. Sipas një sondazhi në vitin 2019 nga Universiteti i Torontos dhe Universiteti i Hong Kongut, më shumë se 3,200 fjalë që kishin të bënin me masakrën ishin censuruar.

Wikipedia e bllokuar në Kinë në prag të 30-vjetorit të Tiananmen-it

Autoritetet në Kinë kanë bllokuar Wikipedia-n, njoftoi shoqata dhe enciklopedia në internet disa javë përpara 30-vjetorit të mbajtjes protestave pro-demokracisë në sheshin Tiananmen të Pekinit.

“Në prill, ne kemi konstatuar se Wikipedia nuk është më në dispozicion në Kinë është”, tha zëdhënësja Samantha Lien dhe shtoi: “Pas leximit të analizës së qasjes së brendshme në rrjet, ne mund të konfirmojmë se Wikipedia është bllokuar në të gjitha gjuhët në Kinë”.

Dyshimet për bllokadën e plotë të Wikipedia-s u shfaqën në prill kur disa përdorues kinezë u ankuan në rrjetet sociale se nuk kishin më qasje në faqe. Faqja e internetit GreatFire.org, një organizatë që monitoron censurën në internet në Kinë, zbuloi se faqja ishte bllokuar që nga 23 prilli.

Administrata kibernetike kineze, e cila mbikëqyr censurën në internet, nuk kishte komente për akuzat. “Kur një vend, rajon ose kulturë nuk mund të hyjë në një dialog global në Wikipedia, e gjithë bota është e varfër”, tha Lien.

Si e kujtojnë kinezët masakrën?

Ndërsa e dinë se postimet e tyre do të censurohen me shpejtësi, përdoruesit kinezë të internetit ende në mënyrë rutinore përkujtojnë çdo qershor masakrën e Sheshit Tiananmen të vitin 1989 në mediat sociale.

Ata përdorin kreativitetin në këtë ritual. Fjalët e koduara, memes, karikaturat, veprat derivative, letërsia dhe fotografitë, përdoren për t’iu referuar 4 qershorit. Shumë përdorues postojnë ikona (emojis) të qirinjve të ndezur për të përkujtuar ngjarjen. Për ta, shtypja e protestës së Tiananmenit nuk është vetëm një tragjedi historike. Ajo përfaqëson një luftë të gjatë për të treguar historinë te publiku.

Duke u nisur nga të dhënat mbi Weibo për postimet e lidhura me 4 qershorin, të censuruara ndërmjet 2012 dhe 2018, ekipi Weiboscope identifikoi 1256 postime të censuruara. Shumë prej tyre u hoqën brenda 30 minutave nga publikimi.

Gjatë dhjetë viteve të kaluara, Citizen Lab ka studiuar censurën e mediave sociale në Kinë dhe ka mbledhur fjalët kyçe që sjellin censurën në një sërë aplikacionesh. 4 Qershori është një temë e censuruar vazhdimisht në të gjitha aplikacionet që kemi studiuar. Deri më tani, kemi përpiluar një listë prej 3,237 fjalësh kyçe që janë të lidhura me 4 qershorin.

Sipas të dhënave të Weiboscope, fotografia famëkeqe e Associated Press “Tank Man”(njeriu që qëndron para tankut), e shkrepur fillimisht nga Jeff Widener, është fotografia më e zakonshme në përpjekjet për përkujtim online.

Dikush mund të gjejë versione të përpunuara të fotografisë që tregon një njeri të vetëm duke u përballur me paketa cigaresh, rosa të verdha plastike, libra, logo, maus kompjuteri, apo edhe vetëm me një rrugë të zbrazët në Pekin.

Aktivitetet në SHBA për 30-vjetorin e masakrës

Më 4 Qershor në Capitol Hill, Washington, ish-studentë pjesëmarrës të protestave të Tiananmen, azilant politik në SHBA, desident të ftuar nga Kina, të ftuar nga organizatat anti-komuniste , dhe Shoqata Anti-Komuniste e emigrantëve kinez me qendër në Uashington, do të mbajnë një ceremoni përkujtimore për të përkujtuar 30-vjetorin e Masakrës së Sheshit Tiananmen në vitin 1989, me një vigjilje(ndezje) qirinjsh dhe ceremoni zyrtare përkujtimi.

Nga Shqipëria, e cila kaloi një nga regjimet më të egër komunist në botë, gjatë sundimit 45 vjecar të diktatorit Ener Hoxha, merr pjese një delegacion i kryesuar nga anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Simon Mirakaj. I cili është një ish i internuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, që jetoi në internim për 44 vite. I ati i tij u arratis nga regjimi ndërsa familjarë të tjerë, të afërmit e tij, u burgosën, u interrnuan dhe u pushkatuan për shkak të rezistencës ndaj komunizmit.

Gjatë kësaj ceremonie janë planifikuar edhe hapje ekspozite, shfaqje të video dokumentarve, filmave nga protestat e Masakrës së Sheshit në Tiananmen në vitin 1989, ekspozite me libra, revista e gazeta nga këto protesta, dhe do të prezantohet edhe shfaqja e portreteve të nënave, atyre që kane humbur fëmijët e tyre në Sheshin Tiananmen.