MENU
klinika

Video nga intervista

Mentor Nazarko: Veprimi i sotëm synon kërcënimin e Metës!

13.06.2019 - 22:13

“Data e 30 Qershor e zgjedhjeve është një datë që duhet respektuar. Sipas frymës kushtetuese, Presidenti Meta është dashur që takohet me pozitën dhe opozitën para se të vendosë për dekretin. Ndërsa ai vetëm e ka bërë atë pa u konsultuar me të tjerët”.

Njohësi i zhvillimeve politike, Mentor Nazarko, ka thënë se me veprimin e sotëm në Kuvendin e Shqipërisë është synuar kërcënimi i Presidentit Ilir Meta.

Nazarko nëpërmjet një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka treguar se Kuvendi nuk e ka mundësinë që ta hedhë poshtë dekretin e Presidentit Meta.

Më poshtë intervista e plotë:

Një analizë e situatës në Shqipëri lidhur me zhvillimet e fundit të Kuvendit për të rrëzuar vendimin e presidentit Ilir Meta mbi shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

-I nderuar çka nënkupton vendimi i Kuvendit për ta rrëzuar këtë vendim të Metës marrë parasysh edhe pozicionin e tij të luhatur karshi atyre paralajmërimeve që bëri Partia Socialiste për të nisur shkarkimin e tij.

Nazarko: Nuk besoj që Kuvendi ka mundësi ta hedhë poshtë dekretin e Presidentit ose çdekretimin e dekretit të tij të mëparshëm për datën e zgjedhjeve më 30 qershor. Ky është një dekret i cili mund të hidhet poshtë, mund të atakohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk është funskionale në Shqipëri. Ka një shkollë mendimi, ka disa interpretues juridik ose kushtetues të cilët thonë se, “jo”, mund të jetë Gjykata Administrative ose Kolegji Zgjedhor, ose Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që mund ta hedhin poshtë, por ky është interpretimi satrik ose ngushtësisht i kësaj që ka ndodhur. Me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, po shikojmë se po shkojmë drejt një përplasjeje institucionale e cila është e padëshirueshme edhe për vetë qeverinë sepse pamja që i krijohet vëzhguesve të jetës politike shqiptare nga jashtë është kaotike, qesharake e cila nuk na bën nder.

Në qoftë se shkojmë në këndvështrimin e interpretimit të asaj që ka bërë Presidenti, do të mund të thoja lirisht se ndonëse ai është një veprim i atakueshëm, i qortueshëm, kushtetutshmërisht, është një veprim që më kujton një këshillë nga pajtuesit e gjaqeve që vepronin në viset tona në veri kur ka qenë i përhapur fenomeni i gjakmarrjes: veprimi i parë që bënin ishin të shkonin në shtëpinë e të vrarëve, mundoheshin që të qetësonin ata.

Në këtë kuptim, veprimi i presidentit për të anuluar datën e zgjedhjeve ishte një “Komardare shpëtimi” kundrejt opozitës, që është në pozitë shumë të dobët ndërkombëtare, e atakuar, e sulmuar nga SHBA-të, BE-ja, pasi ka bërë një gabim të madh, ka dorëzuar mandatet; dikush e ka krahasuar me lojën e shahut kur njëri nga lojëtarët fal mbretëreshën

-Megjithatë, presidenti u arsyetua se vendimi i tij është i duhuri marrë parasysh situatën politike, pra një distancim i opozitës, dhe ajo frika e tij për prishjen e rendit kushtetues dhe në këtë rast…

Nazarko: Pikërisht, ai ka tentuar të vendosë një lloj ekuilibri: Njëlloj si në një peshore, ku nga njëra anë janë disa gurë të mëdhenj, nga ana tjetër janë disa të vegjël. Nëqoftëse, ti do tentosh të vendosësh ekuilibër, atëherë do tentosh të hedhëshh gurë aty ku peshorja ka shkuar në një anë. Kështu që, ky është veprimi i presidentit. Ai është përpjekur që të ekuilibrojë sadopak lojën. Kushtetutshmërisht, unë mendoj që është veprim i gabuar, por politikisht është një mundësi që presidenti ka dhënë për dialog. Është një mundësi që peshorja të ekuilibrohet sadopak.

-A e rrezikon tani poastin e tij, ose shkarkimin?

Nazarko: Unë nuk besoj që do të shkohet deri tek kjo, veprimi i sotëm i Parlamentit ka patur si qëllim vetëm që ta kërcënojë presidentin, ndonëse i bie të analizosh qëllimet, se pse shumica po e bën këtë, supozoj që qëllimi është për të tërhequr vëmendjen nga fakti që Bashkimi Evropian nuk do që t’ja çeli negociatat Shqipërisë edhe Maqedonisë.

-Në këtë pikë, është edhe shumica në Shqiëri ndoshta për ta ruajtur këtë stabilitetin politik, duke marrë parasysh atë përpjekjen për të marrë pozicion për të çelë negociatat, dhe ta mbajë në një farë mënyre edhe klimën politike të stabilizuar duke mos e shkarkuar?

Nazarko: E vërteta është që data e zgjedhjeve, 30 Qershori, është një datë që do duhej respektuar, mirëpo, gjendemi përpara faktit që presidenti e ka anuluar dekretin e tij. Do të duhej sipas frymës së Kushtetutës, që kur ai ta anulonte të kishte bërë negociata me partitë dhe të jepte një datë tjetër, ai ka bërë vetëm gjysmën e punës, pra nuk ka thirrur partitë, por vetëm ka anuluar.

E ka bërë këtë në atë ditë që i dërguari amerikan e ka sulmuar në një mënyrë të paprecedentë opozitën. Dhe për ta ekuilibruar lojën, vendosi t’i jepte një farë ndihme opozitës për të hapur mundësitë e dialogut. Dialogu është gjëja më e rëndësishme që Shqipëria duhet t’i tregojë botës. Pra, fytyra e dialogut, është gjëja më e rëndësishme.

Në këtë kuptim të gjithë palët duhet të ulin tonet, përfshirë këtu edhe shumica, dhe opozita duhet të heqë dorë nga një pjesë e kushteve të veta banale, vetëdëmtuese, në mënyrë të tillë që Shqipëria të tregojë se mund t’i zgjidhë krizat me fuqitë e veta.
Më bën përshtypje gjatë qëndrimit dy-ditor në Kosovë, i dërguari amerikan ka ndenjur në Kosovë, përveç pjesës festive, në formën e disa pushimeve, duke mos denjuar për të shkuar në Shqipëri. Mesazhi i tij me mos-shkuarjen në Shqipëri, tregon se duhet t’i zgjidhni vetë telashet banale që i krijoni për veten.

-Cfarë situate mund të pritet? Ju thoni se duhet të ketë zgjedhje, por cila mendoni se duhet të jetë situata tani?
A do kemi reagim tjetër të ashpër prej opozitës?

Nazarko: Nuk e besoj, opozita është në një situatë të dëshpëruar, pikërisht për këtë shkak se opozita është e tillë, në fund të peshores, presidenti Meta vendosi ta ndihmojë atë, pra është një veprim ekuilibrues. Opozita s’mund të bëjë asnjë veprim të dëshpëruar sepse ka kundër të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Është një qasje banale, vetëdëmtuese e gjithë faktorëve shqiptarë.

Z.Basha nuk është për fat të mirë z.Berisha që t’i kundërvihej herë pas here faktorit ndërkombëtar, apo ndonjë parti tjetër këtu në Kosovë.

Z. Basha e ka kuptuar që përballë një presioni të faktorit ndërkombëtar duhet të ulet në tryezë, ndërsa z. Rama duhet ta kuptojë se, megjithëse siç e thashë data 30 qershor kushtetuetshmërisht është një datë e ligjshme, e rregullt që duhet respektuar.

-Çfarë mendon se do të mund të ishte kompromisi mes palëve për ta tejkaluar? Një datë e re zgjedhjesh?

Nazarko: Shqipërisë, i nevojitet, njëlloj si Kroacisë, një model bashkëpunimi, i një kontrate politike të cilët dy palët zotohen që në emër të Bashkimit Evropian zotohen që të arrijnë disa reforma a ndryshime të mëdha, përshembull modifikimi i Kodit Zgjedhor, po ashtu i zgjedhjes së Presidentit, i proçesit të financimit të partive, ka shumë gjëra që Shqipëria duhet t’i korrigjojë, në emër të Integrimit Evropian, çeljes së negociatave, kjo është një sfidë gjeopolitike.

Nuk është normale që vendi i fundit në Ballkan, duke përjashtuar Kosovën që ka situatë pak specifike, apo Bosnjen që është një shtet multietnik i qartë, të jetë Shqipëria, pas Maqedonisë së Veriut.

Ne duhet të ndjekim shembullin e M. së Veriut, ajo është me të vërtetë një vend që ka treguar se i zgjidh mjaft mirë mosmarrëveshjet e veta.

Vend delikat me ekuilibra të brishtë, ka arritur brenda një viti të zgjidhë mosmarrëveshjen 30-vjeçare me Greqinë, atë me Bullgarinë, për gjuhën, për emrin, duke firmosur një traktat paqeje, ka ndryshuar Kushtetutën, ka arritur marrëveshje me opozitën, ka zhvilluar zgjedhje presidenciale normale, pa kurrëfarë konflikti.

-Megjithatë z. Nazarko ne pamë edhe publikimet gjermane sa i përket dosjes 339, për aludimin sa i përket shpërdorimit të votës, konsideroni që ky raportim i fundit i ka dhënë më shumë benzinë zjarrit në këtë situatë dhe pak a shumë a duhet që në këtë situatë që vetë pozita të jetë më….?

Nazarko: Po sigurisht, unë jam duke e thënë që qeveria duhet të ulë tonet, të mos ekspozohet në kritika ndaj presidentit se nuk është se fiton diçka më shumë, pavarësisht se Presidenti më këtë veprim që ka bërë është bërë palë me opozitën, por panorama politike është e çekuilibruar kur njëri faktor, qeveria është shumë e fortë elektoralisht apo për shkak të mbështetjes së ndërkombëtarëve, atëherë nuk mundet që tërë faktorët të shkojnë nga njëra anë, peshorja nuk mund të anojë nga njëra anë.

Në këtë mënyrë, qeveria duhet ta kuptojë që edhe urtësia prodhon, edhe një urtësi e tipit maqedonas prodhon, edhe një e ngjashme me atë që Rama tregoi në 2017-ën kur i dha gjysmën e qeverisë opozitës, drejtimin e atyre enteve kryesore nga të cilët bliheshin vota, prodhon vota, fuqi elektorale, askush nuk mund ta imagjinonte që ai Rama që bëri marrëveshjen e 2017-ës do të arrinte të fitonte zgjedhjet i vetëm.

Pamja që kam shquar këtu në Kosovë kur Matthew Palmer, njeriu më i rëndësishëm i administratës amerikane për Ballkanin, që çdo ditë udhëzon se çdo të bëjnë ambasadorët e të gjithë vendeve tona, rrinte këtu duke kaluar kohën i relaksuar, nuk shkonte në Shqipëri, pra, do të thotë që Perëndimi nuk ka ndërmend të përfshihet në krizën shqiptare, por ju thotë atyre zgjidheni vetë, dhe duhet ta zgjidhin vetë.

Pjekuria e një sistemi politik duket nga mënyra se si i tret vetë krizat që krijon, përndryshe nuk është sistem i pjekur.