I pyetur nga Adi Krasta, nëse Presidenti ka një “As nën mëngë”, Bledar Dërvishaj këshilltari ligjori i Metës tha se flitet për një proces që do të jetë ligjor.
Ai gjithashtu rikujtoi se çfarë parashikon Kushtetua në të tilla raste, teksa komentoi nismën e deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e Metës.
“Po, ka pasur një deklaratë për shtyp të kryetarit të grupit parlamentar të PS ku ka konfirmuar depozitimin e një kërkese të një numri të caktuar deputetësh për të kërkuar shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe për këtë jemi vënë në dijeni ne si institucion.
Që pas daljes së dekretit të Presidentit të Republikës, ditën e hënë para një jave, ku ai u shpreh me dekret për shfuqizimin e dekretit të mëparshëm dhe anulimin e procesit zgjedhor të planifikuar për 30 qershor pati një reagim politik, një aktivitet parlamentar.
Për sa i takon, ditën e enjte, seancën e kaluar pati një rezolutë e Kuvendit, ku ndër paragrafët e kësaj rezolute vlerësohej mundësia e inicimit të mekanizmit të hetimit parlamentar mbi procesin e shkarkimin të Presidentit të Republikës.
Brenda kësaj rezolute mbështetej KQZ për të anashkaluar aktin e Presidentit. Kështu që ishte e pritshme edhe sot kjo kërkesë.
As nën mëngë? Nuk mund të flasim për asa nën mëngë por flasim për një proces që do të jetë ligjor. Kushtetuta në nenin 90 parashikon mënyrën se si ndërmerret iniciativa për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Pra, një kërkesë që duhet të paraqitet nga ¼ e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo duhet të mbështet nga 2/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij dhe më pas do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse presidenti i Republikës ka kryer ose jo një shkelje të rëndë të Kushtetutës”, tha Dervishaj.