MENU
klinika

Dekreti i Presidentit

Meta “përçan” KQZ-në, mbahen apo jo zgjedhje më 30 Qershor?

10.06.2019 - 15:29

Katër anëtarët e zgjedhur nga Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka refuzuar të zbatojë dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Anëtarët e PS-së në KQZ kanë deklaruar se dekreti i Presidentit është i pavlefshëm dhe si i tillë, ata kanë vijuar mbledhjen normale të këtij institucioni.

Mbledhja është drejtuar nga Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, i cili ka thënë se sipas Kodit Zgjedhor, atij i takon e drejta për të ushtruar kompetencat e kryetarit.

Ndërkohë që më herët, kreu i KQZ-së, Klement Zguri është larguar nga mbledhja, pasi sipas tij anëtarët e këtij institucioni po i bëjnë sfidë dekretit të Presidentit, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur më parë.

Anëtarët e KQZ-së të zgjedhur nga PS kanë vijuar mbledhjen normale dhe kanë miratuar me katër vota pro projektvendimin për ndarjen e fondeve të partitë politike.

  • Qëndrimet e kundërta

Kryetari i KQZ-së Klement Zguri: Jemi në një moment sfide, pra kemi nga një anë dekretin e Presidentit dhe axhendën e njoftuar nga dy anëtarët të KQZ. S’më ka rënë rasti ndonjëherë që të vëmë në diskutim dekretin e Presidentit. Kanë qenë tre rastet kur Presidentët kanë çdekretuar datën e zgjedhjeve.

Unë mendoj që KQZ dhe unë personalisht, duhet ti bindemi një produkti të tillë, këtij dekreti. Jemi përballë këtij fakti, s’dua të gjykoj kompetencën e Presidentit, nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është i ligjshëm ose jo dekreti i Presidentit.

Vihem përballë një vështirësie tjetër, pra pika e dytë thotë që KQZ-ja të marrë masa për të zbatuar këtë vendim. Jam përballë një vështirësie, që refuzohet t’u dërgohet ky dekret partive politike. Kjo është fare banale, por duhet të ketë një vetë përmbajtje, dhe institucionet duhet të kuptojnë që respektimi i hierarkisë duhet zbatuar.

Nuk është KQZ organi që duhet të bëj vlerësimin e dekretit të Presidentit. Anëtarët e KQZ janë vullnet inferior në raport me Presidencën. Është një lloj sfide që i bëhet dekretit të Presidentit, nga dy kolegët e KQZ. Unë jam i detyruar që të çohem nga kjo tavolinë.

Nënkryetari i KQZ, Denar Biba: Presidenti refuzon të zbatojë urdhërimin që e detyron atë të caktojë datë zgjedhjesh. Sipas nenit 1 të Kushtetutës, qeverisja bazohet në sistem zgjedhjesh periodike, cdo katër vjet. Shfuqizimi i dekretit që përcaktonte datën 30 qershor është shkelje e hapur dhe flagrante e parashikimeve të mësipërme duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh dhe pa proces zgjedhor.

Ky dekret nuk sjell asnjë pasojë juridike, ai konsiderohet se nuk ekziston, cdo subjekt që ndesh një akt të tillë nuk i nënshtrohet rregullave të tij dhe nuk e merr parasysh. KQZ ka detyrimin të vijojë punën.

Në kundërshtim me nenin 108 të kodit të procedurave administrative, bie në kundërshtim me dispozitën urdhëruese të kodit. Bie ndesh me parimin e parashikuar nga neni 4 i kodit të procedurës administrative, sipas të cilit organet ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda kufijve të kometencave dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë këto kompetenca.

Presidenti ka diskrecion të caktojë një datë, por jo të shkojë përtej kësaj dhe akoma më keq të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Duke shfuqizuar sot dekretin e nëntorit vendi është pa datë zgjedhjesh.