Qeveria ka miratuar procedurën dhe afate të reja për individët në nevojë që kanë interes të përfitojnë nga programet e strehimit social.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave këtë të drejtë e ka çdo individ mbi moshën 18 vjeç, apo kujdestarët ligjorë në rastet e të miturve. Aplikimi dhe përzgjedhja e familjeve apo individëve do të bëhet në dy faza dhe e gjithë procedura do të ndiqet nga organet e vetëqeverisjes vendore ku janë të regjistruar.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet emergjente për strehim, që kanë të bëjnë kryesisht me fatkeqësi natyrore.
Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social, ndërsa në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit.
Aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën përgjegjëse për strehimin të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë në çdo kohë, sipas formatit të miratuar nga këshilli bashkiak dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave.
Në qoftë se kërkesa e aplikantit ka të meta dhe mangësi të të dhënave të kërkuara nga ky vendim, struktura përgjegjëse për strehimin, brenda 7 ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës, i kërkon me shkrim aplikantit të korrigjojë pasaktësitë, duke përcaktuar edhe afatin e nevojshëm për plotësimin e tyre.
Aplikantët që janë në kushtet e nevojës emergjente për strehim, që banojnë në banesa në rrezik shembjeje, në banesa që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në banesa që prishen për shkak të ndërtimeve të veprave publike, të cilët nuk përfitojnë kompensim financiar nga procedurat e shpronësimit, ose që kanë mbetur pa strehë për shkak të fatkeqësive natyrore, si dhe personat e pastrehë, paraqesin kërkesën dhe deklaratën, duke specifikuar edhe situatën në të cilën gjenden.
Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shqyrton menjëherë kërkesën dhe, brenda 24 orëve, verifikon situatën në terren, duke marrë dhe masat e nevojshme.
1.Aplikimi për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim, bëhet me dy faza.
Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social, sipas ligjit nr. 22/2018. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit.
2. Individi/familja paraqet kërkesën për të përfituar nga programet e strehimit social në çdo kohë, sipas formatit të miratuar nga këshilli bashkiak, bazuar në modelin që i bashkëlidhet këtij vendimi, si shtojca “A” dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave që i bashkëlidhet këtij vendimi, si shtojca “B”.
Për paraqitjen e kërkesave verbale, struktura përgjegjëse për strehimin mund të caktojë një orar të posaçëm brenda orarit zyrtar të punës së njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ky orar bëhet publik edhe në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
3. Aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën përgjegjëse për strehimin të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin që kërkesa të tilla të paraqiten pranë njësive administrative më të afërta me qendrën e banimit të personave që paraqesin kërkesën, duke përcaktuar edhe kompetencat e tyre në përputhje me legjislacionin për vetëqeverisjen vendore. Personat që ekzekutojnë dënimin penal me burgim mund ta paraqesin kërkesën pranë institucionit ku gjenden të ndaluar ose ku ekzekutojnë dënimin penal me burgim.
4. Aplikimet për përfitimin nga programet sociale regjistrohen dhe përpunohen nga strukturat përgjegjëse për strehimin në njësitë e vetëqeverisjes vendore në një sistem elektronik.
- Aplikimet mund të jenë:
a) në formë të shkruar;
b) në formë të shkruar elektronike në adresën e postës elektronike, që çdo njësi e vetëqeverisjes vendore bën publike për aplikimin për përfitimin nga programet e strehimit përmes njoftimit në faqen e saj të internetit dhe njoftimit publik;
c) në formë deklarate verbale para strukturës përgjegjëse për strehimin ose zyrës së qëndrimit me një ndalesë, kur ka të tillë, e që regjistrohet nga kjo strukturë apo zyrë.
5. Strukturat përgjegjëse për strehimin bëjnë përzgjedhjen e kërkesave pa të meta dhe i regjistrojnë sipas rendit kronologjik në sistemin e posaçëm elektronik.
Regjistri i kërkesave përmban informacionin që mundëson përpunimin e të dhënave, si më poshtë vijon:
a) Identitetin, emrin, atësinë, mbiemrin;
b) Numrin e kërkesës;
c) Datën e dorëzimit/paraqitjes së aplikimit;
ç) Objektin e kërkesës, përfshirë edhe preferencën e paraqitur për programin e strehimit social;
d) Numrin dhe emërtimin e dokumenteve që i bashkëngjiten kërkesës;
dh) Adresën e kërkuesit;
e) Përbërjen familjare në momentin e aplikimit;
ë) Statusin e punësimit;
f) Kushtin social, sipas nënndarjeve “i” deri në “xv”, të shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018;
g) Kushtin e strehimit, sipas nënndarjeve “i” deri në “vi”, të shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018;
gj) Kushtin familjar, sipas nënndarjeve “i” deri në “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018;
h) Kushtin ekonomik, ku evidentohen të ardhurat mujore të familjes, sipas përcaktimit të pikës 44, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018.
9. Në qoftë se kërkesa e aplikantit ka të meta dhe mangësi të të dhënave të kërkuara nga ky vendim, struktura përgjegjëse për strehimin, brenda 7 (shtatë) ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës, i kërkon me shkrim aplikantit të korrigjojë pasaktësitë, duke përcaktuar edhe afatin e nevojshëm për plotësimin e tyre.
Kur kërkuesi nuk plotëson pasaktësitë brenda afatit të caktuar, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet aplikantit.
10. Çdo individi/familjeje që paraqet kërkesën, në çdo rast, i lëshohet një vërtetim që konfirmon regjistrimin e kërkesës, objektin e saj, datën dhe listën e dokumenteve të bashkëlidhura, nëse ka të tilla, sipas formatit që i bashkëlidhet këtij vendimi, si shtojca “C”.
Ky vërtetim lëshohet edhe kur kërkesa paraqitet në formë elektronike ose me postë. Në rastet kur aplikimet janë verbale, aplikantit i lëshohet menjëherë një vërtetim për regjistrimin e aplikimit. Në rastin kur aplikimi bëhet me shkrim apo edhe elektronik, aplikantit i dërgohet në adresën e dhënë të komunikimit ose në adresën elektronike, nëse ai ka dhënë pëlqimin për përdorimin e një adrese elektronike për komunikim, vërtetimi për regjistrimin e aplikimit.
11. Strukturat përgjegjëse për strehimin ose zyra e shërbimit me një ndalesë ofron ndihmë aktive për plotësimin e formularëve të aplikimit për përfitimin nga programet e strehimit social për cilindo aplikues, duke u kujdesur veçanërisht për individët me aftësi të kufizuar në të parë e në të folur nëpërmjet interpretuesit të gjuhës së shenjave ose lehtësuesit të komunikimit, të moshuarit, personat që nuk kuptojnë gjuhën shqipe ose ata që nuk dinë shkrim e këndim, si dhe siguron që çdo individ/familje që ka vështirësi komunikimi, për shkak të gjendjes shëndetësore ose sociale, të marrë informacionin e ndihmën e nevojshme për këtë qëllim.