MENU
klinika

Analizë

Negociatat/ Kush na votoi pro dhe kundër në Luksemburg?

19.06.2019 - 16:24

Një vit më parë, Bashkimi Europian shtyu me 12 muaj hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ky skenar u përsërit edhe njëherë të martën në Luksemburg, në një mbledhje prapa dyerve të mbyllura, ku vendet anëtare raportohet të jenë përplasur ashpër për dhënien e dritës jeshile për Tiranën dhe Shkupin.

Nga njëra anë e tryezës duket se qëndronin vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, të cilat kanë kërkuar që Shqipërisë t’i jepet një shans, ndërsa nga ana tjetër ishin vendet më të mëdha të Europës Perëndimore, të cilat duket te kanë qenë kundër hapjes së negociatave me vendin tonë.

Pas një sërë diskutimesh për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, apo hapjes e bisedimeve vetëm më këtë të fundit, ministrat e BE-së duket të kenë arritur në një konsensus: shtyrjen e vendimit për të dyja vendet në tetor.

Por kush është pro dhe kush është kundër hapjes së bisedimeve me Shqipërinë?

Rumania, Çekia, Hungaria, Polonia, Bullgaria dhe Italia duket se ishin aleatët që i dolën në krah Shqipërisë, përballë kritikave të vendeve si Holanda, Franca, Danimarka apo Belgjika.

Ministri rumun për Cështjet Europiane George Ciamba tha pas takimit se vendi i tij kishte bërë gjithçka që kishte në dorë për të shtyrë përpara procesin e zgjerimit.

Jonahhes Hahn dhe ministri rumon George Ciamba

“Rumania po përpiqet të gjejë një rrugë tjetër, që do të jetë më angazhuese, konstruktive dhe në të njëjtën kohë do të mbajë ekuilibrin strategjik dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Europën. Stabiliteti i rajonit është një interes strategjik i Bashkimit Europian,” tha Ciamba.

Megjithatë ministri rumun u ndal në veçanti tek kriza në Shqipëri, duke thënë se shumë vende anëtarë nuk mundën të injoronin situatën politike në vendin tonë, e cila ndikoi në vendim e shumë shteteve skeptike për shtyrjen e datës së negociatave

“Shpresojmë që deri në tetor situata të përmirësohet për mirë dhe të ndryshojë mendimin e këtyre vendeve”, deklaroi Ciamba.

“Ky vendim është gjithashtu një lloj thirrje zgjimi për të gjithë në Shqipëri, qeverinë dhe opozitën,” deklaroi nga ana tjetër Komisioneri Johannes Hahn gjatë një konference për shtyp kur njoftoi shtyrjen e negociatave.

Ministri çek i Punëve të Jashtme Tomáš Petříček foli gjithashtu në favor të hapjes së bisedimeve të pranimit me Tiranën dhe Shkupin.

“Është e nevojshme të dërgojmë një mesazh të qartë se këto dy vende bënë mjaft reforma dhe plotësuan shumë kushte të kërkuara nga BE-ja. Tani është radha jonë të mbajmë me premtimin dhe të fillojmë bisedimet e pranimit”, tha Petříček para sesionit në Luksemburg.

Po ashtu edhe ministri hungarez Peter Szijjarto tha pas mbledhjes se ishte e turpshme që BE-ja nuk arriti të marrë një vendim për negociatat.

Ashtu siç edhe pritej në mbledhjen e Këshillit të BE-së, Holanda konfirmoi qëndrimin e saj si kundërshtarja më e madhe e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Përfaqësuesit holandez thanë se kanë dyshime serioze në lidhje me pranimin e vendit tonë në BE, për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por nuk është vetëm kjo arsyeja përse parlamenti holandez i sheh me sy kritik negociatat me Shqipërinë. Deputetët holandezë kanë paraqitur një kërkesë që Shqipëria të mbetet në pritje, ndërkohë që t’i jepet një datë konkrete Maqedonisë së Veriut për negociatat.

“Kam frikë se shkëputja e Shkupit dhe Tiranës tashmë ka ndodhur në parlamentin holandez”, tha një diplomat i lartë i BE.

Por shkëputja e dy vendeve në raundin e ardhshëm u refuzua kategorikisht nga Italia, që si vendi i drejtpërdrejt fqinjë me Shqipërinë në Adriatik e mbështeti fort anëtarësimin e vendit tonë. Një diplomat thotë se në mesin e shumicës së vendeve që mbështesin zgjerimin (deri në 15 qeveri), vetëm Italia këmbëngul që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë mos të shkëputet nga ai i Maqedonisë së Veriut.

Vendet që kërkuan fillimin e bisedimeve fajësuan Parisin, i cili shtyu publikimin e progres-raporteve vjetore të Komisionit Europian për më shumë se një muaj, deri pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian. “Ky vendim nxiti problemin e ‘kohës së kufizuar në dispozicion’ të përmendur në tekstin përfundimtar”, tha një diplomat i lartë nga Europa Juglindore për “Politico”.

Por Parisi nuk ishte i vetëm në favor të shtyrjes së bisedimeve në përpjekje për ta mbajtur këtë cështje larg fushatës zgjedhore europiane.

“Gjermania ishte mbështetëse ndaj qendrimit të përfaqësuesve francezë,” tha Hahn.

Vetë Franca argumentoi zyrtarisht se BE-ja duhet së pari të forcojë institucionet dhe vendimmarrjen e saj para se të nisë çdo proces për zgjerim të mëtejshëm.

Por Hahn kundërshtoi qëndrimin e Francës, duke pretenduar se kohezioni dhe zgjerimi i brendshëm i Europës nuk ishin procese të ndara “të cilat duhet të ndodhin njëra pas tjetrës”, por mund të ndodhnin paralelisht.

Një goditje e papritur ndaj Shqipërisë duket se erdhi nga Qiproja, e cila paralajmëroi se do të vinte veton ndaj çdo vendimi për zgjerimin, nëse BE nuk ndërmerr masa kundër Turqisë, e cila aktualisht është duke shpuar për gaz në det të hapur në brigjet e ishullit.

Qëndrimi i Nikozisë u kritikua nga ministri i Jashtëm italian Enzo Moavero Milanesi i cili i tha “Reuters” se çështjet e ngritura nga Qiproja “nuk kanë të bëjnë fare me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Nga ana tjetër, ministri gjerman për Europën, Michael Roth, e argumentoi qëndrimin e Berlonit me “po, por…”.

Bundestagu gjerman, miratimi i të cilit është i nevojshëm për hapjen e negociatave, ende nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, që të shqyrtojë rekomandimet e komisionit. Por edhe vetë Rothit iu desh ta pranojë, që të dyja vendet detyrat e fundit të shtëpisë, që iu ngarkuan prej ministrave vitin e kaluar, tashmë i kanë realizuar: “Për mendimit tim ato janë të realizuara”, tha ai.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) javën e kaluar u shpreh për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto vende kandidate, por ai u frenua prej partnerit të koalicionit në Berlin duke iu referuar nevojës së miratimit në Bundestag.

Shtyrja e bisedimeve për në tetor, ka zemëruar disa nga anëtarët e BE-së dhe zyrtarët e Komisionit Evropian. Ata argumentojnë se vonesa e këtij vendimi minon kredibilitetin e Bashkimin Europian dhe se e vë qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe atë të Zoran Zaev në rrezik si dhe rrezikon të rrisë rivalët strategjikë në Ballkanin perëndimor siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.

Shumica e diplomatëve që folën për “Politico”, pas takimit në Luksemburg thanë se prisnin që vetëm Maqedonia e Veriut të merrte dritën jeshile për bisedimet e anëtarësimit në tetor.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksti i dakorduar nga ministrat deklaron se “në dritën e kohës së kufizuar në dispozicion dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do të kthehet në këtë çështje me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe substancial sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori i vitit 2019. “

Ideja e zgjerimit të Bashkimit Europian është jopopullore në shumë vende anëtare të Europës Perëndimore, të cilët kanë frikë se hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën mund të çojë në rritjen e emigracionit.

Përfaqësuesja e Francës në takimin e së martës, ministrja e çështjeve evropiane Amelie de Montchalin, nuk pranoi të fliste gazetarëve. Por ministria e jashtme franceze tha para mbledhjes se ajo do të theksonte se “procesi i zgjerimit bazohet në kritere rigoroze dhe në meritat e kandidatëve për anëtarësim në BE, pa një afat kohor të paracaktuar”.

“Arsyeja që na është dhënë është se duhet të presim vendimin e Bundestagut, por kjo më duket qesharake. Ne do të kishim gjetur gjuhën e duhur nëse do të kishte një vullnet”, tha një diplomat i lartë polak.

Përshtypja e shumë diplomatëve të Europës Juglindore është se procesi i zgjerimit do të çohet përpara gjatë vitit të ardhshëm, por ata kanë kërkuar që BE-ja të gjejë një mënyrë e re për të afruar dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Vendet dhe zyrtarët në favor të zgjerimit të BE-së bënë çmos për të këmbëngulur që procesi i zgjerimit duhet të jetë përparësi”, tha një diplomat i lartë europian. Megjithatë pozicioni i disa shteteve anëtare po bëhet më i ftohtë, për të mos thënë armiqësor, për shkak të politikës së brendshme”, theksoi ai.

Cakaj: Vendimi i Këshillit pozitiv, asnjë kusht shtesë

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka konfirmuar edhe një herë arsyet pse vendimi i Këshillit në Luksemburg ishte për Shqipërinë pozitiv e i rëndësishëm. Ai tha se nuk ka asnjë kusht shtesë.

“Vendimi i djeshëm i Këshillit për Shqipërinë është i rëndësishëm për tre arsye kryesore: E para, Këshilli përqafon në tërësi Raportin e Komisionit që rekomandon hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë. E dyta, Këshilli ka bërë një trajtim pothuajse identik të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. E treta, Këshilli ka përcaktuar shprehimisht se vendimi i ardhshëm do të jetë ‘i qartë’ dhe ‘përmbajtësor’ për Shqipërinë, duke shmangur një situatë të papërcaktuar politike”, shprehet Cakaj.

Në postimin në rrjetin social Facebook Cakaj shkruan se shtyrja vjen si rrjedhojë e pengesave procedurale dhe se vonesa në publikimin e Raportit të Komisionit është duke u manifestuar në vonesën në vendimmarrje të Këshillit.

“Vetë Këshilli në konkluzionet e tij të fundit nënvizon se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, krahasuar me rëndësinë e çështjes, vendimi do të shtyhet për më së voni në tetor”, shkruan Cakaj.

Ministri në Detyrë Cakaj thekson se Shqipëria nuk është ngarkuar me asnjë kusht shtesë në rrugëtimin e saj evropian./ Gazeta Si