MENU
klinika

"Të zbardhen dosjet urgjente!"

Ngërçi në Gjykatën e Lartë/ Zaganjori: Paraqita prova!

25.06.2019 - 16:23

Kryetari në detyrë i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në një deklaratë për mediat tha se puna e Gjykatës së Lartë ka mbetur në vend, për shkak të procesit të vettingut.

Ai tha se janë mijëra dosje në pritje në këtë gjykatë. Zaganjori theksoi se iu ka dhënë urdhër gjyqtarëve që të merren më së paku me dosjet urgjente, me masat e sigurisë apo ekstradimet, të cilat janë edhe çështje më bazike

“Duhet që të vihet në funksion gjykata, që të trajtohen së paku çështjet urgjente. Ne po merremi me ruajtjen dhe administrimin e dosjeve. Të gjithë gjyqtarët i kam përgatitur që të trajtojnë tema urgjente.

Përpiqemi të bëjmë këtë punë që kemi mundësi. Ka dosje në Gjykatën e Lartë, që janë administrative, penale etj. Duhen të zgjidhen sa më shpejt çështjet e rëndësishme”, tha Zaganjori në fjalën e tij.

I pyetur nëse është i kënaqur me atë që po ndodh me drejtësinë, Zaganjori tha se është i vendosur të zbatojë ligjin.

Vetë Zaganjori tha se prej një viti vijon beteja e tij me institucionet e drejtësisë, pa u ankuar për zgjatjen e procesit.

Ai u shpreh se respektonte ligjin dhe se do vijojnte të priste deri në fund vendimin që do merrej për të.

“Unë respektoj ligjin. Jam në proces, përpiqem të bëj më të mirën. Por kini parasysh se hetimet janë të imtësishëm, bëhen fjalë edhe për një dok të thjeshtë që të merr disa muaj kohë për ta siguruar.

Sot paraqita një kontratë sipërmarrjeje të godinës ku jetoj, trashëguar nga familja e bashkëshortes. Ata kanë jetuar aty pre 200 vitesh. Unë mendoj që ato që paraqita janë prova”,- tha ai.

Zaganjori, kreu i Gjykatës së Lartë doli në KPK në 24 korrik të vitit të kaluar duke kaluar me sukses vettingun dhe procesin e rivlerësimit, por me rekomandim të ONM të cilët nuk ishin dakord për konfirmimin e tij në detyrë, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK dhe ka kërkuar shkarkimin e Zaganjorit.