MENU
klinika

Mbi 100 autorë - 1 500 tituj

Prishtina çel ‘panairin 21’ të librit

05.06.2019 - 14:41

    Panairi i 21-të i librit në Prishtinë, u çel sot, me një ceremoni të veçantë, për të vijuar deri më 9 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin përfaqësues të institucioneve, personalitete she shkrimtarë të shumtë.

Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se krejt ky organizim është meritë e Shoqatës së Botuesve.

Sipas tij, është jashtëzakonisht pozitiv fakti, se edhe literatura angleze po gjen vend në mesin e librave që ofron ky panair.

 

 

 

 

“Ju ftoj të gjithëve që të vizitoni dhe të blini libra e të lexoni, sepse ky është themeli për një shoqëri të shëndoshë”, – tha Ahmeti.

Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se është e jashtëzakonshme sesi këtë vit, Kosova feston 20-vjetorin e çlirimit teksa panairi shënon 21-vjetorin e tij.

Pas Tiranës, ai tha se panairi i dytë, më i rëndësishëm, është ky i Prishtinës.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli, tha se mbajtja gjallë e panairit të librit në një vend të vogël si Kosova, përbën kryelajm.

Me këtë rast, ai ftoi që të veprojnë të gjitha institucionet e vendit që të rrisin vëmendjen e tyre për bibliotekat.

 

 

 

 

“Gjatë panairit do të kemi aktivitete të shumta, janë të pranishëm më shumë se 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, me mbi 1500 tituj të rinj. Për neve, përkundër sfidave, kjo përbën ngjarje jashtëzakonisht të madhe”, tha ai.

Shkrimtari, Fatos Kongoli, u shpreh i kënaqur që në panairin e librit do të takojë shumë lexues nga Kosova

“Unë i detyrohem shumë Kosovës sepse jam ndier i mbështetur nga lexuesit dhe shkrimtarët e Kosovës. Kështu, shpresoj që edhe kjo herë do të më japë kënaqësi shumë të madhe”, – tha ai.

 

 

 

 

Ndërsa shkrimtari Juan Asensio, tha se ndihet i nderuar që është ftuar të marrë pjesë në çeljen e panairit të librit në Prishtinë.

“Në pëlqeu shumë fakti, që përmes përkthimeve keni një jetë kulturore shumë të pasur. I kam parë emrat e shkrimtarëve më të mëdhenj, këtu”, – është shprehur ai.

Në panairin e 21-të, janë pjesëmarrës rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, ndërsa numri i titujve të rinj, kap shifrën prej mbi 1 500 të tillë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN