MENU
klinika

Deklarata

“Procesi i votimit…”, delegacioni i BE apel të fortë politikës

28.06.2019 - 13:01

“Të shmanget dhuna më 30 qershor dhe votimet të kryhen në mënyrë të rregullt”, kështu është shprehur delegacioni i BE në Tiranë.

Përmes një deklarate publike, BE theksoi se është e domosdoshme që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Më tej, BE i ka bërë thirrje edhe palëve politike që të ulen në dialog dhe të shmangin retorikën nxitëse.

Deklarata e plotë:

Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimin që do të bëhet më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt.

Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen.

Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e qetë dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhet të mbahen këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm ose ndonjë formë nxitjeje për dhunën është absolutisht e papranueshme në asnjë rrethanë.

Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën nxitëse. Procesi i votimit do të monitorohet nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE / ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që të përqëndrohen përpjekjet e tyre në ruajtjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformës në rrugën e saj të integrimit në BE.