MENU
klinika

Mbyllet protesta e dhunshme e opozitës

Basha me paralajmërim të fortë: Hera e fundit që përdorim arsyen!

02.06.2019 - 17:47

Ora 22:54/ Konfirmohet/ Kryesia e PD-së vendos për protestën e ardhshme

Pak pas mbylljes së protestës së shtatë kombëtare, opozita ka vendosur datën e protestës së ardhshme.

Mësohet se protesta do të jetë më 8 qershor.

Më herë Basha ka thirrur mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, Kryesisë, Kryetareve të bashkive dhe grupit parlamentar.

Ora 22:49/ “Dhuna, zanati yt i pështirë”/ Lleshaj i kujton Bashës 21-Janarin

basha lleshaj
basha lleshaj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i është përgjigjur kreut të PD-së Lulzim Basha që në mbyllje të protestës e quajti “zuzar dhe sadist” me një postim në Twitter.

Lleshaj thotë se Basha që në 21 janar 2011 vrau 4 qytetarë të pafajshmë sot plagosi shumë policë.

Ministri i kujton një shprehje të Patër Anton Harapit, ndërsa i thotë se dhuna është zanati i tij i pështirë.

“Lulzim Basha, që në 21 janar 2011 vrau 4 qytetarë të pafajshëm dhe plagosi dhjetëra të tjerë me armë zjarri, sot plagosi shumë policë të Shqipërisë. Një tipi të tillë, Patër Anton Harapi i thoshte: ‘Krushkamadh e hollë e i gjatë, rri n’zanat që t’la yt atë’. Dhuna dhe mendja është zanati yt i pështirë”, shkruan Lleshaj në Twitter.

Ora 22:45/ Mbyll protestën, Basha mbledh strukturat e PD-së

Pas fjalës së kryetari të opozitës Lulzim Basha dhe përmbylljes së protestës së 2 qershorit, partia Demokratike pritet të mbledhë strukturat e larta politike për të vendosur rreth hapave që do të ndërmarrë opozita.

Burime nga PD bëjnë të ditur se Basha ka thërritur mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, Kryesisë, Kryetareve të bashkive dhe grupit parlamentar në orën 22.30.

Po ashtu mësohet se Lulzim Basha do të niset sot për një udhëtim drejt Gjermanisë, ku pritet të takohet me krerët e lartë të Bundestagut gjerman dhe me faktorët e rëndësishëm politik.

Ora 22:33/ Ambasada amerikane dënon dhunën, thirrje opozitës për dialogun

Ambasada e SHBA dënon dhunën në protestën e sotme të opozitës dhe iu bën thirrje organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog.

Reagimi i plotë:

Ambasada e SHBA dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte.

Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht.

Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik.

Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.

Ora 22:19/ Paralajmërimi i Bashës: E fundit herë me argumentet e arsyes!

Kreu i PD, Lulzim Basha, ka mbledhur pranë selisë blu protestuesit duke mbyllur kështu protestën e shtatë.

Ai falënderoi protestuesit për qëndresën dhe theksoi se sot është dita e fundit ku flet me argumentet e arsyes, pasi në protestën e radhës fjalën do e ketë sovrani.

“Po i them sot Ramës dhe Lleshajt se do mbani pergjegjesi para ligjit, asgjë nuk harrohet dhe fshihet, përpjekja juaj tinzare për t’i faturuar dhunë protestës, do të marre përgjigje”, u shpreh Basha ndërsa tha se kanë mbetur të lënduar disa protestues.

“Fjalën do ta ketë vetëm sovrani. E gjithe bota e di që ky është një pushtet i marrë nga dhuna e krimit. Ne nuk pranojmë pushtet të marre me dhunë, harrojeni se do ta mbani pushtetin me dhunë, kthejani sovranit atë që i keni marrë, hapini rrugën zgjedhjeve të lira si e vetmja zgjidhje”, deklaroi kreu i PD.

“Dua t’ju përsëris zotimin tim: nuk kërkojme asgjë më shumë por nuk do të pranojmë asgjë më pak se Europa”, e mbylli ai fjaleën para protestuesve.

Ora 21:57/ 7 policë të plagosur/ Lleshaj: Do të ketë përgjegjësi para ligjit

Ka reaguar sërish përmes një postimi në twitter ministri i brendshëm Sandër Lleshaj.

“Ka mbërritur në 7 numri i policëve të plagosur nga sulmi i militantëve të Lulzim Bashës. Për këtë do të ketë përgjegjësi përpara ligjit.” – shkruan Lleshaj.

Ky është reagimi i tretë i ministrit Lleshaj brenda pak orësh, nga nisja e përshkallëzimit të protestës.

Më herët Lleshaj apeloi kryedemokratin Lulzim Basha të ndalojë sulmet ndaj policisë.

Ora 21:51/Ambasada britanike “fajëson” liderët e protestës: Jo dhunë!

Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar me një mesazh të fortë për protestën e opozitës së bashkuar, e cila nisi paqësisht tek Kryeministria por krijoi tensione tek Parlamenti.

Ambasada deklaron se nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore duke theksuar se është përgjegjësia e liderëve për të ruajtur të sigurt dhe ligjore protestën.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar paqësisht. Nuk ka vend për dhunë apo shpërthime me eksploziv në një protestë paqësore.

Liderët e protestës kanë përgjegjësinë të mbajnë të sigurt dhe ligjore demonstratat dhe policia ka përgjegjësinë të përgjigjet në proporcion për të ruajtur rendin publik.

Në të mirë të gjithsecilit një protestë të sigurt dhe paqësore duhet të jetë prioritet”, deklaron ambasada britanike.

Ora 21:38/ Protestuesit sulmojnë me fishekzjarre, Policia reagon me gaz lotsjellës

Vazhdon të jetë e tensionuar situata para godinës së Parlamentit.

Protestuesit e opozitës vijojnë të hedhin fishekzjarrë edhe kapsolla në drejtim të forcave të Policisë.

Ndërkohë që nga hedhja e mjeteve piroteknike kanë mbetur të lënduar një operator i mediave private dhe një protestues, të cilët kanë pësuar dëmtime në gjymtuare.

Protestuesi është shoqëruar në spital, ndërkohë që kameramani vazhdon të qëndrojë në krye të detyrës.

Ndërkohë që ministri Lleshaj ka bërë të ditur se një efektiv policie ka mbetur i dëmtuar nga sulmi me mjetet piroteknike.

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Policia e cila ka nisur sulmin me gaz lot sjellës drejt protestuesve, duke bërë thirrje gjatë gjithë kohës për distancim nga dhuna.

Ora 21:29/ Pas betejës, vjen reagimi i parë nga Policia: Ruani qetësinë, po rrezikoni policët!

Policia, po bën vazhdimisht thirrje në megafon drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës për të mos hedhur lëndë piroteknike pasi po rrezikohet jeta e policëve.

“Te nderuar qytetarë,
Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë.

Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla, tymuese dhe sende te forta në drejtim të punonjësve të Policisë.

Hedhja e kapsollave, sendeve te forta dhe lëndëve piroteknike po rrezikon jetën e punonjësve të Policisë
Të nderuar organizatorë të tubimit: I nderuar zoti Lulzim Basha dhe z. Gazmend Bardhi

Merrni masa të menjëhershme që protestuesit te nderpresin veprimet e dhunshme. Po demtoni e rrezikoni jeten e punonjesve te policise.

Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike, sendeve te forta në drejtim të Policisë”, është thirrja e policisë..

Ora 21:17/ Alarm mes protestuesve, mbetet i plagosur një i djalë i ri

Një protestues ka mbetur i plagosur tek parlamenti.

Protestuesi, një djalë i ri siç shfaqet në lidhje live është plagosur në këmbën e majtë dhe ka hemorragji.

Nuk dihet nëse protestuesi është plagosur nga sendet e forta të hedhura nga protestues të tjerë apo nga policia.

Protestuesit pretendojnë se është qëlluar me plumb.

Personi i plagosur ka pasur gjendje të fikëti por më pas është përmendur.

Ora 21:07/ Lleshaj i drejtohet Bashës: Ndal sulmin!

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaron se një oficer policie është dëmtuar nga mjetet shpërthyese në protestë.

Në një postim në “Twitter”, Lleshaj shkruan se drejtuesit e protestave duket se kanë financa të mëdha por dhe vullnet për të goditur forcat e rendit.

“Një oficer policie është dëmtuar nga mjetet e ndaluara shpërthyese që hodhën protestuesit. Drejtuesit e protestave duket se kanë financa të mëdha për të blerë mjete shpërthyese të ndaluara, por edhe vullnet të plotë për të goditur forcat e rendit”, shkruan Lleshaj.

Ai i bën thirrje më tej kreut të PD-së të ndalë sulmin ndaj policisë.

“I bëj thirrje Lulzim Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit!”, shkruan Lleshaj.

Ora 21:12/ Tensionohet situata/ Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje

Pas tensioneve të regjistruara në protestën e opozitës së bashkuar Presidenti i Republikës, Ilir Meta apelon për vetëpërmbajtje.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe Provokimeve” apelon Meta përmes një deklarate për mediat.

Ora 20:58/ Situata del nga kontrolli, para Kuvendit një “situatë lufte”

Tym e kapsolla tek parlamenti, ku është krijuar një situatë e tensionuar.

Protesta e opozitës është zhvendosur tek Parlamenti. Protestuesit dhe kreu i PD kanë marshuar nga bulevardit tek Kryeministria për të shkuar tek rruga para Parlamentit.

Ndërkohë që policia ka marrë masat e saj.

Një numër i madh efektivësh janë rreshtuar para hyrjes së parlamentit. Kujtojmë se policia nuk i ka dhënë leje opozitës të zhvendosë protestën e saj.

Situata tashmë është e ndezur. Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe tymuese por nuk ka përplasje. Ndërkohë që FNSH-të janë në gatishmëri ashtu si botet e ujit.

Por ndërsa protestuesit hidhnin kapsolla, një operator televiziv ka ngecur brenda oborrit dhe është shtrirë në tokë.

Mësohet se ai ka rënë në tokë pasi është lënduar në këmbë.

Ora 20:45/ Protesta e opozitës tejkalon kufinjtë, jehonë ndërkombëtare

Mediat ndërkombëtarë i kanë bërë jehonë protestës së sotme masive të opozitës së bashkuar në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

Gazeta amerikane New York Times, Washingon Post, etj, shkruajnë se mijëra shqiptarë kanë dalë sot në shesh për të kërkuar zgjedhje të reja parlamentare.

“Mbështetësit e opozitës u mblodhën të dielën në ndërtesën kryesore të qeverisë duke akuzuar kryeministrin Edi Rama të Partisë Socialiste, të qendrës së majtë, për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ata duan që Rama të japë dorëheqjen dhe një kabinet i përkohshëm për ta marrë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare”,- thuhet në raportimin e televizionit amerikan FOX NEWS.

Gjithashtu edhe seksioni shqip i Zërit të Amerikës, ka transmetuar live protestën e opozitës, përmes faqes së saj në Facebook.

Ora 20:36/ ‘Bastiset’ Kryeministria, Basha zhvendos protestën

Pas mbylljes së fjalës së kreut të PD-së, Lulzim Basha, para Kuvendit, ai ka tërhequr turmën drejt Kuvendit të Shqipërisë.

Kujtojmë që Policia kishtë dhënë leje vetëm për protestën para Kryeministrisë dhe jo për marshim.

Megjithatë, tashmë Basha ka spostuar turmën e cila po marshon drejt Ministrisë së Brendshme, e më tej drejt Kuvendit.

Ora 20:23/ Tentohet të çahet kordoni, Basha: Mos i prekni policët!

Tensionohet situata tek Kryeministria, ndërsa disa protestues tentojnë të çajnë kordonin e policisë duke tërhequr gardhin metalik.

Lulzim Basha u ka bërë thirrje atyre që të mos i prekin policët.

“Mos prekni asnjë efektiv policie, ata nuk e thonë por e mendojnë si ne thirrjen Rama ik

Vëllezër e motra mos lëndoni asnjë officer dhe efektiv policie. Mos prekni asnjë officer policie. Vëllezër dhe motra, mos i prekni me dorë, sepse hiq dy a tre servilë të inkriminuar. Edhe pse buzët e tyre nuk e thonë dot, mendjet e tyre e mendojnë. Unë i njoh këta burra dhe gra, kam punuar me ta, kemi mundur drogën, kemi hequr vizat. Ata nuk flasin por shpirti i tyre këndon: Rama Ik”, u shpreh ai.

Ora 20:10/ “Kufomë politike”/ Basha: Një bashkim i paparë i shqiptarëve të vjedhur

Një bashkim të paparë asnjëherë e ka konsideruar kryedemokrati Lulzim Basha tubimin e sotëm përpara Kryeministrisë.

Në fjalën e tij në protestën e opozitës së bashkuar Basha u shpreh se ky bashkim popullor, është bashkimi i shqiptarëve të vjedhur, të shtypur, të dhunuar, të nëpërkëmbur të mashtruar, tradhtuar nga një bandë kriminale që nuk mund të jetë qeveria e Shqipërisë.

“Bashkim i paparë asnjëherë. Jemi mbledhur dhe kemi kthyer në sukses këtë energji e vendosmëri. Dua t’ju shpreh mirënjohjen time, por kam nderin e privilegjin t’ju shpreh mirënjohje në emër të gjithë shqiptarëve për këtë Asamble të paparë e të padëgjuar të lirisë e demokracisë. Të mbledhur kaq të vendosur të prere që sot ushton për ta dëgjuar e gjithë bota, Rama ik.

Ky bashkim popullor, është bashkimi i shqiptarëve të vjedhur, të shtypur, të dhunuar, të nëpërkëmbur të mashtruar, tradhtuar nga një bandë kriminale që nuk mund të jetë qeveria e shqipërisë dhe një kryehajdut, i të gjitha kohërave. Le ta dëgjojë deri në bunker zërin tuaj, vendimin tuaj : Rama ik..

Sot endet nëpër Shqipëri kufoma politike e njeriut më të urryer që nga diktatura. Rama është njeriu që u kap duke vjedhur votat e shqiptarëve me banditët më famëkeq, sot duhet të ishte para drejtësisë, për vjedhjen e pushtetit që ju takon ju e do ta merrni mbrapsht me cdo kusht e cdo çmim. Rama ik është sot kushtrim i vogëlushëve nga Saranda në shkodër, Durrës e Tiranë, shkolla e kopshte, Rama ik është te cdo fëmi që sot jeton në pamundësi ekonomike se Rama i mbylli bizneset prindërve, i largon nga vendi i tyre në kurbet në kërkim të një pune.

Sot kushtrimi juaj është kushtrim i gjithë fëmijëve të Shqipërisë, rinisë shqiptare, që e ka mbushur këtë shesh me energjinë më të madhe e mahnitëse, që ka parë Europa. Ju shpresë e këtij vendi, brezi i parë europian i shqiptarëve, e ka bërë të pamundur, jetën për ju duke ju detyruar të ballafaqoheni me krizën më të lartë të arsimin, punësimit, ju ka zbehur cdo ëndërr. Rama ik, është në buzët e rinisë shqiptare, sepse Rama shet gjithçka për pasurinë e tij.

Bashkë me ta janë edhe pedagogët, elita e mendjes dhe shpirtit të shqiptarëve që janë trajtuar nga Rama si armiq, se janë të dashuruar me dijen e duan ta cojë Shqipërinë para drejt Europës.” u shpreh Basha.

Ora 20:02/ Sulmi i parë drejt Kryeministrisë, hidhet bojë, efektivi humb ndjenjat

Ka nisur tashmë protesta kombëtare e opozitës, me në krye kreun e Pd-së Lulzim Bashën.

Protestuesit kanë ndezur sheshin me anë të shashkave dhe tymit, si dhe si nëçdo protestë nuk ka munguar as sulmi me bojë drejt Kryeministrisë.

Një efektiv i policisë ka humbur ndjenjat ndërsa ndodhej në detyrë para Kryeministrisë.

Mësohet se polici ndodhej në rreshtin e parë para kryeministrisë kur është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.

Ai është marrë në krahë nga kolegët e tij, të cilët e kanë larguar nga rreshti drejt ambulancës.

Ora 19:53/ Kryemadhi ‘braktis’ protestën, kthehet në krye të detyrës Sahit Dollapi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi nuk do të jetë në protestën e shtatë kombëtare të opozitës.

Burimet nga LSI bëjnë me dije se Kryemadhi ndodhet jashtë vendi për një vizitë pune.

Ndërkohë protesta e sotme e opozitës ka rikthyer në krye të detyrës Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi.

Pas rikuperimit shendësor, Dollapi si duket ka rimarrë veten nga dhuna e policisë e ushtruar ndaj tij protestën e 12 majit.

Dollapi është vendosur në të njëjtin pozicion si protestat e kaluara mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Ora 19:18/ Qytetarë të rretheve, “ushtria” e Unazës së Re dhe yjet e BE-së në protestë

Banorët e Unazës së Re të radhitur në rreshta e me jelekë portokalli, me në krye ish-deputetin e PD Klevis Balliu kanë nisur rrugën drejt Kryeministrisë.

Dhjetëra banorë me flamurin kombëtar në krye dhe një pankartë gjigande janë nisur më këmbë drejt Bulevardit nga Unaza e Re.

Ata do t’iu bashkohen protestuesve të tjerë në bulevardin kryesor të Tiranës, para godinës së Kryeministrisë.

Ata thërrasin “Rama ik” në kor, ndërsa në pankartë shkruhet ndër të tjera “Fitorja është afër”.

Banorët e Unazës së Re protestojnë prej rreth 8 muajsh pasi shtëpitë dhe bizneset e tyre do të prishen për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Ora 19:04/ Mblidhen protestuesit, simboli i të rinjve sot

250 të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike do të jenë ruajtësit në protestën e opozitës.

Mësohet se të rinjtë janë vendosur shirita të bardhë në krahë në shenjë paqe për të siguruar qetësinë dhe për të mos lejuar konfrontimin e protestuesve me policinë.

Ndërkohë, në duart e protestuesve të parë janë parë tollombace me mbishkrimin “Rama ik”, të cilat pritet të lëshoen në qiell njëlloj si në protestën e 25 Majit me balonat.

Brenda pak minutash pritet edhe nisja e protestës, ku sipas PD-së do të jenë të pranishëm rreth 65 mijë qytetarë.

Njësoj si që nga 16 shkurti, kërkesa kyçe e protestave të opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe hapja e rrugës për një qeveri tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Ora 18:35/ Zbardhen shifrat/ 65 mijë qytetarë para Kryeministrisë

Pak minuta para nisjes së protestës, kanë dalë edhe shifrat e para të pejsëmarrësve nga opozita.

Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se kanë mbërritur ose janë rrugës për në Tiranë rreth 65 mijë qytetarë. Ata do të marrin pjesë në protestën përpara kryeministrisë, e cila do të nisë në orën 19:00.

Parashikimet për pjesëmarrjen në protestë janë disi më të larta se ajo e 25 majit, ku llogariteshin rreth 62 mijë protestues nga rrethet, pa llogaritur qytetarët e qarkut të Tiranës, të cilët, sipas strukturave organizative të Partisë Demokratike, janë zemra e protestës.

Njësoj si që nga 16 shkurti, kërkesa kyçe e protestave të opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe hapja e rrugës për një qeveri tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Qarku Durrës – 9850 qytetarë
Qarku Kukës – 4100 qytetarë
Qarku Shkodër – 9600 qytetarë
Qarku Dibër – 3550 qytetarë
Qarku Lezhë – 7400 qytetarë

Qarku Korçë – 4600 qytetarë
Qarku Berat – 3050 qytetarë
Qarku Fier – 5800 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2400 qytetarë
Qarku Elbasan – 8200 qytetarë
Qarku Vlorë – 5250 qytetarë

Protesta pritet të nisë zyrtarisht rreth orës 19.15-19.30 dhe folësi kryesor i saj do të jetë Kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Ora 17:47/ Protesta e opozitës/ Policia vë kufij në kohë dhe hapësirë

Opozita do të protestojë sërish sot kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

E teta protestë kombëtare e thirrur nga opozita që doli nga parlamenti duke djegur mandatet në fund të shkurtit me kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, partitë opozitare me në krye PD-në kërkojnë largimin e kryeministrit dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që do e përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme që do i hapin vendit rrugën e integrimit.

Mijëra qytetarë janë nisur nga rrethet për t’u mbledhur para Kryeministrisë në orën 19:00. Pak orë para nisjes së kësaj proteste, lideri i opozitës Lulzim Basha iu ka bërë thirrje qytetarëve të vijnë në protestë pasi sipas tij vetëm vota e lirë do të sjellë një qeveri që iu shërben njerëzve.

Për protestën është parashikuar që 1700 efektive policie të jenë në gatishmëri. Partia Demokratike ka kërkuar një marshim protestë nga ora 19:00 deri në mesnatë, ndërsa policia i ka kthyer shkresë se e lejon të protestojë vetëm para godinës së Kryeministrisë tek bulevardi “Dëshmoret e Kombit” dhe deri në orën 21:00.

Ashtu siç dhe në protestat e mëparshme, në dispozicion të policisë do të jenë edhe makina të zjarrfikëseve, ambulancat, si dhe kamerat e sigurisë për të vrojtuar ecurinë e protestës dhe incidente të mundshme gjatë saj.

Edhe këtë herë, nuk do mungojnë as autobotet specialë të përdorura nga policia, e cila lëshon ujë dhe gaz dhe ka si qëllim shpërndarjen e turmës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN