MENU
klinika

Kristo Floqi

Pse të anatemohen e shkishërohen autorë të tillë?

04.06.2019 - 11:48

     I lindur më 1876, e shohim të emigrojë që në moshë të re në SHBA, në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli, atëherë kur edhe shumë të rinj, si Sotir Peçi, Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Mihal Grameno dhe shumë të tjerë po mbushnin radhët e diasporës shqiptare të Amerikës, të inkuadruar nëpër shoqëritë patriotike të atjeshme, pas asaj të pararojës “Malli i Mëmëdheut”, krijuar më 1904 në Xhemstaun nga Petro Luarasi. Shumë shpejt, Kristo Floqi, shquhet si në fushë të publicistikës, ashtu edhe në çështjet organizative të diasporës shqiptare.

 

 

 

 

Për këtë, ndër të tjera, flet edhe një letër e Aleksandër Xhuvanit drejtuar nga Kajro më 10.11.1911 Sotir Kolesë, ku i thotë: “Z. Vruho asht këtu, kishte marrë një letër nga z. Floqi, drejtori i “Diellit”, ku i shkruan se në mbledhjet e Shoqërisë “Besa-Besën” kishin biseduar dhe çështjen e bashkimit të të gjithë shoqërive të atjeshme në një qendër e komitet”. Në të vërtetë, mbledhja e përgjithshme shqiptare, që u mbajt në Boston, në dhjetor 1911, për bashkimin e të gjitha shoqërive shqiptare e zgjodhi pjesëtar të komisionit, bashkë me Fan Nolin, Faik Konicën dhe Paskal Aleksin. Më 28 prill 1912, themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”. Pra, Floqi është një nga të katër themeluesit e kësaj organizate, e cila do të luante një rol të madh për çështjen kombëtare shqiptare. Ndërkohë, Floqi, kishte filluar edhe krijimtarinë e tij letrare, gjë që shprehet edhe në një letër që Kristo Luarasi i dërgon Asdrenit nga Sofja, më 12.4.1912, në të cilën e njofton edhe se ka filluar të shtypë në shtypshkronjën e vetë disa libra të Kristo Floqit.

Si intelektual i formuar dhe doktor në jurisprudencë, kontributi i tij është mjaft i ndjeshëm pas mbarimit të luftës së Parë Botërore. Ndihmesat e tij janë të shumanshme, në letërsi e publicistikë, në politikë e drejtësi. Në vitet 1919-1923, drejton të përkohshmen “Agimi” dhe, më pas, më 1925, ka botuar në Tiranë gazetën “Indipendenca shqiptare”. Ndërkohë bën pjesë në kabinetin e Iliaz Vrionit, qysh nga 19 nëntori i 1919-ës deri më 1 korrik 1921 dhe deputet i legjislaturës së parë, që filloi më 21.4.1921, si edhe ka pasur funksione të tjera shtetërore si gjyqtar i Diktimit etj. Ai ka vdekur më 1951, pra në moshën 75-vjeçare, në varfëri e mjerim të plotë.

 

 

 

 

Vjershat e K. Floqit ishin përmbledhur në librin “Shkëndija ose Antologji shkollore”, botuar në Vlorë më 1923. Është fjala për rreth 105 vjersha, elegji, fabula etj., që të gjitha me karakter patriotik dhe edukativ. Një tufë e këtyre vjershave janë elegji kushtuar atdhetarëve e dëshmorëve, si Naim e Sami Frashëri, Themistokli Gërmenji e Babë Dudë Karbunarës, Bellkamenit e Negovanit, Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit etj.

Vjershat “Flamuri jonë”, “Duaj Atdhenë”, “Valo flamur”, “Indipendenca jonë”, “Tomorri” etj. mbeten të paharruara.

Megjithatë, vendin kryesor në krijimtarinë e tij letrare e zë dramaturgjia. Veprat e tij në dramë e në komedi, për kohën që janë shkruar kanë dhënë një kontribut të vlefshëm dhe kanë pasqyruar mendimet përparimtare të letërsisë së viteve të pavarësisë, një pjesë e të cilave nuk e kanë humbur aktualitetin. Le të kujtojmë dramën e mirënjohur: “Fe e kombësi”, të cilën e analizoi Kristaq Shtëmbari në artikullin “Drama e fajit të pamerituar” (“Drita”, 22.11.1992). Kjo dramë historike zuri vend të nderuar në repertorin e shfaqjeve teatrale të viteve ’30-të në mjaft qytete të vendit, deri edhe në qytetin e vogël të Përmetit. Por, jo pa vlerë janë edhe dramat e tij historike: “Karl Topija”, “Pirro Neoptolemi”, “Skënderbeu n’Itali”, “Qyprilinjtë” etj., që të gjitha me frymë kombëtare. Mesazhet që këto drama historike sjellin për bashkimin e kombit, nuk ka dyshim që i shërbejnë edhe kohës së sotme.

Një vend të veçantë, në krijimtarinë dramaturgjike të Floqit, zënë edhe seria e komedive të shkurtra apo pjesëve komike me një akt, qofshin origjinale apo përshtatje. Janë të shumta: “Akraballëqet”, “Pësimet-mësime”, “Reklamë e blof”, “Vëllazëri e interesë”, “Rrogat e nëpunësve”, “E bija e bankierit”, “Merre ta marrim”, “Dhëndër me përdhuni” dhe mjaft të tjera, disa prej të cilave, kur ishim të rinj, organizonim shfaqjen e tyre, sidomos për fëmijët. Në këto pjesë, personazhet janë marrë nga jeta e përditshme, ku shtrohen probleme të diktuara nga vetë realiteti historik i atëhershëm dhe jo pa rezonancë edhe për të sotmen.

 

 

 

 

Si studiues e jurist, K. Floqi ka botuar edhe një sërë tekstesh me karakter politiko-juridik apo historiko-etnografik, si p.sh. veprat “E drejta themelore”, “Elementë të Ekonomisë Politike”, “Administrata”, “Një predikim mbi patriotizmë e nacionalizmë”, “Kosova-Serbi e vjetër!” (studim etnografik) etj.

Përse duhen anatemuar e shkishëruar autorë të tillë, që veprimtarinë atdhetare e krijuese e kanë filluar qysh në kohë të robërisë osmane? Për një pjesë të mirë të atij brezi, sigurisht ka qenë fitore dhe plotësim i ëndrrës fisnike të tyre, që vendi të çlirohej nga robëria shekullore, që të bëhej Shqipëria shtet më vete, pa s’kishte ndonjë rëndësi të veçantë se ç’formë qeverimi do të kishte republikë apo monarki. Edhe përmes vjershave të Floqit, spikat entuziazmi i autorit që agoi liria, që u krijua Shqipëria etj. Kështu, fjala vjen, mund të shpjegohet përse atdhetari Hil Mosi u bë ministër në kohën e monarkisë, përse Mihal Gramenoja librin e tij me kujtime “Kryengritja shqiptare” ia përkushtoi mbretit e kështu me radhë.

Mandej, atdhetarët e krijuesit duhen gjykuar me syrin e kohës që kanë jetuar, me rrethanat në të cilat kanë vepruar e krijuar. Pas gjithë këtyre dhjetëvjeçarëve të mospërfilljes së Floqit dhe veprës së tij, për “faje” që, shikuar në frymën e kohës së sotme, duken vërtet të pamerituara, nuk ka rrugë tjetër, veçse t’i jepet “pafajësia” këtij autori dhe krijimtarisë së tij. Kështu, fondit të traditës do t’i shtohej edhe një autor jo pa vlerë./Konica.al