Më vjen mirë që mund të them disa fjalë, këtu para jush, për akademik Rexhep Meidanin dhe për librin e tij më të ri Rendi global dhe Shteti-komb.
Kjo në të vërtetë është vepër e bazuar në veprën e tij të mëhershme Kurthet e shtetit-komb, të botuar e të përuruar nga Shtëpia botuese TOENA në vitin 2005, por të shtuar edhe me një çështje tjetër të madhe – me çështjen e Rendit global dhe me sërë çështjesh, temash, mo-tivesh, problemesh, procesesh, dukurishë, ndryshimesh, pajtimesh e mospajtimesh rreth çështjeve globalizëm dhe shteti komb që e kanë bërë plotësisht të re me konceptin, idetë e mendimet, prandaj shumë më të rëndësishme me vlerën dhe shumë më të madhe me vëllimin.
Rendi global dhe Shteti-Komb është vepër shkencore që mund të quhet kapitale.
Dhe kapitale e bëjnë:
1. Çështja botërore e rendit global dhe shtetit komb, në të vërtetë çështja e marrëdhënieve të tyre.
2. Të dhënat e shumta, pamatshëm të shumta politike, shoqërore, kul-turore, historike, të përtashmë dhe të përparshme, me shtrirje të madhe gjeografike dhe me shtrirje të gjatë kohore, në bazë të të cilave shpjegohen marrëdhëniet e globalizmit dhe shtetit-komb.
3. Mbamendja (erudicioni) jashtëzakonisht e pasur, jashtëzakonisht përshtypjebërëse e autorit të librit, që gjithmonë ishte kusht i krijim-tarisë së suksesshme mendore dhe imagjinare, së cilës në masë të madhe i detyrohet edhe vepra në fjalë.
4. Kultura e gjerë, universale e autorit, pa të cilën as të dhënat e as mbamendja nuk do të mund të shpreheshin siç janë shprehur në krijimin e veprës Rendi global dhe Shteti-Komb.
5. Përvoja e pasur krijuese e autorit, Rexhep Meidani, që i ka bërë të mundshme të sistemojë përkatshëm të dhënat, të shfrytëzojë për-katshëm mbamendjen dhe, natyrisht, kulturën e tij të përgjithshme.
6. Gjerësia hapësinore, gati gjithëkontinentale dhe shtrirja kohore gjithëhistorike në të cilën janë parë marrëdhëniet qytetërim-shtet, kulturë-shtet, politikë-shtet, popuj shtet dhe, në fund, komb-shtet.
7. Përqëndrimi përfundimtar i autorit në prejardhjen, qytetërimin, kul-turën, gjuhën, kombin dhe shtetin, në të vërtetë shtetet e shqip-tarëve sot.
8. Vëllimshmëria e veprës Rendi Global dhe Shteti-Komb. Kjo vepër mund të quhet vepër, kapitale, qoftë edhe për shkak të madhësisë, vëllimshmërisë së saj. Në formatin e botuar ajo ka 582 faqe, por në formatin standard, ndërkombëtar, prej faqesh me 2000 karaktere ajo do të kishte 893 faqe.
Le të thuhet se pasqyra e lëndës së saj ka plot 10 faqe.
Vlerën, rëndësinë shkencore të veprave shkencore dhe rëndësinë ar-tistike të veprave letrare e artistike, siç dihet, e përcakton edhe madhësia, vëllimshmëria, natyrisht vlerësisht përkatëse.
Një vjershë lirike nuk mund të quhet vepër e madhe pavarësisht sa e përsosur artistikisht të jetë siç mund të quhet një poemë epike me vlerën përkatëse.
Një peizash i krijuar për disa orë a disa ditë nuk mund të quhet vepër e madhe, e artit pamor pavarësisht bukurisë që përmban siç mund të quhet Afresku i Pikasos në sallën e madhe të OKB-së, Guernika.
Një ndërtesë një a dykatëshe, pavarësisht sa e përsosur arkitekturisht të jetë, nuk mund të quhet vepër e madhe artistike e arkitekturës siç mund të quhet nje katedrale madhështore, një xhami madhshtore a një monument tjetër fetar a historik madhështor.
Arsyeja e parë pse veprën që po përurojmë të Rexhep Meidanit e quajta vepër kapitale, ishte çështja e madhe që në të trajtohet: global-izmi dhe shteti komb.
Fati i shtetit komb në globalizmin
Prej kësaj vepre të Rexhep Meidanit ne do të mësojmë se marrëdhëniet e shtetit komb me globalizmin janë çështje, shumë e diskutueshme sot në botë.
Nuk është i vogël numri i studiuesve, para së gjithash i politikanëve, që e kanë madhështuar, kurse disa sish edhe vazhdojnë të madhështojnë globalizmin.
Eshtë fatbardhësi planetare, thonë ata, pse njerëzit gjithnjë e më shumë vishen njësoj, argëtohen njësoj, ndërtojnë njësoj, prodhojnë njësoj, ushqehen njësoj, varrosen njësoj!
Globalizmi, e vazhdojnë ata këngën e tyre, do ta shpëtojë njerëzimin prej ndryshimeve që me shekuj kanë sjellë shumë fatkeqësi në jetën e tyre.
Duket, ndërkaq, se numri i adhuruesve të përhumbur në lavdërimet e globalizmit është duke u zvogëluar.
Globalizmi po vështrohet gjithnjë e më realisht.
Kritikët e tij, të vjetër e të rinj, po i përimtojnë dhe po i theksojnë pasojat e globalizmit sidomos në mëvetësinë (sovranitetin) e kombeve.
Kritikët ekonomistë të globalizmit e theksojnë se ai, me tregun e kom-panive të mëdha planetare, me zotët e financave, me berzën, me konkurencën po e përhap, po e shton pabarazinë dhe, duke e shtuar pabarazinë, po e shton paqëndrueshmërinë në botë.
Klasa e të pasurve, në njërën anë dhe klasa e të varfërve, në anën tjetër, është fryti i zi i globalizmit modern, thonë ata.
Globalizmi prej fillimeve të tij është treguar mosdurues ndaj vlerave të veçanta, kulturore, prandaj edhe ndaj identiteteve dhe kulturave kombëtare.
Pse jo!
Globalizmi, e thonë kritikët e tij të rinj, është ideologji e të njëjtës, që mposht kuptimet, domethëniet, vlerat e asaj që e ka bërë aq të pasur shpirtërisht planetin tonë: kulturën kombëtare. Siç është, thonë ata, ideologji e të njëjtës edhe nacionalizmi.
Globalizmi në thelbin e vet, me qëllimet dhe me mjetet e veta, është uniformizëm, e uniformizmi më shkurt a më gjatë ka sunduar në vende të veçanta, por Tokës si tërësi kurrë më parë nuk i është kërcënuar si po i kërcënohet sot globalizmi.
Për këto arsye, prandaj, ndonjëri prej këtyre kritikëve të rinj globalizmin e quan kolonializëm, kurse ndonjë tjetër e quan imperializëm.
Nuk ka dyshim se mospajtimit të globalizmit me identitetet kombëtare mund t’i kundërqendrohet me rilindjen e shtetit komb.
S’ka shtet-komb pa krijimitari shpirtërore
Duke pasur parasysh gjendjen e sotme të globalizmit, duke pasur par-asysh se nuk jemi pa globalista as ne që vetëquhen mondialista, duke pasur parasysh se në kushtetutat e ligjet e dy shteteve tona është mpakur palejueshëm shpirtësia, ne do të duhej t’i kushtojmë vëmendje shumë më të përqëndruar se tani kuptimit të shtetit komb.
Dhe, kjo vëmendje, nënkupton: njësinë e politikës konbëtare të të dy shteteve tona kombëtare. Fakti se Shqipëria, si do të thoshin studiuesit e gjeopolitikës, është vend i detit, kurse Kosoga është vend i tokës, do të duhej të na vetëdijësojë për ndërtimin e një politike mbarëkombëtare që pashmangshëm do të jetë shumë më frytdhënëse për zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të Kombit shqiptar si tërësi dhe të Shtetit-Komb etik.
Ndërtimi i një politike të tillë përmban obligimin për tejkalimin e njëanshmërisë që karakterizon politikën tonë të sotme shtetërore, të rrëgjuar (reduktuar) në kujdesin për mirëqenien materiale të qytetarëve: përmban obligimin për përkrahjen, rritjen, pasurimin e kul-turës e shkencës që do të sillte tejkalimin e varfërisë shpirtërore dhe varfërisë morale, që po e cenojnë rëndë kuptimin e jetës sonë të sotme, për tejkalimin e një gjendje politike që përçmon shpirtësinë!
Vlerat shpirtërore gjithmonë e gjithkund ishin e janë përbërës të themeltë, gjithësor, të të sotmes dhe të të nesërmes së popullit e kjo do të thotë dhe të shtetit Komb.
Libri i Rexhep Meidanit Rendi global dhe Shteti-Komb përmban refer-encat e frymëzimet edhe për mendime të këtilla me të cilat dikush mund të pajtohet e dikush mund të mos pajtohet. Po pavarësisht pa-jtimit a mospajtimit me këto mendime, vepra e Rexhep Meidanit Glob-alizmi dhe Shteti-Komb është vepër që bën pjesë ndër ato veprat e mëdha, kapitale, që shkruhen e botohen shumë rrallë, por që qenies kombëtare, identitetit historik të kombit, i sjellin pasuri të madhe me ide, me mendime, me nxitje, me frymëzime, me të dhëna, me energji për të tashmen e për historinë.
Po ta përfundoj këtë fjalë me urimet që Rexhep Meidani të jetojë e kri-jojë edhe shumë vite dhe ta pasurojë edhe me vepra të tjera shkencën tonë, kulturën tonë, jetën tonë siç është vepra Rendi global dhe Shteti-Komb.