MENU
klinika

I përgjigjet akuzave

Rama: Ja kur e vendos Meta datën e re të zgjedhjeve

23.06.2019 - 11:37

Kryesocialisti Edi Rama gjatë fushatës elektorale në Përmet kërkoi besim për kandidaten socialiste në këtë Bashki, për të çuar përpara punët e qytetit të luleve.

“Arsyet pse të gjithë përmetarët socialistë dhe demokratë, e kam për ata që jetojnë me punën e tyre dhe jo me përsheshin e SHQUP duhet të ndjehen mirë e të vazhdojnë në rrugën e duhur me Almën (kandidaten e PS)”, tha Rama.

Duke vijuar me ironi, kryeministri Rama tha se këtë herë në filxhanin e saj, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka parë një numër 21 dhe do t’i thotë Presidentit ta vendosë datën e re të zgjedhjeve më 21 Tetor, se i del edhe një T. Nëse kjo ndodh, sipas kryeministrit, është e rrezikshme.

“Del fallxhorja dhe thotë, Liri caktoje këtë datën këtu se shoh një dysh, caktoje në 21. Shoh edhe një T, ti caktoje në tetor. Do dilte Liri dhe do thoshte bazuar në informacionet e agjencive ligj zbatuese ndërkombëtare unë vendosa të vë këtë datë 21 Tetor si datë zgjedhjesh vendore. Po kjo do ishte e rrezikshme. E keqja që do vinte nga kjo ishte vendosja e një rregulli të ri, që kur s’do një palë, pala tjetër s’do mund të bënte më asgjë. Pra, nuk do vendosej dot më kurrë se kur do bëhen zgjedhjet. Ky nuk është film i ri, e kemi parë 30 vjet këtë film me Saliun, që u mësua t’ja marrë gjërat me forcë socialistëve”,– tha Rama.

Më tej i pari i qeverisë, e cilësoi të çuditshme fushatën, por tha se ajo po zhvillohet e tillë për shkak se demokratët kanë vendosur ta braktisin vetë.

“Nëse do ishte me kandidatë, ne sot s’do vinim me ëndrra për të ardhmen por edhe me bilancin e katër viteve. Mjafton të shikosh bashkitë e qeverisura prej nesh dhe ato të tjerat. Mjafton të shikoni Vlorën si ishte 4 vjet më parë dhe si është sot. Megjithëse është një nga pikat më të rëndësishme të shqiptarisë ka mbetur shumë mbrapa, mjafton të shikoni me radhë bashkitë e drejtuara prej nesh dhe prej tyre, ne kemi mbështetur këtë në Përmet kryetarin e bashkisë, e kemi gjetur gjuhën e bashkëpunimit që të jetësojmë vizionin tonë, por të jeni të sigurt që me Almën në Bashki do të bëjmë shumë më tepër. Për fatin e keq të demokratëve, që nuk duan të arsyetojnë po duan partinë e tyre ne qeveri, për fatin e tyre të keq, ata që sot duhet të ishin para jush, siç jemi ne, që duhet t’ju tregonin çfarë do bënin më mirë se ne, kanë ikur nga gara dhe kanë ndërmarrë perspektivën më të shëmtuar”,- shtoi kryeministri.