MENU
klinika

"Dostojevski bashkohor"

Sabato-pse iu kthye Zotit shkrimtari ateist?

24.06.2019 - 13:50

      Kur në vitin 1996, Sabato do të vizitonte Shqipërinë, shkrimtari argjentinas, me origjinë nga arbëreshët e Italisë, do të shprehej më plot gojën: Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar.
Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barazvlefshëm me Borges, Marquez, Cortazar, atë ditë me re, nuk harroi të tregonte se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

 

Ernesto Sabato, shkencëtari, shkrimtari dhe eseisti i njohur argjentinas, i konsideruar në njëfarë mënyre si Dostojevski i romanit bashkëkohor në gjuhën spanjolle, lindi më 24 qershor 1911, në Rojas, një qytet i vogël në provincën e Buenos Aires. Më i vogli nga dhjetë fëmijët e një familjeje që kishte emigruar nga Italia, në fund të shekullit XIX, ai trashëgoi emrin e një prej paraardhësve, vdekur që herët, gjë që, në mendjen e tij, në sytë e prindërve e bënte të ndihej si një zëvendësues.

 

Ernesto Sabato bën pjesë tek ajo gjeneratë intelektualësh ndërkombëtarë që kanë kaluar nëpër tragjeditë dhe utopitë e shekullit të kaluar. Doktor në fizikë, i specializuar në industrinë bërthamore, më saktë në laboratorin prestigjoz të Mari Kyri, ai braktisi shkencën, “neutraliteti moral” i së cilës e trondiste, për të gjetur kësisoj në letërsi mjetet verbale të shprehjes së vuajtjeve të njerëzve.

 

 

 

 

Ernesto Sabato ishte vetëm 13-vjeç kur hyri në liceun “La Plata”, ku nuk vonoi të lidhë miqësi me shokë të familjeve anarkiste. Me njëlloj mburrjeje, atij i pëlqente të kujtonte demonstratat në favor të Sakos dhe Vanzetit, të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara në vitin 1927, pavarësisht mobilizimit ndërkombëtar, në të cilat ai kishte marrë pjesë, për më tepër tashmë kishte probleme me autoritetet.

I magjepsur nga romantizmi, nga Novalis tek Shatobrian, nga Kleisti tek Nervali, për të cilën ruante në brendësi të shpirtit absoluten, ndjenjën e infinitit, do të arrinte drejt matematikës: “kjo botë e objekteve të përjetshme dhe të pakorruptueshme”. Për Ernesto Sabaton, matematika dhe fizika rrjedhin nga ndjenja jonë estetike; ai i vendoste këto kuptime të shpirtit mes krijimeve supreme, të krahasueshme vetëm me muzikën

 

 

 

 

 

Iu kushtua me mish e me shpirt fizikës, sapo vuri këmbë në fakultet, rreth vitit 1930. Në të njëjtën kohë, aderoi në Partinë Komuniste, e cila, pak vite më vonë, e dërgoi në një mision në Bruksel për të marrë pjesë në Kongresin kundër luftës dhe fashizmit që kryesoi Henri Barbys.

Kishte planifikuar të shkonte në Moskë, por në platformën e stacionit ai mori trenin që shkonte drejt Parisit. Ishin pikërisht proceset e para staliniste, krimet e urdhëruara nga “Ati i vogël i popujve” për të vendosur fuqinë e tij ato që i hapën sytë. I dëshpëruar e me besim të thyer zbarkoi në kryeqytetin francez, ku e priste mjerimi i bohemisë studentore. Sapo u kthye në Argjentinë iu akordua bursa e studimit për të punuar së bashku me fizikantët Iren dhe Frederik Zholio-Kyri.

 

 

 

 

“Është e pabesueshme se deri në ç’pikë lakmia, zilia, pretendimi, fodullëku, makutëria dhe, në përgjithësi, i gjithë ky grup atributesh që përbëjnë gjendjen njerëzore shkëlqejnë në fytyrë, në një qasje, në një vështrim”, – shkruante Ernesto Sabato në librin  “Tuneli”.

Në vitin 1979, mori titullin Kavalier i Legjionit të Nderit në Francë, ku romani “Engjëlli i errësirës” ishte vlerësuar si libri më i mirë i huaj. Në vitin 1984, mori gjithashtu çmimin “Cervantes”, vlerësimin më të lartë për letërsi në gjuhën spanjolle

Sabato la shkencën dhe iu drejtua letërsisë, në kohën e surealistëve parizianë, në vitet tridhjetë, sepse siç shprehet autori: “kërkoja kuptimin e ekzistencës, përndryshe do të isha i vdekur”.

 

 

 

 

 

Universi romanesk i Ernesto Sabatos shënohet nga tensioni midis të keqes dhe të mirës, në sfondin nostalgjik të Buenos Aires, në kurbë zbritjeje të kufijve të ferrit, që e shtyn lexuesin në një varavingo pasionante midis apologjive dhe kundërshtimeve. “Nisemi drejt viseve të largëta, kërkojmë natyrën, jemi të etur për njohjen e njerëzve, shpikim qenie imagjinare, kërkojmë Zotin. Dhe pastaj e kuptojmë se fantazma që ndjekim nuk është tjetër veçse vetja jonë”, – shkruante personi që e cilësonte veten herë si një “anarkist i krishterë”, herë si një “ateist”.

Mjetet shprehëse të tij po ndryshonin, por kurrsesi çështja midis realizmit dhe metafizikës. Në fund të jetës, kohë pasi kishte humbur bashkëshorten, dashurinë e tij të përjetshme, si dhe djalin, ngushëllimin për pesimizmin e gjeti në rrugën e besimit./Konica.al