MENU
klinika

Rriten me 4.1%

Shpenzimet buxhetore në tre muajt e parë të vitit

08.06.2019 - 19:57

Shpenzimet buxhetore për tre muajt e parë të vitit ishin rreth 104.4 miliardë lekë, ose rreth 4.1% më të larta në terma vjetorë.

Rritja e shpenzimeve u formua tërësisht nga zgjerimi i shpenzimeve për sigurime sociale, për pagesat e interesave mbi borxhin dhe ato operative, të cilat kompensuan dhe efektin negativ të shpenzimeve kapitale mbi totalin e shpenzimeve.

Shpenzimet kapitale u tkurrën me rreth 13.7% në terma vjetorë, duke kontribuuar negativisht me rreth 1.4 pikë përqindjeje te rritja e totalit të shpenzimeve. Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë, e cila pohon se ecuria e deritanishme e shpenzimeve që ndikojnë drejtpërdrejt rritjen ekonomike, sugjeron se konsumi dhe investimet publike kanë dhënë një kontribut thuajse të ngjashëm me një vit më parë në formimin e kërkesës agregate.

Politika fiskale ka vijuar të tregojë tipare konsoliduese edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

Sjellja e kujdesshme e politikës fiskale vlerësohet të jetë përcjellë në një impuls negativ fiskal prej 0.6 pikësh përqindjeje të PBB-së. Për vitin 2019, pozicioni fiskal është projektuar të jetë thuajse neutral, ilustruar nga një nivel i planifikuar për balancën primare në rreth 0.5% të PBB-së, raport ky thuajse i njëjtë me atë të vlerësuar për fundin e vitit 2018.

Balanca buxhetore në fund të tremujorit të parë ishte pozitive, në rreth 3.6 miliardë lekë, e vlerësuar në rreth 0.9% të PBB-së. Për vitin 2019, është planifikuar që deficiti buxhetor të jetë rreth 32.9 miliardë lekë, ose 1.9% e PBB-së.

Norma e rritjes së investimeve totale u ngadalësua në 1.9% në tremujorin e katërt të vitit 2018, nga 4.5% një tremujor më parë. Kontributi në kërkesën agregate u përgjysmua në krahasim me tremujorin e tretë të vitit, në 0.5 pikë përqindje.

Bazuar në vlerësime të tërthorta, rritja e këtij komponenti u mbështet kryesisht nga investimet publike, ndërsa kontributi i komponentit privat mungoi këtë tremujor.

Ambienti i përgjithshëm mbetet favorizues për kryerjen e investimeve të reja. Kërkesa konsumatore ka vijuar prirjen rritëse, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është mbi mesataren, dhe kushtet e financimit mbeten lehtësuese. Të dhëna të tërthorta sugjerojnë për gjallërim të investimeve në tremujorin e parë të vitit 2019, të mbështetura kryesisht nga komponenti privat i tyre.

Rritja e importit të materialeve që përdoren në ndërtim, gjatë tremujorit të parë, si dhe rritja e mëtejshme e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, sinjalizojnë vijim të rritjes së investimeve në ndërtim.

Treguesit e besimit nga të dhënat e vrojtimeve tregojnë një ambient të përshtatshëm për rritjen e investimeve këtë tremujor.