MENU
klinika

Mbyll aktivitete

Siguria ushqimore, AKU aksion në të gjithë vendin

15.06.2019 - 19:14

Agjencia Kombetare e Ushqimit ka publikuar disa nga rezultatet e kontrolleve që ka vijuar të ushtrojë në qytete të ndryshme.

Sipas njoftimit, kontrolli i ushtruar nga DRAKU Tiranë në subjektin “S.C” evidentoi se subjekti ushtronte aktivitetin “Prodhim dhe tregtim tё produkteve tё pastiçerisë” në mungesë të licencës përkatëse dhe regjistrit të shitjeve.

Po ashtu, u konstatuan 225 kg produkte me etiketa tё panotifikuara dhe që nuk përmbushnin kërkesat ligjore (suxhuk me arra, llokume).

AKU mori ndaj subjektit në fjalë masat “Gjobë” në vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa disponuar licencën përkatëse, “Gjobë” në vlerën 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, “Gjobë” në vlerën 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin, “Bllokim i produkti” me destinacion asgjësimin e sasisë prej 225 kg produkte ushqimore si edhe “Ndërprerjen e aktivitetit”.

Një subjekt tjetër ndaj të cilit janë marrë masa nga ana e AKU është një market në qytetin e Lushnjës, ku kontrolli i ushtruar nga DRAKU evidentoi tregtim të mallrave me afat përdorimi të kaluar të produkteve si amareta, djathi, kroasan, kek, çajra, çokollata, pije energjike, vafer etj).

Ndaj subjektit në fjalë u morën masa “Gjobë” me vlerë 300,000 lekë për tregtim të mallrave të cilëve u ka kaluar afati i përdorimit si edhe “Bllokim i produktit” me afat përdorimi të kaluar me destinacion asgjësimin.

AKU ka vijuar kontrollet edhe në qytetin e Korçës ku kontrollet e kryera nga DRAKU Korçë në dy subjekte të cilat ushtronin aktivitetin e “Përpunim qumështi”, si dhe analizat laboratorike të mostrave përkatëse të djathit të bardhë dhe djathit të kaçkavallit, evidentuan mos përmbushje të kërkesave ligjore për treguesit e sigurisë së ushqimit.

Sipas njoftimit për subjektet në fjalë u morën morën masat administrative të “Gjobës” me vlerë 300,000 lekë për ushqim të pasigurt dhe “Bllokim i produktit” në sasinë prej 500kg djath i papërshtatshëm për konsum për asgjësim.

Një tjetër subjekt në Korçë me aktivitet “Njësi tregtimi” evidentoi nga ana e AKU kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

Për subjektin në fjalë u morën masa të “Gjobës” në vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe “Ndërprerja e aktivitetit” deri në plotësimin e këtyre kushteve.

Në përfundim të njoftimin Drejtoria Rajonale e AKU në qytetin e Shkodrës, ka bërë asgjësimin e rreth 48.7 ton produkti “farë misri” e papërshtatshme për mbjellje.

Sipas njoftimit, procesi i asgjësimit u krye me pjesëmarrjen e inspektorëve të AKU, Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Drejtorisë të Tatimeve.