MENU
klinika

Aksioni i Tatimeve

Takimi në Vlorë – Çështjet që shqetësojnë biznesin

12.06.2019 - 20:54

Në çelje të sezonit turistik, në Vlorë u organizua një takim me përfaqësues të subjekteve nga sektori i bar – restoranteve.

Ky ishte takimi i rradhës, në kuadër të planit sektorial të Menaxhimit të Riskut. Edhe njëherë, përfaqësues të Administratës Tatimore bënë me dije qëllimin e takimit, ndërsa u bashkëbisedua për të gjitha çështjet që shqetësojnë biznesin, në një klimë konstruktive ndërveprimi.

Qëllimi i zhvillimit të këtyre takimeve është ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të vetëdeklaruar në mënyrë korrekte si dhe nxitja dhe inkurajimi i tyre për të reaguar pozitivisht në përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Plani i Menaxhimit të Riskut në sektorin e bar – restoranteve, po zbatohet që prej dy muajsh në të gjithë vendin, duke vendosur një praktikë të re komunikimi të administratës tatimore me tatimpaguesin. 12 mijë subjekte janë informuar në mënyrë të personalizuar, duke u bërë me dije elementët që venë në pah deklarime jo të sakta nga ana e tyre.

Takime të tilla janë mbajtur edhe në Durrës, Berat, Lezhë, Kukës, Korçë, Elbasan, Tiranë, Sarandë dhe Gjirokastër, ku kanë marrë pjesë tatimpagues që operojnë në këtë sektor.

Ndërsa vijon procesi i informimit dhe ndërgjegjësimit, administrata tatimore monitoron reflektimin e ndryshimeve në deklarimet e tatimpaguesve. Monitorimi i deklarimeve do të vijojë të bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, i cili filtron të dhënat mbi bazën e analizës së riskut. Kjo praktikë përjashton çdo mundësi manipulimi apo keqpërdorimi të tagreve ligjore të punonjësve të administratës tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u kujton bizneseve detyrimin për përdorimin e paisjeve fiskale, vendosja e sistemeve të monitorimit të qarkullimit.

Referuar dispozitave të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor.

Tatimpaguesi është i ndaluar të mbajë apo përdorë pajisje fiskale dhe sisteme monitorimi të qarkullimit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore apo akteve nënligjore në zbatim të ligjit.