MENU
klinika

Rrëzimi i avionit amerikan

Trump: Po të sulmonim Iranin, do të vdisnin 150 vetë

21.06.2019 - 18:15

Presidenti Donald Trump ka thënë se ushtria amerikane ishte “e përgatitur për t’u hakmarrë” kundër Iranit, por ai ndryshoi mendimin e tij 10 minuta para sulmeve të planifikuara.

Sulmet në tre vende u planifikuan në përgjigje të rrëzimit të një avioni pa pilot të SHBA këtë javë.

 Trump tha se kishte ndaluar sulmet pasi 150 njerëz do të vdisnin.

Agjencia e lajmeve Reuters thotë se qeveria iraniane i tha se kishte marrë një mesazh nga Presidenti Trump përmes Omanit, ku ai paralajmëronte për një sulm të pritshëm ndaj Iranit. Reuters tha se përgjigjia e menjëherëshme e Teheranit ndaj mesazhit të Presidentit Trump ishte një paralajmërim i ashpër lidhur me pasojat “rajonale dhe ndërkombëtare” nëse Shtetet e Bashkuara ndërmerrnin veprime ushtarake.

Por një zyrtar iranian më pas mohoi që Irani të kishte marrë mesazh paralajmërimi. I dërguari amerikan për Iranin Brian Hook, i cili ishte për vizitë në Arabinë Saudite tha se është e rëndësishme të bëhet gjithçka për të qetësuar gjendjen. “Diplomacia jonë nuk i jep të drejtën Iranit që të përgjigjet me forcë ushtarake dhe Irani duhet t’i përgjigjet diplomacisë sonë me diplomaci, jo forcë ushtarake”, tha ai.

Por kreu i Divizionit të Hapësirës Ajrore të Gardës Revolucionare iraniane, Amirali Hajizadeh tha se Teherani kishte dërguar dy sinjale paralajmëruese 10 minuta para se të lëshohej raketa.

“Ata që kontrollonin dronin, i dëgjuan paralajmërimet por nuk u kushtuan vëmendje. Duke pasur parasysh se droni kishte shkelur kufijtë tanë, ai u vu në shënjestër nga raketa tokë-ajër e divizionit ajror të Gardës Revolucionare dhe u godit”, tha ai. Por Uashingtoni këmbëngul se droni ishte mbi ujra ndërkombëtare. Vendimi amerikan për t’u tërhequr nga goditjet ushtarake ndaj Iranit, duket se shmanj një konflik të mundshëm të armatosur që do të përfshinte pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme.

Teherani thotë se aeroplani i pa pilotuar i SHBA hyri në hapësirën ajrore iraniane herët në mëngjes të enjten. SHBA pohon se u qëllua në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Tensionet janë përshkallëzuar mes dy vendeve, me SHBA që kohët e fundit e fajësojnë Iranin për sulmet ndaj cisternave të naftës që operojnë në rajon. Irani ka njoftuar se së shpejti do të kalojë kufijtë e rënë dakord ndërkombëtar për programin e saj bërthamor.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015 që synonte frenimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen