MENU
klinika

Konflikti për Qipron

Tsipras: Turqia ka shkelur ligjin ndërkombëtar

17.06.2019 - 14:57

Athina ka paralajmëruar penalitete kundër Ankarasë nga pala europiane rreth aktiviteteve të Ankarasë për kërkimet e gazit në ishullin mesdhetar të Qipros. Turqia pretendon se është në të drejtën e saj të shfrytëzojë zonat ekonomike që i përkasin.

Greqia dhe Qiproja kanë paralajmëruar sanksione kundër Turqisë nëse nuk ndalen aktivitetet e saj në zonën ekonomike ekskluzive të ishullit mesdhetar.

Një anije turke e pajisur me sonda shpimi është ankoruar në perëndim të Qipros prej muajit maj, me synimin për të shfrytëzuar rezervat e gazit të zbuluara në vitin 2011.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, tha të dielën se pala greke dhe ajo qipriote po bashkërendojnë aksionet diplomatike kundër Ankarasë.

Shkelja e ligjit ndërkombëtar nuk është shenjë force, por dobësie. Kushdo që provohet se ka shkelur të drejtat sovrane të Greqisë, Qipros apo ligjin ndërkombëtar, duhet të përballet me pasojat. Greqia së fundmi ka formuar aleanca dhe gëzon mbështetje ndërkombëtare më të fortë se kurrë.” Tha Tsipras.

Muajin e kaluar Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara apeluan Turqinë të rimendojë planet për kërkime gazi në Qipro.

Apeli të tyre iu bashkuan të premten edhe shtetet mesdhetare të BE-së, me në krye presidentin francez, Emanuel Macron.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan reagoi pas kësaj duke thënë “Qëkur paska Franca të drejtë të flasë për Mesdheun Lindor? Turqia është një nga vendet garantuese për Qipron, së bashku më Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Po Franca ç’lidhje ka këtu?”

Ankaraja pretendon se zona gazmbajtëse në brigjet perëndimore të Qipros është pjesë e shelfit kontinental që i takon asaj.

Në rajon operojnë edhe tri kompani franceze, italiane dhe amerikane të cilat kërkojnë gaz dhe hidrokarbure përqark ishullit mesdhetar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbështetje nga vendet e Mesdheut

Konflikti me Turqinë/ Macron mbështet Qipron