MENU
klinika

Reagimi kryedemokratit

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor/ Basha: Në 30 qershor fundi i Ramës!

24.06.2019 - 21:44

Kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që i hap rrugë zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se ky vendim është pjesë e planit të Ramës.

Numri një i PD u shpreh se ky vendim dihej prej ditësh dhe se ishte një makinacion i Edi Ramës.

“Rama ka futur makineri falso për të bërë zgjedhje false. KQZ po bën zgjedhje që janë të paligjshme. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shprehet për dekretin e presidentit. Vendimi i sotëm dihej në rrethet politike të Tiranës. Është e gjitha e përgatitur nga Edi Rama. E gjitha kjo ndodhi përpara syve të të gjithë shqiptarëve dhe tregon se Rama ka kontroll të plotë mbi drejtësinë.

Mbi të gjitha vendimi i sotëm tregon faktin se ngrehina shtetërore është reduktuar vetëm në funksionin e fasadës, për të mbuluar dhunimin e ligjit nga Edi Rama. KQZ rezultoi fasadë, edhe kolegji Zgjedhor mori vendim fasadë. Me veprimin e tij Kolegji Zgjedhor provoi se vendimi ynë për të mos hyrë në zgjedhje farsë ishte vendimi i duhur.

Regjimi kriminal i Ramës ka nevojë për fasadë për të mbuluar krimin. Të gjithë po shikojmë fytyrën e regjimit të Ramës. Shqipëria rrezikon sot gjithçka. Nuk ka asnjë dyshim se një qeveri e re dhe e ndershme do të jetë në gjendje të luftojë krimin e organizuar, të luftojë krimin dhe korrupsionin.

Plani i Ramës për destabilizim dhe luftë ndaj shqiptarëve do dështojë. Shqiptarët janë bërë bashkë për të mos lejuar farsën elektorale. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit të Ramës. Ju ftoj të jeni të vendosur në këtë betejë””, tha Basha.

Basha u shpreh se Rama zgjedh kandidatë në bashki për të mbrojtur krimin dhe bandat kriminale.