MENU
klinika

Opinion

Vendimi i Metës, nul, “vetëflijim” dhe për listë e faqe të zezë

09.06.2019 - 14:18

Nga: Sokol Balla

Vendimi i Metës pak minuta para protestës, fjalët që zgjodhi, parulla që e mbylli letrën e tij, janë vetëm ngjyrimi politik i aktit të tij: bashkimi de facto me aksionin 5 mujor opozitar, i cili deri dje nuk kishte prodhuar asnjë negociatë, por vetëm destabilitet.

Akti i Metës erdhi në momentin e duhur për opozitën, e goditur keq nga ndërkombëtaret, veçanërisht amerikanët, e paralajmëruar si lidership se nëse prish zgjedhjet, do futet në listë të zezë.

Me aktin e Metës, ata formalisht shpëtojnë, se s’kanë çfarë prishin. Por a është tamam kështu? Më poshtë janë disa argumente kushtetuese, ligjorë, politikë por dhe logjika siç ka qejf Meta t’i quajë se veprimi i tij është gabim fatal, që prodhon destabilitet, që është nul, që përbën argument për impeachment dhe me e keqja për të, futje në liste te zezë amerikane.

Palmer e paralajmëroi këtë kur tha se “ata që prishin zgjedhjet do futen në listë të zezë”. Ja disa argumente më poshtë se Meta me veprimin e tij nuk i çdekretoi zgjedhjet (s’e bën dot) por tentoi t’i prishë ato (gjë që prapë e ka të pamundur). Por akti i quhet, dhe tani duhet të bëjë llogaritë me amerikanët.

Por cilat janë argumentet kundër asaj që bëri Meta?

1. Kushtetuta

Neni 92/gj i Kushtetutës:

Presidenti cakton datën e zgjedhjeve.

Neni 10 i kodit zgjedhor:

Mandati i të zgjedhurve të pushtetit lokal MBARON në të njëjtin muaj, në të njëjtën datë, të vitit të katërt, pas datës së shpalljes së rezultatit nga KQZ.

Dhe nuk është si Kuvendi që qëndron në detyrë derisa zgjidhet i riu.

Lokalëve iu mbaron mandati me datë të përcaktuar. KQZ ka nxjerrë njoftimin përfundimtar në 10 gusht 2015. Sipas Kodit Zgjedhor, më 11 gusht të zgjedhurit e mëparshëm ikin. Nëse rrinë shkelin ligjin. Sigurisht Rama i ka votat në Kuvend për të ndryshuar Kodin dhe zgjatur mandatin bashkiakëve aktualë. Por socialistët treguan të shtunën se për ta ka zgjedhje në 30 qershor.

Presidenti nuk ka asnjë dispozitë kushtetuese ku ta mbështesë aktin që ka deklaruar që do nxjerrë të hënën.

Termi “dekretim”, nuk ekziston fare në asnjë dispozitë kushtetuese dhe as te ndonjë ligj tjetër.

Kështu nuk ka “çdekretim nga emërimi”, por ka “dekret për emërim” dhe/ose “dekret për shkarkim/lirim”.

Kushtetuta nuk është letërsi, ku mund të thuash “nderim” apo “çnderim”. Sjelljet e padenja ndaj Kushtetutës “çnderojnë” vendin, duke e klasifikuar në një republikë bananesh, ku Presidenti përdor postin si të jetë pronar i Kushtetutës dhe jo qen roje i saj.

Presidenti, caktimin e datës e bëri në konsultë me kryetarët e grupeve parlamentare, sepse kështu e kërkon zakoni kushtetues, që është pjesa e pashkruar e të drejtës kushtetuese, por që ka të njëjtën fuqi ligjore si kushtetuta.

Pra kur nxori dekretin për caktimin e datës, iu referua jo vetëm Kushtetutës, por edhe zakonit kushtetues. Nuk mundet sot të themi që “aq ia pret atij nga Kushtetuta”.

2. Kodi i Procedurës Administrative

Presidenti kur ka nxjerrë dekretin për datën e zgjedhjeve e ka konsumuar referimin e nenit 92/gj për këto zgjedhje.

Nxjerrja e dekretit ka sjellë pasojat e veta për KQZ dhe të gjithë me radhë, partitë politike, individët, etj.

Në këtë kuptim, letra që do nxjerrë presidenti të hënën (nëse e nxjerr), është e pavlefshme sa kohë nuk përbën akt që mund të sjellë pasoja, për shkak se është absolutisht i pavlefshëm.

Kodi i Procedurave Administrative e parashikon qartë cilësimin e një akti si absolutisht të pavlefshëm.

Neni 108 i Kodit të Procedurës Administrative vlerëson si akte absolutisht të pavlefshme aktet e nxjerra në kundërshtim me kompetencat e parashikuara.

Dhe jo vetëm kaq, por vlerëson si të dënueshëm ekzekutimin e një akti të tillë nga personat që marrin dijeni mbi të.

3. Lista e Zeze Amerikane

Palmer deklaroi që kush tenton të prishë zgjedhjet do përballet me sanksione.

Presidenti e ka anunçuar dje tentativën për prishjen e zgjedhjeve. Nëse të hënën nxjerr një letër të cilën e quan “dekret” apo “çdekret”, ai praktikisht konsumon një akt për të cilin ndaj tij duhet të shpallen sanksionet.

4. Një vendim i njëanshëm vetëm politik

Mandati i të zgjedhurve lokalë është i datuar. Presidenti, jo vetëm që po tenton të “çdekretojë” datën e zgjedhjeve, por nuk e bën këtë duke dekretuar një datë tjetër. Thjesht thotë: S’ka zgjedhje më 30 Qershor. Njësoj si Luli. Edhe Luli këtë thotë. As Meta as Luli nuk thonë se kur ka zgjedhje. Thonë: Më 30 qershor s’ka. Praktikisht synohet që vendi të mbetet pa pushtet lokal.

Arsyetimi pastaj se po e bën për të mbrojtur pluralizmin është injorancë. Pluralizëm do të thotë: Liri e krijimit të partive politike mbi bazë bindjesh politike. Demokraci do të thotë: Liria e partive politike për të konkurruar në zgjedhje.

5. Puç shtetëror drejt një 1997 “teknike”

Pluralizmi është instrumenti i sovranitetit popullor që ushtrohet nëpërmjet zgjedhjeve dhe që materializohet nëpërmjet sovranitetit parlamentar (të dyja parime themelore kushtetuese). Duke “çdekretuar” datën e zgjedhjeve presidenti tenton t’i heqë popullit të drejtën që ai të ushtrojë sovranitetin me votë.

Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve, është atentat ndaj sovranitetit sepse synoi t’i heqë popullit të drejtën të ushtrojë sovranitetin. Pluralizëm pa zgjedhje dhe pa parlament nuk ka. Kjo është Teoria e Sovranitetit. Teoritë e tjera nuk janë flori, janë monedha kallp. Pluralizmit nuk i shërbehet duke dalë nga sistemi, por duke iu bindur sistemit. Presidenti nuk mbron pluralizmin, thjesht po i shërben krizës. Presidenti që i shërben krizës shkel detyrën kushtetuese, thyen betimin që ka bërë para sovranit, çnderon vetveten. Pluralizmi i presidentit e ka emrin kaos dhe anarki.

5. Dorëheqje ose shkarkim

Meta për mesazh mund të djegë mandatin e vet, siç bëri bashkëshortja e tij, po jo mandatin e popullit. Dikur kërkoi të fuste në kolaps qeverinë me mosdekretimin e ministrave.

Pranimi i skenarit me “çdekretim” fut në kolaps pushtetin vendor.

Pushtetit vendor po i mbaron mandati katërvjeçar dhe mandati duhet ripërtërirë nga populli. Data e fundit për këtë është data 30 qershor. Mandatin e kryebashkiakëve dhe këshillave bashkiakë e ka në dorë vetëm populli. Ai ripërtërihet vetëm me zgjedhje. Nuk ripërtërihet as me dekret dhe as me marrëveshje partish. Këtë e thanë edhe ndërkombëtarët. Të presim se çfarë ata do të thonë. Ka gjithmonë mundësi teorike që ata ta kundërshtojnë vetveten. Aq mundësi sa Asteroidi të godasë Tokën më 9 shtator. Por nëse flasin siç kanë folur dhe “çdekretojnë” çdekretimin e Metës, ai humbet çdo terren moral, politik për të qëndruar në atë post dhe me shumë gjasë do japë dorëheqjen dhe do t’i bashkohet edhe fizikisht protestës së radhës së opozitës. Në këtë mënyrë i shpëton procesit të shkarkimit kur të ngrihet Gjykata Kushtetuese.

6. Një dekret që s’vlen as për KQZ

Gjithsesi tani është fakt që Meta do të nxjerrë aktin që ka paralajmëruar. Dhe ndoshta më e mira është pastaj menjëherë të mblidhet pa humbur kohë KQZ. Nëse ajo nuk “çmendet” ligjërisht si presidenti, e merr në shqyrtim dekretin, konstaton pavlefshmërinë absolute, për shkak se akti ka dalë në kundërshtim me kompetencën dhe në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe *të refuzojë zbatimin*.

Kështu dekreti nuk ngelet më në ajër. Nuk ka më debat, ka apo s’ka dekret (si ai për ministrin e jashtëm që ende sot nuk bëhet publik). Akti i “çdekretimit” bëhet fakt dhe provë për çdo proces publik kushtetues, ligjor apo penal.

Por Shqipëria është vend demokratik dhe si tillë i jep presidentit, apo partive të tjera të drejtën për t’u ankuar ne kolegj. Këtu Presidenti ka të vetmen mundësi që të marrë një vendim për “çdekretimin”. Duke hyrë gjithsesi në histori si një kryetar shteti që përdor një Gjykatë Apeli në vend të asaj Kushtetuese për të ligjëruar vendimet e tij.

Gjithsesi presidenti ka dhe një tjetër lëvizje që (larg qoftë) nëse e ushtron, pamundëson zgjedhjet në 30 qershor. Nëse vetëflijohet (siç ka paralajmëruar) një ditë më herët se 30 qershori, detyron parlamentit të mblidhet dhe të shpallë ditët e zisë kombëtare. Kështu zgjedhjet do të shtyheshin me 1 javë.

Sigurisht paragrafi i fundit është pak cinik dhe humor i zi. Ilir Meta nuk ka pse vetëflijohet pasi si politikan është biologjikisht i ri dhe i fuqishëm për të vazhduar betejën kundër Edi Ramës. Gjithashtu ai s’ka pse shqetësohet për të mbajtur fjalën e dhënë. Shqipëria sot nuk ka më president.

Ai s’ka nevojë as të dorëhiqet, të shkarkohet apo të “vetëflijohet”. Ilir Meta e flijoi postin e Presidentit që e deshi aq shumë që në 2009-n. Thotë sepse e do Shqipërinë si gjithë Europa. Me siguri e ka fjalën për Moldavinë./ Real Story