MENU

Takimi me Merkel

Vizita në Gjermani, Haradinaj siguron qytetarët për vizat

11.06.2019 - 09:30

Vetëm pak ditë pasi është kthyer nga vizita e tij zyrtare në Berlin, ku është pritur nga kancelarja Merkel, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur për detajet dhe rëndësinë e këtij takimi.

Përmes një deklarate për mediat, Haradinaj tha se pret lajme të mira për liberalizimin e vizave.

Mendoj se është me rëndësi ta konfirmojmë që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë kanë arritur një nivel më të lartë të tyre. Është një marrëdhënie dhe situatë e re.

I kemi trajtuar të gjitha temat dhe zakonisht bëjmë kujdes se si i elaborojmë ato. Ka lajme të mira për Kosovën.

Një nivel i tillë i marrëdhënieve Kosovë-Gjermani së pari e përshpejton liberalizimin e vizave dhe ndikon drejtpërdrejtë në këtë temë, por pastaj edhe në aspektin rajonal, bilateral me Gjermanisë si dhe në rrugën e integrimeve evropiane ndikon pozitivisht.

Është mënyrë e të shprehurit sepse e di që si Kosovë e kemi punën mirë për liberalizimin e vizave. Duhet të jemi serioz dhe të vazhdojmë të mbetemi në temë.

Kam kufizimet e mia sa mund të flasë dhe mund të hyjë në detaje në këtë etapë, por mund t’iu siguroj se e kemi punën mirë për liberalizimin e vizave. Nuk do të shkojë fare larg deri te marrja e njoftimeve të caktuara.

Jemi në proces dhe po punojmë. Jemi palë serioze – nuk do të na trajtonte Gjermania në atë nivel të marrëdhënieve sikur të mos ishim palë serioze.

Mënyra e pritjes është një ndihmë e jashtëzakonshme në çdo dimension të marrëdhënieve tona, qoftë në rajon apo edhe në Europë.

Një trajtim i tillë prej kancelares Angela Merkel ndikon edhe te vendet e rajonit“, ka thënë Haradinaj.