MENU
klinika

Flet kryeministri maqedonas

“S’duam anëtarësimin e menjëhershëm por…”

16.06.2019 - 10:41

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të caktojnë datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësi.

“Ne kërkojmë datën e bisedimeve dhe jo anëtarësim të menjëhershëm. Ne kërkojmë që të vlerësohet angazhimi që kemi bërë. BE-ja është tërheqëse për ne dhe kjo na motivon. Deri tani, kemi bërë shumë dhe kemi besim në Evropën. Ne ndryshuam emrin dhe ruajtëm identitetin”, ka deklaruar Zaev në një forum ndërkombëtar në Austri.

Kryeministri maqedonas, siç ka njoftuar kabineti i tij, ka takuar komisionarin për zgjerim, Johannes Hahn, të cilit i ka thënë se “marrja e datës për fillimin e negociatave do të jetë e rëndësishme për vendin, sepse do të jetë motiv shtesë për vazhdimin e zbatimit të reformave në të gjitha fushat me rritëm më të shpejtuar”.

Komisionari Hahn, siç thuhet në njoftim, ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut dhe kryeministrit Zaev për punën e bërë, e cila sipas tij duhet të vlerësohet nga BE-ja.

Ndërkohë. opozita në Shkup ka thënë se është në pritje të përgjigjes së Zaevit lidhur me gatishmërinë e saj për të kontribuar në marrjen e datës së bisedimeve. Opozita thotë se data nuk është marr pasi nuk janë bërë reformat.

“Jemi të gatshëm që t’i ofrojmë të gjitha kapacitetet tona që të përmirësohen ata standarde që do të nënkuptonin anëtarësim më të shpejtë të Maqedonisë në BE, marrje të datës dhe zbatimin ereformave. Reformat ngecin dhe pikërisht për këtë s’kemi datë”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.