MENU

Strategjia e re, instalimet e para

5 bova ankoruese në parkun detar Karaburun-Sazan

21.07.2019 - 11:37

Zhvillimi i industrisë së detit është strategjia më e re e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Por, për të prodhuar ekonomi përmes shfrytëzimit të detit, si edhe për t’ju përgjigjur rritjes së vrullshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë, ministri Klosi thotë se është koha për të marrë masat e nevojshme për të garantuar zhvillim turistik të qëndrueshëm me impakt 0 në mjedis.

Në kuadër të këtyre masave, ministri Klosi asistoi sot në procesin e instalimit të 5 bovave ankoruese të vendosura përgjatë pikave më të frekuentuara të parkut detar Karaburun-Sazan, atraksion turistik i njohur në nivel ndërkombëtar, që do të sherbejnë për ankorimin e mjeteve detare që ofrojne ture në zonë por edhe të mjeteve të tjera private dhe jahteve me turistë që mbërrijnë në vendin tonë.

“Së bashku me prefektin dhe të rinjtë e projektit smile albania jemi në karaburun për të ndjekur një nga proceset që agjencia e zonave të mbrojtura po zhvillon për ankorimin e mjeteve lundruese, duke krijuar mundësinë që të futen për herë të parë disa mekanizma, që i hapin rrugë krijimit të këtij sistemi për herë të parë edhe në vendin tonë.

Po vendosen 5 bova për këtë sezon turistik veror, pika ku mund të ankorohen mjetet që vijnë për të vizutuar parkun kombëtar të karaburunit, por që do të jetë edhe një shembull i parë sesi mund të krijohen lehtësira të tilla gjatë gjithë zonës bregdetare, pasi e kemi shumë të neviojshme që në strategjinë tonë për të zhvilluar industrinë e detit, të krijohet edhe insfrastruktura e nevojshme për sistemimin dhe rehabilitimin e pikave, ku mund të parkohen mjetet lundruese dhe të shfrytëzohet deti”, tha ministri Klosi.

Ai theksoi se kjo nismë vjen në një fazë të parë, eksperimentale, dhe se vitin e ardhshëm do të vendosen bova gjatë gjithë bregdetit.

“Së bashku me agjencinë e zonave të mbrojtura, sot do të vizitojmë bashkë me të rinjtë e projektit smile Albania të gjithë gadishullin e karaburunit, i shndërruar në një destinacion të frekuentuar turistik jo vetëm për vizitorët vendas por edhe për të huajt.

Por, që numri i tyre të rritet, duhet krijuar infrastruktura e nevojshme, duhen vendosur më shumë bova, për ti hapur rrugë zhvillimit të një industrie të re në turizëm, që është industria e detit, për të pritur jahte dhe marina edhe në Shqipëri”, u shpreh ministri Klosi.