MENU
klinika

Haruki Murakami

9 mënyra për të kuptuar jetën

01.07.2019 - 12:36

       Vetëm lexuesit e Murakamit, mund t’i kuptojnë këto 9 aspekte të jetës 

 

Në romanet e Murakamit shpesh hasim në aspekte të caktuara të jetës, që vetëm adhuruesit e autorit mund t’i kuptojnë. Haruki Murakami, një nga shkrimtarët më të vlerësuar të viteve të fundit, librat e të cilit janë përkthyer në mbi pesëdhjetë gjuhë dhe autori ka miliona admirues në mbarë botën. Realizmi magjik dhe poetik, paaftësia për t’i inkuadruar romanet e tij në një zhanër të veçantë, kombinimi tjetërsues, madje përfshirës i kapitujve që nuk mendonim se ishin të arritshëm… të gjitha këto kartakteristika e bëjnë unik dhe të paimitueshëm stilin e autorit të Kiotos. Më poshtë, po citojmë disa aspekte të jetës që përsëriten në veprat e autorit:

 

Adoleshenca është një periudhë mizore. Disa vraga të saj do ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Karakteret e Murakamit janë të shtresuara dhe komplekse, hera-herës i kapërcejnë kufijtë e njohjes së vetes. Veçse tek ta mund të ravijëzohet një tipar i përbashkët: adoleshenca ka lënë gjurmët e saj në heshtje. Ngjarje dramatike si humbja e shokut më të mirë, që kryen vetëvrasje, apo të shohësh fqinjin të gëlltitet nga valët e një cunami. Ndoshta diçka më pak e pazakontë, si braktisja dhe zemërthyerja. Thuajse gjithë protagonistët e kanë përjetuar kalimin nga rinia në moshën e rritur përmes episodeve traumatike, që kanë përcaktuar personalitetin dhe shtegtimin e tyre ekzistencial.

 

Magjia ekziston me të vërtetë, atë mund ta gjeni në jetën e përditshme

Romanet e Murakamit shkojnë nga realizmi magjik në fantashkencë, duke kaluar përmes surrealizmit. Edhe këtu gjejmë një konstante: çfarëdolloj bote që të prezantojë autori, është e lehtë të ballafaqohet me magji. Kjo mund të ndodhë me takimin e njeriut dele, përkujdesjes duke u mbyllur në vetvete, ose të një xhaxhai që të shfaqet befas pas shpine. Në rrëfimet e Murakamit jemi përherë të sigurt se mund të gjejmë fantastiken në jetën e zakonshme të përditshme. Edhe edhe nëse është përtej botëkuptimit tonë, jemi të detyruar ta pranojmë.

 

 

 

 

 

Linja e hollë ndërmjet reales dhe ireales

Jeni zgjuar? Po ëndërroni? Keni udhëtuar përmes një portiku në kufirin mes dy botëve? Këto janë të gjitha pyetje legjitime, veçanërisht nëse gjendemi përballë rrëfimit të Murakamit, ku një moment je duke kërkuar macen e humbur dhe fill pas saj duke ecur nëpër muret e një hoteli. Autori shkruan në harresë midis realitetit dhe botëve të tjera, aq sa kur mbyllim librin nuk na mbetet tjetër veçse të pyesim veten nëse ky është vërtet realiteti…

 

Kini kujdes ndaj të gjitha thirrjeve hyrëse

Në tregimet e Murakamit çdo lexues e di se duhet të jemi të kujdesshëm kur përgjigjemi në telefon. Mund të jetë një i dashur i zhdukur prej shumë vitesh, një zë misterioz që vjen nga tjetër realitet… Kushdo që telefonon, e vetmja siguri është se diçka e pazakontë do të pasojë. Askush nuk telefonon, me qëllim që të shkëmbejë dy fjalë apo të rivendosë marrëdhëniet…

 

Pjesën dërrmuese të kohës harrojeni fundin e lumtur

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka gjithmonë një fund negativ, por me siguri jemi shumë larg nga përrallat e “Disney”-it. Fatkeqësitë ndodhin, marrëdhëniet ndërpriten, pyetjet nuk marrin përgjigje, por kjo nuk nënkupton se libri është më pak i këndshëm, përkundrazi. Gjithçka kontribuon në krijimin e magjisë së këtij autori të madh bashkëkohor.

 

 

 

 

 

Seksi është… i komplikuar

Murakami njihet për skena seksuale “të vështira”. E vërteta është se seksi mund të jetë kështu edhe në realitet. I vështirë dhe i çuditshëm, kaotik dhe i çrregullt, një shakullinë emocionesh, mishi dhe hormonesh. I këndshëm, shumicën e herëve, por kaotik.

 

Njerëzit na lënë

Gratë, miqtë e ngushtë, shokët e dhomës së kolegjit… Askush nuk është i sigurt në botën e Murakamit. Disa mund t’ia mbathin, të tjerë mund të rrëmbehen nga vëllezërit e këqij, të tjerë akoma ia mbathin për të shmangur një tjetër takim të vështirë seksual. Përherë mund ta gjejmë veten duke lënë përgjithmonë dikë, madje pa qenë në gjendje t’i themi lamtumirë.

 

 

 

 

 

Muzika është thelbësore për jetën

Qofshin Bitëllsat, Elvisi apo Mozarti, gjithmonë mund ta dëgjojmë muzikën në sfondin e historive të Murakamit. Personazhet e tij ndajnë pasionin personal për muzikën dhe bashkëveprojnë me të nëpërmjet librave, dëgjimit të radios, shkëmbimit të regjistrimeve ose një birre të ftohtë në një piano-bar. Muzika i ndihmon personazhet të flenë ose të mendojnë, përvijon atmosferën e romanit. Rastis që grupe apo këngë të veçanta të jenë frymëzim për titujt e romaneve dhe tregimeve të shkurtra.

 

Mund të ndodhë të jesh vetëm pa u ndier i vetmuar, siç mund të ndihesh i vetmuar pa qenë vetëm

Në shumë rrëfime të Murakamit, protagonisti është një i ri i vetmuar. Disa jetojnë vetëm dhe kujdesen për veten e tyre, megjithatë nuk ndihen të përvuajtur apo të mërzitur nga mënyra sesi jetojnë. Ata e duan vetminë dhe janë të qetë në mungesë të shoqërisë. Karaktere të tjerë, në vend të kësaj, jetojnë me familjet e tyre, ndërveprojnë me kolegët e tyre, kanë marrëdhënie. Megjithatë, ata janë plotësisht të shkëputur nga realiteti dhe nga njerëzit e tjerë. Murakami përshkruan bukurinë e një vetmie joshkatërruese, që është në gjendje të dalë nga një izolim i dëshpëruar, sepse bazohet në ekuilibër./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Murakami mes xhazit e letërsisë

Bota e nëndheshme burim në trillin artistik


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit