Teksa afatet e aplikimeve për fondin në mbështetje të krijimtarisë letrare për fëmijë, të hapura që prej datës 1 qershor, kanë përfunduar këto ditë, ministria e Kulturës rikthen vëmendjen tek autorët që shkruajnë letërsi për fëmijë. Një zhanër ky, që sipas shkrimtarëve dhe vetë botuesve, që gjatë viteve të fundit kanë vënë alarmin, i mungon letërsisë sonë. Irena Prici, specialiste e librit pranë Ministrisë së Kulturës, flet për dorëshkrimet e ndryshme të autorëve që shtëpitë botuese kanë dorëzuar në ministrinë e Kulturës, por edhe iniciativat e reja, që ky institucion do të ndërmarrë në këtë drejtim.
“Janë 27 aplikime, të mirëpritura nga botuesit, si edhe nga krijuesit për fëmijë, ccfarë duket edhe nga prurjet. Shumë shpejt, juria që është përcaktuar tashmë, por do të zbulohet më vonë, përbëhet nga emra shumë të mirënjohur, që përreth dy javë janë marrë me draftet e veprave, me kode, për të përcaktuar fituesin”, – thotë Irena Prici.
Ndonëse, juria që do të vlerësojë këto dorëshkrime është menduar të mos bëhet publike para se të shpallen 5 autorët fitues, ndër emrat që marrin pjesë në këtë garë, janë autorë të njohur, si Gaqo Bushaka apo Viktor Cenosinaj, njëkohësisht edhe autorë të rinj.
“Realisht kemi pasur kërkesa nga të gjitha moshat, që nga mosha e re, që është nga 30 deri në mbi 70 vjeç, që janë autorët e njohur qysh nga fëmijëria jonë. Ministria e Kulturës, që në momentin që ka shpallur të dhënat është kërkuar që dosja të vinte nga botuesi. Si kriter bazë është ndërmarrë një krijim në proces, por është një vepër e pabotuar më herët”, – shpjegon Prici.
Pas disa vitesh mungesë, ministria e Kulturës pretendon të rikthejë edhe çmimin kombëtar: “Letërsia për Fëmijë”.
“Është drejtë, sepse ka qenë një çmim i munguar për letërsinë për fëmijë, por të shpresojmë që kjo të pasohet dhe nga edicione të tjera, sepse kemi parë që ka shumë prurje nga letërsia e huaj për fëmijë, prandaj duhet që t’i stimulojmë pak autorët që shkruajnë letërsi të tillë”.
Vlera me të cilën do të vlerësohen dorëshkrimet e 5 fituesve, kap shifrën prej 150 000 lekësh.