MENU
klinika

Eli Vizel-i mbijetuari i Holokaustit

Amerikani poliglot shkruante veçse në frëngjisht

02.07.2019 - 12:09

      Shkrimtari, gazetari dhe filozofi amerikan, një nga të mbijetuarit e Holokaustit dhe Çmimi Nobel për Paqen në vitin 1986, vdiq më 2 korrik 2016 në moshën 87-vjeçare. U mbijetoi kampeve të përqendrimit, ku u deportua në vitin 1944, kur ishte vetëm 15 vjeç, ku humbi prindërit dhe njërën nga motrat. Këtë përvojë të papërshkrueshme autori e përshkruan në vitin 1955, në librin e tij “Natë”, libër të cilit iu desh gati dhjetë vjet për ta shkruar.

“Nëse gjatë gjithë jetës sime do të më ishte dashur të shkruaja vetëm një libër, atëherë do të kishte qenë ky. Ashtu siç tejzgjatet e kaluara në të tashmen, ashtu edhe tërë shkrimet e mia pas “Natës”, duke përfshirë edhe ato që flasin për temat biblike, talmudike apo hasidike, ruajnë thellësisht gjurmën e këtij libri dhe nuk mund të kuptohen nga askush, që nuk ka e lexuar këtë vepër timen, të parën fare”, – shprehet Eli Vizel.

 

 

 

 

Eli Vizel lindi në vitin 1928 në qytetin e Sighet, tani pjesë e Rumanisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai, së bashku me familjen dhe hebrenjtë e tjerë të zonës u internuan në kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes gjermane, prej nga mbijetuan vetëm Vizel dhe dy motrat e mëdha. I çliruar nga Buhenvaldi në vitin 1945, u dërgua në Paris, ku studioi në Sorbon dhe më pas punoi si gazetar.

“Natë” ishte libri i tij i parë, një kujtim i përvojave në kampet e përqendrimit. Që atëherë ka shkruar rreth tridhjetë libra, disa prej të cilave i përdorin këto ngjarje si pikë referimi. Në leksionet e tij të shumta, Vizel interesohej për gjendjen e hebrenjve dhe grupeve të tjera që kishin përjetuar persekutim dhe vdekje për shkak të fesë, racës ose origjinës kombëtare.

“Tejet i bindur se ajo periudhë e historisë do të gjykohej dikur, unë u bëra i ndërgjegjshëm që duhej të dëshmoja. E dija gjithashtu që kisha plot gjëra për të rrëfyer, paçka se nuk zotëroja ende të tëra fjalët për t’i treguar ato. I mbushur me dhimbje për shkak të kufizimeve të mia, vura re krejtësisht i pafuqishëm sesi gjuha u kthye në një pengesë. Ishte më se e qartë që ishte e nevojshme të shpikej një gjuhë e re. Por si mundej ndokush të riaftësonte dhe të shndërronte ato fjalë të tradhtuara e të zvetënuara nga armiku? “Uri”, “etje”, “frikë”, “shpërngulje”, “përzgjedhje”, “zjarr”, “oxhak”: të gjitha këto fjalë përmbajnë një kuptim të brendshëm, por në ato kohë, ato kishin të tjera kuptime”, – shprehet autori.

Eli Vizel përfaqëson gjeneratën e të rinjve, fëmijëve dhe adoleshentëve hebrenj, viktima të barbarizmit nazist. Shumica nuk i mbijetuan kampeve të vdekjes, u ka mbetur veçse emri, disave u është dashur të kalojnë përmes ferrit dhe, më pas, të mund të sillnin dëshmitë e gjalla të këtij krimi kundër njerëzimit. Eli Vizel është njëri prej këtyre të fundit dhe ia kushtoi pjesën tjetër të jetës detyrës për të menduar, për të shkruar dhe për të vepruar… Në tekst vuajtja dhe dhimbja fizike bashkohet me dramën e brendshme të djalit të ri, i cili ishte destinuar për një jetë të shenjtë, në përputhje me parimet e besimit të tij dhe që, përballë të keqes dhe shfarosjes pa asnjë arsye të të pafajshmëve, humbet besimin dhe bie pre e nihilizmit. Gjeneza e këtij teksti është komplekse, madje është kulmimi i një rrugëtimi të vështirë brendshëm për të nxjerrë faktet dhe ngjarjet pa u shtrembëruar.

 

 

 

 

 

“Dhe tani, gati dhjetë vjet pas çlirimit të Buhenvaldit, unë e kam kuptuar fort mirë që bota harron shumë shpejt. Sot Gjermania është një shtet sovran. Ushtria gjermane është ringjallur. Ilse Kohu, ajo monstra sadiste famëkeqe e Buhenvaldit, u lejua të bënte fëmijë dhe të jetonte e lumtur tash mbas sodit… Kriminelët e luftës vërdallosen nëpër rrugët e Hamburgut dhe Mynihut. E kaluara duket sikur është fshirë, sikur është varrosur në harresë. Sot ka antisemitë në Gjermani, Francë, madje, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët i tregojnë botës se “përralla” e gjashtë milionë hebrenjve të vrarë s’është gjë tjetër veçse një trillim dhe shumë vetë, ngaqë nuk e dinë punën mirë, edhe mund t’u zenë besë në mos sot, nesër apo pasnesër…”.

“Nganjëherë qëllon që më pyesin nëse kam një përgjigje për atë ç’ka ndodhi në Aushvic. U përgjigjem se nuk e di, por u them gjithashtu që nuk jam i sigurt nëse një tragjedi e asaj përmase ka vërtet ndonjë përgjigje. Ajo çka unë di është vetëm që ka “një përgjigje” në formën e përgjegjësisë. Kur flasim për atë periudhë të së keqes dhe errësirës, që duket aq larg dhe aq pranë njëkohësisht, fjala kyç është “përgjegjësia”.

 

“Por është edhe një tjetër anë e këtij libri të jashtëzakonshëm, që më ka tërhequr vëmendjen. Fëmija, që rrëfen historinë e vet këtu, ishte njëri nga të zgjedhurit e Zotit. Që nga koha kur nisi të mendojë, ai jetoi vetëm për Zotin, duke studiuar Talmudin, i ethshëm për t’iu futur më pas Kabalës, plotësisht i përkushtuar ndaj të Plotfuqishmit. A i kemi marrë ndonjëherë parasysh pasojat e një urrejtjeje më pak të dukshme, më pak të habitshme, e megjithatë më të keqen nga të tëra, për ata që besojnë: vdekjen e Zotit në shpirtin e një fëmije, i cili papritur e pakujtuar përballet me të keqen absolute?” – do të shprehej shkrimtari nobelist Fransua Moriak.

 

Fragment nga fjala e pranimit të Çmimit Nobel nga Eli Vizeli në Oslo, më 10 dhjetor 1986

 

“Ndihem i prekur, tepër i prekur nga fjalët tuaja, Kryetar Arvik. Po e pranoj këtë nderim, – më të lartin që ekziston – që ju keni zgjedhur të ma jepni, me një ndjenjë të thellë përuljeje. E di fort mirë që zgjedhja juaj shkon përtej personit tim. A e kam unë të drejtën të përfaqësoj morinë e atyre që u tretën? A e kam unë të drejtën ta pranoj këtë nder të madh në emër të tyre? Nuk e kam. Askujt s’i lejohet të flasë në emër të të vdekurve, askush nuk mund t’u japë zë ëndrrave dhe përfytyrimeve të tyre të sakatuara. E prapëseprapë unë e ndiej praninë e tyre. E ndiej ngahera – dhe në këtë çast më tepër se kurrë. Praninë e prindërve të mi dhe atë të motrës sime të vogël. Praninë e mësuesve të mi, të shokëve të mi, të bashkudhëtarëve të mi…

 

 

 

 

Ky nder u përket të gjithë të mbijetuarve dhe fëmijëve të tyre, e nëpërmjet nesh, i përket mbarë popullit hebre, me fatin e të cilit unë jam njësuar gjithmonë.

Unë kujtoj atë që ndodhi dje, apo shumë e shumë kohë më parë. Një djalë i vogël hebre zbuloi Mbretërinë e Natës. Më kujtohet hutimi i tij. E kam para sysh ankthin e tij. Çdo gjë ndodhi sa hap e mbyll sytë. Getoja. Syrgjynosja. Vagoni i mbyllur i gjedhëve. Altari përcëllues mbi të cilin historia e njerëzve tanë dhe e ardhmja e njerëzimit ishin fatthënë për t’u sakrifikuar.[…]

Jetët tona nuk na përkasin më vetëm neve, ato u përkasin të gjithë atyre që na e kanë nevojën dhe që janë në kulm të dëshpërimit.

Ju falem nderit, Kryetar Arvik! Ju falem nderit anëtarë të Komitetit Nobel! Të faleminderit, o popull i Norvegjisë, që shpallët me këtë rast të veçantë se mbijetesa jonë paska kuptim për mbarë njerëzimin!”/Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Në Teatrin Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’

‘’Artisti i vetëm’’, Hanz Klip protestë kujt?!

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’