MENU
klinika

Tregu i sigurimeve

AMF: Rritet numri i dëmeve të paguara

02.07.2019 - 22:08

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar të dhënat e tregut të sigurimeve për periudhën janar-maj.

AMF tha se tregu vazhdoi edhe këtë periudhë të mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.19 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.23% dhe veprimtarinë e ri sigurimit me 0.57%.

Megjithatë, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.25% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.75% të totalit të tregut. Dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve gjatë periudhës janar – maj 2019, , arritën në rreth 2,342 milionë lekë, ose 3.73% më shumë se në periudhën janar – maj 2018.

Për sa i përket primeve të sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar – maj 2019 arritën rreth 4,036 milionë lekë, ose 6.04% më shumë se në periudhën janar – maj 2018.

AMF tha se produkti MTPL e brendshme, pati një rritje prej 5.36% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.55% krahasuar me periudhën janar – maj 2018.

Gjithashtu, produkti Karton Jeshil në periudhën janar – maj pati një rritje prej 12.25% të volumit të primeve të shkruara bruto.

Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 47.43% krahasuar me periudhën janar – maj 2018 ndërsa produkti Sigurim Kufitar, për të njëjtën periudhë pati një ulje 12.07% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – maj 2018.

Numri i kontratave gjithashtu u ul me 11.21%.

AMF tha se për sa i përket primeve të sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar – maj 2019 arritën rreth 2,718 milionë lekë, 10.01% më shumë se në periudhën janar – maj 2018. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 2.22% krahasuar me periudhën janar – maj 2018. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar – maj 2019, patën rritje me 7.78% kundrejt periudhës janar – maj 2018.

Nga ana tjetër, portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – maj 2019 siguruan mbi 1,008 milionë lekë të ardhura në total.

Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 69.94%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 18.97% të totalit.