MENU

Ndalimi i Haradinajt

Basha: Austria të refuzojë taktikën e Beogradit

18.07.2019 - 16:53

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas ndalimit dhe më pas lirimit të deputetit të AAK Daut Haradinajt në Vjenë.

Basha e cilëson një provokim për Kosovën me fletarreste ndaj liderëve të saj dhe kërkon që Austria mike të refuzojë këtë taktikë konflikti të Beogradit.

“Me indinjatë mësova lajmin e ndalimit në Vjenë të deputetit të Parlamentit të Kosovës z. Daut Haradinaj, një prej luftëtarëve më të spikatur të çlirimit të Kosovës, për shkak të një fletarresti nga Serbia.

Është një tallje me faktorin ndërkombëtar, me institucionet europiane dhe amerikane, që ndërsa Serbia flet për marrëveshje e bisedime me Kosovën, nga ana tjetër provokon Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar duke vijuar taktikën e dështuar të lëshimit të fletarresteve.

U bëj thirrje autoriteteve të Austrise mike të refuzojnë këtë taktikë konflikti në Ballkan të frymëzuar nga mendësi të vjetra që në të shkuarën hapën plagë për Ballkanin e që vënë në pikëpyetje vullnetin për të ardhmen europiane të rajonit tonë”, deklaron Basha.