MENU
klinika

Çështja e buxhetit

BE shtyn vendimin për Italinë

02.07.2019 - 11:25

Komisioni Europian do të vonojë vendimin e tij mbi borxhin e Italisë për shkak të samitit të liderëve të BE, tha një zyrtar i Bashkimit Europian të hënën. 

Ekzekutivi i BE pritej të vendoste në mbledhjen e tij javore të martën nëse do të rekomandojë veprim disiplinor kundër Italisë mbi borxhin e saj në rritje.

Zyrtari tha se nuk është caktuar asnjë datë kur Komisioni do të takohet për këtë çështje.

Ndërkohë, qeveria italiane pritet të miratojë të hënën masa të reja buxhetore, të cilat ministri i Financave tha se do të korrespondonin me rregullat buxhetore të BE.

“Jemi duke bërë rregullime në buxhet që duhet të miratohen të hënën dhe më pas do t’i dërgojmë masat Komisionit,” tha ministri i Financave i Italisë Giovanni Tria në samitin e G20 në Osaka javën e kaluar.

“Unë jam optimist, sepse unë do të argumentoj se, përgjithësisht, angazhimet që kemi marrë për vitin e ardhshëm dhe ajo që po bëjmë këtë vit korrespondojnë me pajtueshmërinë me rregullat. Pres një rezultat pozitiv “. Udhëheqësit e BE do të rifillojnë takimin e tyre të martën.

Ndërkohë, Presidenti francez, Emmanuel Macron kritikoi të hënën dështimin e radhës të një samiti të BE-së për postet më të rëndësishme të unionit, pas zgjedhjeve në Parlamentin Europian, duke theksuar se një veprim i tillë pasqyron një imazh joserioz për Europën, kështu që ajo nuk mund të jetë e besueshme as ndërkombëtarisht.

Pas një nate me negociata të pasuksesshme, presidenti francez ka njoftuar i irrituar për “takime shumë të gjata që nuk çojnë asgjëkundi” dhe “orë të kaluara me pallavra”.

”Gjetja e një zgjidhjeje nuk është e lehtë”, thonë burime europiane, që shtojnë se emri i holandezit Frans Timmermans është ndërmjet më të dëshiruarve.

Nuk përjashtohet që shumë shpejt të gjendet emri i presidentit të ardhshëm të Këshillit Europian.