MENU
klinika

Shën Jeronimi

Bibla (e plotë) që foli latinisht

26.07.2019 - 13:20

Kur marrim në duar Biblën, librin më të botuar në historinë e botimit botëror, nuk mund të mos mendojmë një çast për atë që e shkroi në gjuhën latinishte, për Shën Jeronimin, autorin e Vulgatës, siç u quajt atëherë, atë që pas një studimi të vazhdueshëm shumëvjeçar, i dha Krishterimit dhe kulturës njerëzore versionin më të saktë dhe më të përafërt të Librit të Shenjtë, ku u bashkuan përfundimisht Testamenti i Vjetër hebraik me Testamentin e Ri kristian, dy libra në vazhdimësi të një besimi e një kulture të përbashkët. Vulgata e Jeronimit, e përkthyer më pas në të gjitha gjuhët e botës, e përkthyer nga Lutheri, Calvini, Erasmus, etj, nëpër shekuj do të frymëzonte artistët më të mëdhenj të kohës, nga Da Vinçi e Michelangelo, tek Raffaelo, Van Ejk e Van Dyck, duke vazhduar me Montagna, Della Francesca, Rubens, Rembrandt dhe piktura flamande, El Greco, Rilindja e gjer në ditët tona. Që atëherë, i shpallur shenjt pas vdekjes, Jeronimi, ky asket e murg i tërhequr në një manastir të Bethlehemit, më i varfër se të varfërit, i cili jetoi larg shkëlqimeve të Romës e Konstantinopojës, do të konsiderohej si një nga katër etërit e Kishës Kristiane.

Kush ishte ky njeri dhe nga vinte ai?

 

 

 

 

 

«Qumështi katolik»

———-

 

 

Jeronimi, (Hieronymus) ishte i biri i Eusebius dhe kishte lindur në Stridon, i cili më pas do të shkatërrohej rrafsh nga gotët. Ky vënd shtrihej atëherë në kufirin midis Dalmacisë dhe Pannomie-s (shumë pranë Ljubjanës së sotme) dhe siç shkruan vetë Jeronimi në librin e tij De viris illustrabus, Stridon-i nuk u rezistoi dot dyndjeve barbare të fundit të shekullit IV. Siç thotë dhe një nga biografet e sotme të Jeronimit, Anne Bernet, “Jeronimi duhet të ketë lindur në vitin 347 dhe Stridoni ndodhej jo larg Aquilon-it dhe Triestes”. Historiani Prosper d’Aquitaine e vendos lindjen e tij në vitin 331. «Unë kam lindur i krishterë, nga prindër kristianë dhe në ballë kisha flamurin e Kryqit», ka shkruar Jeronimi. Vetë ai, shkruante me ironi në librin e tij Korrespondenca se «Vendi  im ishte skllav i jetës fshatare. Për Zot kishim barkun dhe jetonim ditë më ditë. Më i pasuri ishte më i shenjti». Atëherë, Stridoni kishte një popullsi katolike dhe kishte një peshkop.

Lidhur me prejardhjen e familjes së tij, duke u nisur nga emri i tij dhe i të atit, të parët e familjes duhej të kishin ardhur nga Greqia, përmes «Via Egnatia» që lidhte Romën me Azinë e Vogël. Shumica e emigrantëve që lëviznin atëherë ishin tregtarë, të cilët kur vinin, i latinizonin emrat e tyre dhe martoheshin me gra latine. Vetë Jeronimi ka shkruar: “Që në djep unë u ushqeva me qumështin katolik”. Atë e rriti në fakt gjyshja e tij. Dihet gjithashtu se  në vitin 359, ai shkoi të ndjekë shkollën në Romë, ku studioi Virgjilin, Ciceronin, lexoi librat e autorëve të mëdhenj antikë si Horaci, Tit-Liv, Juvenal, Seneka, Lukreci apo Plini. Mbi të gjithë i pëlqenin Ciceroni dhe Horaci. Në atë kohë, në fron ishte perandori Julien, i cili pushtoi Konstantinopojën dhe pastaj sulmoi Persinë. Por, Julieni vdiq i ri.

Në rininë e tij, Jeronimi kalonte një jetë plot dëfrime. Biografët e tij tregojnë se rinia e tij ishte gjithë festime, pije dhe femra.  Më pas, ai vazhdoi kursin universitar. Por pas kësaj përvoje, Jeronimi i ri zgjodhi rrugën e Kristianizmit dhe meqë kishte marrë mësime në greqisht, ai kërkoi të zbulonte Biblën. Roma në atë kohë mbetej ende qendra e Kristianizmit, edhe pse Papa Libere ishte kritikuar, pasi ishte larguar disi nga “credo” e vendimeve të Nikesë, si pasojë e presioneve të Konstancës II. Por, Libere vdiq në vitin 366. Konstantinopoja dhe Aleksandria mbeteshin dy qendrat e tjera të mëdha të Kristianizmit.

 

 

Nga Dyrrahium drejt Konstantinopojës

——-

 

Librat kristianë dhe veçanërisht disa nga librat e Biblës, e cila qarkullonte në gjuhën greke, e kishin frymëzuar Jeronimin. Kështu, ai vendosi të ndërmarrë një udhëtim drejt Konstantinopojës dhe për këtë, si të gjithë udhëtarët e asaj kohe, duhej të ndiqte «Via Egnatian». Siç shkruhet në shkrimet e atyre kohëve, rruga ishte e lodhshme dhe ai provoi urinë. Pas një udhëtimi në det, ai zbarkoi në Dyrrahium, por nuk ka të dhëna se sa kohë qëndroi në këtë qytet, i cili ishte një qytet-port i rëndësishëm i brigjeve të Adriatikut. Por rrugës, Jeronimi vendosi të shkojë dhe më larg: t’i drejtohej Antioche-s, ku kishte një “scriptorium” ku kishin filluar të shkruheshin librat e parë kristianë nga murgjit skribë. Libri ishte pasioni më i madh i djaloshit Jeronim. Më së fundi, ai arriti në Antioche dhe që andej udhëtoi nëpër shkretëtirë, ku ra në kontakt me disa kisha, ku kishte tekste të vjetra, si në Chalcis e gjetkë.

Kur shkruajnë për Jeronimin, jo rrallë historianët i referohen dhe ëndrrës së famshme të tij të kësaj periudhe, çka shpreh si të thuash dhe piknisjen e tij për t’iu kushtuar letërsisë hyjnore. Deri atëherë, Jeronimi adhuronte autorët e vjetër romakë, letërsinë humaniste, por kjo ëndërr i tregoi shtigje të reja. «Po shkoja në Jeruzalem të bëhesha ushtar i Krishtit, – shkruan ai në Letra (22, 30). – Isha i sëmurë,  me ethe dhe ndjeva se në atë botë të errët dhe të nëndheshme po më bënin gjyqin. Ai që kryesonte proçesin më pyeti se çfarë isha. Dhe unë i thashë: – “Kristian!” – Por kryetari i tyre tha: – “Ti nuk je kristian, ti je një “ciceronas”. – Dhe ata filluan të më godisnin. Më torturuan dhe unë ndërkohë pyesja veten: – “Po në ferr, kush do më lëvdojë?” Atëherë fillova të rënkoj dhe të lutem: – “O Zot, keni mëshirë për mua!” Këto fjalë tingëllonin midis zhurmës së kamzhikëve. Pastaj ata më mëshiruan, me kusht që të mos lexoja më libra paganë. Dhe unë fillova të pohoj: – “Zot! Nëse do të lexoj libra paganë, dije se të kam mohuar!… ” Me këtë betim, ata më lanë dhe unë u ngrita në sipërfaqe të tokës. Për habi të të gjithëve, kur hapa sytë, nga lotët që kisha binda dhe më budallenjtë… Që nga ajo kohë lexova libra hyjnorë po me aq zell sa dhe ç’kisha lexuar librat njerëzorë

 

 

 

 

 

Jeronimi e kuptoi se duhej të lexonte me saktësi librat e Testamentit të Vjetër, librat e Moisiut, etj, dhe për këtë i duhej të mësonte hebraishten. Por kjo nuk ishte e lehtë, siç e përshkruan ai dhe në përmbledhjen Korrespondenca, (Letra 125,12): – «Kur isha i ri dhe i rrethuar si me mur nga shkretëtirat e vetmisë, nuk mund t’i duroja dot sulmet, veset dhe zjarrin e natyrës time. Dhe për t’i mposhtur, shpesh rrija pa ngrënë, por shpirti vazhdonte të ziente përbrënda. Për ta mposhtur këtë shpirt, nën drejtimin e një hebreu të konvertuar në kristian, fillova të mësoj alfabetin hebre dhe kështu pas gjithë atyre finesave të një Quintilien, pas pasurisë së fjalëve të një Ciceroni, pas fjalëve të mënçura të një Fronton-i dhe gjuhës së ëmbël të Plinit, duhej të përdorja fjalë që fërshëllenin dhe të merrnin frymën. Ç’lodhje e vështirësi provova, aq saqë shumë herë e lashë këtë sprovë, por me dëshirën për ta mësuar atë gjuhë e fillova sërrish. Shpirti im është dëshmitar dhe e di  se sa shumë vuajta!... »

Kur u kthye në Romë, Papa e thirri dhe e pyeti se ç’shkruanin ortodoksët për Krishtin. Siç dihet, në atë kohë kishte shumë ungjij ku shkruhej për Jezunë dhe apostujt e tij. Shumë tregime nuk ishin të njëjta dhe Papa ndjente nevojën që të kishte një tekst në latinisht që të përdorej zyrtarisht nga kisha dhe njëlloj për të gjithë. Por për këtë duhej një njeri i ditur, që njihte mirë greqishten dhe hebraishten dhe që ishte i pasionuar. Ky njeri ishte pikërisht Jeronimi dhe Papa nuk e kishte pikasur më kot. Kështu në vitin 384, ai iu vu punës për përkthimin e Biblës së shkruar në greqisht, e cila atëherë quhej “Septante”, pasi ajo ishte përkthyer nga hebraishtja nga 70 (Septante) murgj hebrenj ortodoksë, të kohës së Ptolemeut të Aleksandrisë. Barra që Jeronimi mori përsipër ishte e jashtëzakonëshme, pasi duhej të krahasonte tekste të vjetra dhe shumë libra që ishin shkruar si në hebraisht e greqisht, ashtu dhe në gjuhën latine. Por shpejt ai vuri re se kishte mospërputhje të mëdha midis teksteve. Më së fundi, pas një studimi disavjeçar, ai vendosi t’i besojë vetëm një teksti në versionin grek, dorëshkrimit apo kodikut që quhej «Sinaiticus», një kodik i atyre viteve, i cili ishte shkruar nga skribët murgj të asaj kohe.

 

 

« Vulgata »

—–

 

Jeronimi ishte mik i hebrenjve eruditë, të cilët i sillnin libra e dorëshkrime të vjetra. Ai arriti të studionte kështu një Traktat mbi Shpirtin e Shenjtë, (Saint-Esprit) të Didyme i Verbër, i cili drejtonte shkollën fetare të Aleksandrisë, si dhe dy “homeli” të Origene mbi Kantika e kantikëve, që bënte pjesë në Testamentin e Vjetër të hebrenjve. Në atë kohë, në krye të Kishës Kristiane ishte papa Damase, i cili e çmonte shumë Jeronimin. Madje dhe librin e tij Vulgata, (Bibla greke «Septante» e përkthyer në latinisht), ai do t’ia dedikonte atij dhe ku në faqen e parë shkruante: ”Ai (Origene) e ka tejkaluar vetveten me veprën e tij. Ky libër që i dedikoj, është sa për të shijuar kënaqësinë e leximit të kësaj vepre dhe për vlerën që i duhet kushtuar”.

Por në atë kohë, në Romë, Papën nuk e donin dhe favoritin e tij, Jeronimin, filluan ta shikonin shtrembër. Në qytet, ai s’kishte asnjë mik tjetër dhe të shumtë ishin ata që donin ta përzinin këtë prift, i cili në fund të fundit, për ata ishte thjesht një murg dhe askush tjetër. Në vitin 384, papa vdiq dhe ai e ndjeu veten të vetëm dhe të kërcënuar. Një çast mendoi se në vend të Damase mund të zgjidhnin dhe atë, meqë për të flitej si njeriu më i ditur në Romë, por në fakt si papë u zgjodh Sirice, i cili mendonte se puna që kishte bërë Jeronimi mbi Testamentin e Ri ishte një sakrilegj dhe që e kishte dëmtuar Kishën. Ai e urrente Jeronimin dhe e largoi menjëherë nga pozicioni fetar e zyrtar që ai kishte pranë Selisë së Shenjtë. Kështu, Jeronimi nuk u pagua më dhe ai s’kishte me çfarë të jetonte. Ja pse ai mendoi të kthehej në Antioche, edhe pse e kishte vështirë ta braktiste Romën, megjithëse tashmë ishte i ndërgjegjshëm se Selia e Shenjtë ishte një seli e korruptuar.

Siç shkruan studiuesja Anne Bernet, Jeronimi dashuronte në atë kohë Marçelën, që ishte e ve dhe ai i kërkoi asaj që ta ndiqte atë dhe të iknin sëbashku nga ky qytet i turbullirave dhe diku larg të bënin një jetë të thjeshtë, larg qefeve dhe luksit, duke iu përkushtuar njëri tjetrit, fesë dhe kënaqësisë së natyrës. Dhe ashtu bënë. Ata u larguan në një fshat larg Romës, por shpejt Marçela u mërzit dhe nuk e deshi jetën e fshatit. Në atë kohë në Romë, Jeronimi kritikohej dhe shahej. Në muret e qytetit ishin shkruar ngado sharjet kundër tij, si dhe kishte karikatura të ndryshme. Madje, ata e shihnin atë si një kristian që vinte nga Kisha e Lindjes, meqë ishte pagëzuar në Antioche. Kisha e Romës i shikonte me mosbesim të gjithë kristianët që vinin nga Lindja. Por ndërkohë, Jeronimi e kishte bërë për vete «patricen» Paula, mikeshën e tij, një aristokrate e ve dhe e pasur e qytetit. Megjithatë, kundërshtarët e tij i sajojnë një proçes me akuza, se gjoja kishte marrëdhënie me shumë femra, si dhe me Paulën, e cila në fakt, kishte pesë fëmijë dhe njëra nga to ishte gruaja e senatorit Pammachius, ndërsa një tjetër ishte virgjëreshë. Ata kërkonin që ta zbonin drejt Antioche-s. E akuzonin gjithashtu, se rrinte me një turmë virgjëreshash dhe grash të veja, të cilave në fakt, ai u mësonte historitë e lindjes së Krishtërimit. Edhe sot ruhen afreske që tregojnë këtë episod të jetës së tij, ku i rrethuar nga gra, ai u predikonte mbi jetën e Jezusë. Në gjyqin e organizuar ndaj tij, Jeronimi u revoltua shumë dhe i denoncoi me prova të gjithë ata që dëshmonin kundër tij. “Eshtë e vërtetë që gjatë tre vjetëve kam jetuar me to.  Shpesh më ka rrethuar një tufë e madhe virgjëreshash.  Mësimi kishte krijuar zellin, zelli familjaritetin dhe familjariteti besimin mes nesh. Por, vallë a kam pranuar ndonjëherë para nga ato? – iu drejtua ai gjykatësve. – Jo!..  A kanë tingëlluar paratë në duart e mia? A ishte i pacipë vështrimi im ndaj tyre? Jo…  Ju  qortoni vetëm gjininë time!… (Letra, 45).

 

 

 

 

Më së fundi, ai arriti ta bindë Paulën dhe Melonian që ta ndiqnin atë në udhën e tij drejt vendit të shenjtë dhe ta braktisnin jetën e kryeqytetit, atë jetë qejfesh e luksi. Dhe ato u bindën. Madje, Paula ishte gati ta ndiqte deri në Jeruzalem dhe të bënte jetën e një murgeshe, duke iu kushtuar Jezusë. Në fakt, rrugën e grave drejt Jeruzalemit e kishte hapur më parë Augusta Helena, nëna e prandorit Konstantin të Konstantinopojës, e cila, siç flitej, kishte gjetur Kryqin ku ishte kryqëzuar Krishti dhe kishte ndërtuar një kishë në përkujtim të veprës së tij. Tashmë dhe gratë kishin filluar të bënin pelegrinazh në vendlindjen e Jezusë. Paula mori me vete dhe vajzën e saj Eustochia dhe në vjeshtë, ato u nisën për t’u takuar me Jernonimin në Reggio Calabria dhe që andej, të merrnin rrugën drejt ishujve grekë Cyclades dhe pastaj t’i drejtoheshin Qipros.

 

 

Rrugëtimi drejt Jeruzalemit

——

 

Palestina atëherë dukej sikur ishte fundi i botës. Ndërkohë, Jeronimi ishte nisur me një grup tjetër dhe priste, që pastaj, së bashku të niseshin drejt Fenicie në drejtim të Cesare-së, që atëherë ishte qyteza e prokuratorëve romakë. Në këtë kohë Jeronimi ishte 38-vjeçar dhe për të tretën herë, ai u detyrua të mërgojë. I poshtëruar dhe i zëmëruar, ai që dikur ishte ndihmësi më i afërt i Papës, i cili e kishte ngarkuar të hartonte Testamentin e vërtetë të Kishës, tashmë detyrohej të merrte udhën drejt Jeruzalemit. Dhe gjatë gjithë udhëtimit të tij, Paula e ndihmoi financiarisht. Në fillim, ai la Porto Romanus dhe ndaloi  me anije në Mesinë. Që andej ata morën udhën drejt ishujve grekë, drejt Salaminës e pastaj drejt Qipros e Antrioche-s, ku e priste miku i tij i vjetër Evagrios. Me vete, Jeronimi kishte marrë dhe vëllain e tij të vogël, Polinianus. Sigurisht, udhëtimi i tyre atë kohë ishte i vështirë. Pasi morën në Qipro, një rekomandim nga peshkopi i qytetit, për peshkopin Gjon të Jeruzalemit, rrugës kur ndaluan në Cesare ata pikasën se Pallati i Poncit Pilatit, atij që kishte kryqëzuar Krishtin, ishte ende i paprekur.

Kur mbërriti në qytet, Jeronimi kërkoi të shikonte bibliotekën e martirit Pamfil, që ishte pasuruar nga peshkopi Eusebe. Pasi qëndroi disa kohë atje, ata shkuan në Jope (Jafa), në brigjet e Palestinës dhe më së fundi, arritën në Jeruzalem. Jeronimi e donte Paulën, me të cilën kishte një lidhje shpirtërore. Jeruzalemi ishte shkatërruar disa herë, por teatri i vjetër, cirku, hipodromi dhe tempujt e vjetër qëndronin ende. Falë kujdesit të Konstantinit, vendi afër varrit të Krishtit që ishte kthyer më parë në «lupanar» (bordello), ishte pastruar dhe ndërkohë ishte ngritur dhe kisha e Nativitetit e lindjes së Jezusë, e cila ishte një godinë gati mbretërore. Që të tre, Jeronimi, Paula dhe Julia shkonin nga njëra kishë në tjetrën, duke adhuruar kryqin që kishte vendosur nëna e perandorit Konstantin. Ata shkuan në varrin e Jezusë, në Saint-Sepulcre, iu ngjitën Malit të Ullinjve dhe ndaluan në shtëpinë e prindërve të Mark ungjillorit. Nga afër ata panë fortesën Antonia apo kollonën e fshikullimit me kamzhik  të Jezusë.

Pas një kohe, për të njohur Judenë dhe Galileun, Jeronimi dhe Paula u larguan nga Jeruzalemi, duke shkuar drejt Bethlehemit, Gazës e pastaj në Gomorrhe dhe Bethanie, ku kishte jetuar Lazari. Më pas, ata vazhduan buzë lumit Jordan, në Nazareth, në Capharnaum e Tiberiade. Udhëtimi i tyre ishte i vështirë, por dy gratë e ndoqën atë, meqë Jeronimi donte të shkonte patjetër në Aleksandri. Por, çuditërisht ata ndryshuan mendim. Meqë Bethlehemi u pëlqeu, ata vendosën të mos shkonin më tej dhe të jetonin së bashku, duke iu përkushtuar kishës.

Në Bethlehem, Jeronimi vazhdoi pasionin e tij, atë të të shkruarit. Ai kishte shkruar librin Jeta e Palit eremit, i cili kishte patur shumë sukses në botën kristiane dhe tani po shkruante librin tjetër Jeta e Malchus, një novelë me historinë e një murgu që dikur ai e kishte takuar në Antioche, te miku i tij Evagrios. Pas këtij libri, ai u ul të shkruante një histori të çuditshme dhe të vërtetë: libri quhej Jeta e Hilarionit dhe tregonte historinë e një djaloshi nga Gaza, që admironte “Antuan egjiptianin», si ati shpirtëror i «monachisme-s». Ky djalosh ishte tërhequr tashmë në një vend të shkretë, ku jetonte si eremit dhe djalli e kishte ndjekur, duke dashur ta ndillte me gra dhe tundime të ndryshme. Por, ai e kishte zotëruar veten. Për këtë, Zoti i kishte dhënë atij cilësinë e shëronjësit të shenjtë që bënte çudira për të mjerët, të cilët jetonin në kënetë. Por kur në fuqi erdhi perandor Juliani, atë e përndoqën dhe u detyrua të largohet në Qipro… Ky libër, cilësohet nga studiuesit si një nga librat më të bukur të Jeronimit.

 

 

 

 

 

Sidoqoftë, objektivi kryesor i Jeronimit ishte të mbaronte përgatitjen e gjithë korpusit të Biblës në gjuhën latine. Edhe pse kishte probleme me sytë, për të shkruar e ndihmonin disa sekretare. Ai fliste, ndërsa ato shkruanin. Kështu, ai ripunoi Komentarin e Ungjillit sipas Shën Lukës; analizoi lidhjen e Testamentit të Vjetër dhe ungjillorëve; komentoi Letrat e Shën Palit, etj. Ai e kuptoi, se perëndimorët nuk e njihnin pothuajse fare Testamentin e Vjetër. Jeronimi kërkoi të shpjegojë judaizmin, edhe pse në Evropë nuk e donin këtë fe. Ja pse ai shkroi dhe librin Çështje hebraike mbi Gjenezën, si dhe librin tjetër, Fjalor i vendeve të shenjta të Biblës së Vjetër. Madje, duke menduar gjithnjë rreth librit të “Septante”-s, ai kërkoi t’u rikthehej teksteve hebraike, çka për kohën ishte diçka e guximshme, revolucionare dhe e pamendueshme. Ai mendonte se edhe miku i tij i dikurshëm Damase, po të ishte gjallë, prapë nuk do ta mbështeste në këtë ndërmarrje, nga frika se te fanatikët mund të ngjallte demonë të vjetër. Duke lexuar dorëshkrimet e vjetra, Jeronimi kishte zbuluar se murgjit skribë që kishin përkthyer Biblën në greqisht, kishin gabuar në disa vende. Shumë pasazhe të Biblës ishin eliminuar. Ai deklaroi, se ungjillorët kishin të drejtë dhe se faji kishte qenë i përkthyesve. Duke krahasuar tekstin hebraik dhe tekstin grek te Libri i Jobit, ai zbuloi se një e pesta e tekstit mungonte. Sigurisht, ai e vlerësonte shumë Septante-n, por versioni i tij në latinisht ishte më i saktë, duke na dhënë kështu Biblën që sot ka Kisha kristiane. Ai arriti të përkthente në latinisht tri librat e Solomonit, si: Proverbat, Ecclesiaste dhe Kantika e Kantikëve.

 

 

I persekutuari

——

 

I lumtur për punën e tij të stërmundimshme, ai donte që këto dorëshkrime të fundit t’i prezantonte në Romë, por tashmë Jeronimi e kishte të ndaluar të hynte në Romë. Ai dhe vëllai i tij ishin të persekutuar, ashtu si më parë Shën Pali, Etienne, etj, pasi jo vetëm që e kishin të ndaluar të shkonin në Romë, por dhe në Jeruzalem, pasi peshkopi i Jeruzalemit, Gjoni, ishte një nga kundërshtarët e tij doktrinarë. Por në vitin 395, nga Roma erdhi Marcella, mikesha e tij e dikurshme dhe një bukuroshe e quajtur Fabiola, e cila do të vendosej në manastirin ku punonte Paula. Kjo vajzë u mrekullua aq shumë nga Paula, saqë vendosi të qëndronte dhe ajo në manastir. Ndërkohë, me vdekjen e Theodhosit (i cili kishte arritur ta bashkonte Perandorinë dhe kishte drejtuar koncilin e Konstantinopojës, duke ripohuar vendimet e koncilit të Nikesë) tashmë Perandoria ishte përçarë sërrish. Hunët ishin gati të dyndeshin mbi romakët dhe drejt Perëndimit në përgjithësi. Në vitin 397, sipas shkrimeve të vjetra, mësohet se Jeronimi vuante nga një ulçer dhe gjëndej në gjëndje kritike, pasi ai jetonte në një skamje të madhe dhe s’kishte para. Ndërkohë një tjetër studjues, më i ri se ai, por mjaft i mënçur, u takua me të: ky ishte Agustini, apo Shën Agustini i ardhshëm. Ai kishte qënë një universitar i shkëlqyer i Kartagjenës dhe pastaj profesor i retorikës në Milano dhe ishte kleri i Aleksandrisë që e kishte dërguar të takohej me Jeronimin lidhur me traditën hebraike në Biblën kristiane. Agustini ishte kritik ndaj versioneve hebraikë.

Ndërkohë, Jeronimi mendonte gjithnjë për t’u kthyer në Romë. Për këtë, ai iu drejtua mikeshës së tij Marcella, që ta ndihmonte, meqë tashmë ajo ishte kthyer në Romë dhe me forcën e diplomacisë së saj, me njohjet në rrethet e larta, ajo arriti ta heqë këtë pengesë për ardhjen e tij. Në të njëjtën kohë një papë i ri u zgjodh në Romë: ky ishte Anastase, i cili e çmonte veprën e Jeronimit.

Por vitet kalonin dhe shëndeti i Jeronimit rëndohej gjithnjë e më shumë. Paula kishte vdekur në vitin 404 dhe ishte varrosur pranë shpellës së Bethlehemit. Gjatë dy viteve, deri në vitin 406, Jeronimi iu vu punës për përkthimin në latinisht të librit Pentateuque. Ndërkohë, gotët ishin në portat e Milanos. Më së fundi të thyer, në vitin 410, romakët ia dorëzuan kryeqytetin visigotëve. Gjatë tri ditëve me radhë, Roma u plaçkit dhe u dogj nga flakët. Marçelën e kapën si robinë dhe e linçuan, duke e lënë të vdekur tek mbronte vajzën e saj.

 

 

 

 

 

 

Fundi i shenjtit

—–

 

Ishte viti 415, kur një turmë vandalësh, të nxitur nga Gjoni, peshkopi i Jeruzalemit, kishte hyrë në kishën ku punonte Jeronimi dhe në mungesë të tij kishin rrahur për vdekje dhjakun që ruante. Kur Jeronimi dhe Eustachia ishin kthyer në kishë, ata kishin gjetur dhjakun e linçuar dhe librat të grisur dhe të hedhur në tokë. Dëmet ishin të mëdha. Duke qënë se Eustachia i përkiste rretheve të larta, ajo u nis të takonte papën Innocent, që ai t’i ndihmonte. Ai pranoi ta dëgjonte, por ndërkohë papa vdiq dhe ishte papa i ri Boniface, ai që do t’i shkruante Jeronimit një letër të ngrohtë dhe përgëzuese. Në vitin 418, atij i vdiq Eustachia, që ishte bërë si vajza e tij. Që nga ajo kohë, Jeronimi ndjeu një dhimbje dhe vetmi të madhe. Ai u dergj në shtrat, për një kohë të gjatë. Biografia e tij Anne Bernet, shkruan se kur vdiq «askush nuk foli për të, asnjë elozh funebër nuk u tha». Sipas dëshirës së tij, atë e varrosën pranë Paulës, në Bazilikën e Nativitetit. Por, pas vdekjes së tij, meqë kishte kundërshtarë të shumtë në Jeruzalem, manastiret ku kishte punuar u zhdukën njëra pas tjetrës. Trupi i tij humbi dhe nuk u gjet më. Dorëshkrime të vjetra shkruajnë se në vitin 638, kur arabët sulmuan mbi Tokën e Shenjtë, reliket e Jeronimit dhe të Markut të Aleksandrisë u çuan në Perëndim, për t’u vendosur në bazilikën e Santa Maria Maggiore të Romës. Koncili katolik i Trente-s e njohu Vulgatën e Jeronimit, si tekstin më të saktë dhe autentik të Biblës dhe që atëherë, Jeronimi u mbajt si patroni i përkthyesve dhe i bibliografëve.

 

Luan Rama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mes pikturës e poezisë

Gibran: Natyra si qenie e gjallë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit