Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta duket se ka rënë në “dashuri” me tifozët e Celtic dhe anasjelltas.
Me ta u takua, bëri një foto dhe u përfshi në “ole-në” e tyre, para ndeshjes së skuadrës së njohur skoceze me Sarajevo, në mesjavë.
Kreu i shtetit shqiptar ndodhej për një samit me kolegët e tjerë ballkanas në kryeqytetin boshnjak dhe u bë pjesë e entuziasmit të tifozërisë mike.
Meta ka ka ndarë më ndjekësit e tij në rrjetet sociale videon e një goli të Rudi Vatës në derbin ndaj Rangers, duke u bërë temë e dy gazetave prestigjoze, ‘The Sun’ dhe ‘The Times’.
“Politikani i njohur shqiptar u shfaq duke festuar me tifozët skocezë në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, në fillim të javës pak para ndeshjes së vlefshme për turin kualifikues të Champions League”, shkruan “The Sun”, që thekson se afeksioni i papritur i kreut të shtetit shqiptar për klubin e famshëm skocez zor se do të venitet shpejt.
Tabolidi britanik nënvizon se fanella me të cilën pozon Presidenti Meta është një dhuratë e ish-yllit të Celtic dhe ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, Rudi Vata.
“Ju uroj tifozëve të Celtic FC vetëm fitore dhe ju përshëndes me këtë gol të paharruar të Rudi Vatës në derbin e jetës suaj!”, shkruhet në postimin e Metës, që siç raporton edhe “The Sun” ka marrë komente pozitive nga tifozët skocezë të Celtic.
Gjithashtu, gazeta më e madhe britanike “The Times” ka publikuar në faqen 3 të numrit të sotëm një artikull për videon e Metës, i cili festonte me tifozët e Celtic FC në rrugët e Sarajevës.
“Presidenti i Shqipërisë zbulon se është një tifoz i Celtic”, është titulli i artikullit, që shpjegon më tej se si Meta është bërë tashmë pjesë e një liste të famshme personalitetesh botërore që deklarohen si mbështetës të gjigandit skocez. Meta është bashkuar me reperin Snoop Dogg, dhe aktoren Jennifer Love Hewitt, në listën e gjatë e të pazakontëve me emrat e personaliteteve të famshme botërore që mbështesin skuadrën e Celtic”, shkruhet ndër të tjera në artikull.