MENU
klinika

Opinion

Bota paralele e Lulit, Monës dhe Ilirit

18.07.2019 - 10:10

Nga Carlo Bollino

Ekziston një botë paralele në Shqipëri, në të cilën jetojnë Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta. Një botë virtuale, që e ka krijuar opozita e bashkuar pas muaj e muaj protestash dhe ku ka vendosur të strehohet, pasi nuk ka arritur ta fitojë qeverisjen në botën reale. Në këtë botë paralele presidenti i republikës (virtuale) shpall zgjedhje (virtuale), në të cilat disa parti (virtuale) vendosin të marrin pjesë, duke shpallur, madje, edhe hapjen e fushatës elektorale, siç ka bërë dje Monika.

Presidenti shpall rikandidimin e tij në zgjedhje presidenciale (virtuale), që do të zhvillohen më 13 tetor, duke u vetëshpallur kështu kryetar i një republike presidenciale (virtuale), ndërkohë që Lulzim Basha premton që, para se të shkojë në votime (virtuale), synon të rimëkëmbë ekonominë e vendit: projekt ambicioz, të cilin me sa duket synon ta realizojë në pozicionin e kreut të qeverisë së tij virtuale. Për të mundësuar zgjedhjen nga populli të presidentit të republikës më 13 tetor, siç bëri të ditur Ilir Meta, Basha është i gatshëm të ndryshojë Kushtetutën në Kuvend, në të cilin, ama, ka zgjedhur vetë të mos marrë më pjesë dhe kështu që kuptohet se, edhe Kushtetuta, edhe Parlamenti, për të cilat aludon, janë edhe ato virtuale.

Prokuroria virtuale, lider i së cilës është vetëshpallur Lulzim Basha, ndërkohë, duhet të çojë para gjyqit të gjithë kundërshtarët e tij, ata, të cilët tashmë në botën reale kanë marrë kontrollin (duke fituar zgjedhje të diskutueshme, por reale) e 61 bashkive reale, të cilat opozita i humbi. Në realitet, në botën e tyre paralele, Luli dhe Monika janë të bindur për të kundërtën dhe njoftojnë me tone triumfuese se i kanë fituar zgjedhjet (reale), në të cilat nuk morën pjesë dhe shkojnë anembanë vendit duke falenderuar zgjedhësit (virtualë), të cilët, sipas tyre, i kanë mbështetur.

Kanë bërë një llogari (virtuale) se 85 për qind e vendit është nga ana e tyre. Është ky 85-përqindësh (virtual) shqiptarësh, që jetojnë në botën paralele të opozitës dhe kjo shpjegon pse tek protestat e opozitës, të cilat u bënë në botën reale, u pa të merrnin pjesë vetëm disa mijëra militantë dhe jo 2.5 milionë shqiptarë, që, sipas opozitës, janë në krah të saj.

Bota paralele e opozitës ndahet dukshëm në të mirë e të këqij: të mirët janë aleatët e Lulit, Monës dhe Ilirit, ndërsa të këqijtë janë gjithë të tjerët. Gjykatësi (virtual) që gjykon, fal, dënon dhe ndan të mirët nga të këqijtë është pikërisht Lulzim Basha vetë dhe ai vepron në bazë të një kriteri, që e dinë të gjithë: bota paralele, në të cilën jeton opozita, në fakt, është rigorozisht moniste e kështu, mjafton të shprehësh edhe më të thjeshtën ide kundër opozitës, që të klasifikohesh automatikisht armik. Për të dënuar një armik, nuk ka nevojë për prova reale në botën paralele të opozitës: mjaftojnë perceptimet dhe opinionet e gazetarëve aleatë. Çfarëdo gjë që shkruan një media, është e vërtetë. Natyrisht, kjo vlen vetëm për armiqtë, pasi mediat që kritikojnë opozitën, në të kundërt, gjithnjë gënjejnë, sepse janë “të kapura”.

Në këtë botë paralele vrapoi të strehohet edhe ish-presidenti Sali Berisha, i cili, në të vërtetë, ka filluar shumë kohë më parë se Luli te jetojë jashtë realitetit. Në rolin e tij të presidentit honorifik (virtual), Berisha shpall ditë për ditë, që prej të paktën gjashtë vjetësh, fillimin e revolucionit popullor (natyrisht virtual), duke u premtuar kundërshtarëve se së shpejti vjen apokalipsi (virtual), që do t’i tërheqë të gjithë në ferr, ndërsa ai, Luli dhe Iliri, të ngarkuar nga lart me një mision spastrimi, do ta çlirojnë Shqipërinë nga mafia, duke zhdukur çdo formë të kriminalitetit dhe drogës, duke fshirë nga faqja e dheut korrupsionin, duke eliminuar taksat, duke kthyer pronat, duke pasuruar popullin, duke djegur në flakadanë nëpër sheshe oligarkët, duke ndaluar kullat, duke ndërtuar rrugë të reja e duke u dhënë një liri të plotë mediave. Vetëm se, nuk shpjegojnë se përse nuk kanë bërë asgjë nga të gjitha këto kur ishin në pushtet.

Por e bukura e botës paralele është se mund të premtosh pa mbajtur premtimet, mund të gënjesh pa u detyruar të përgënjeshtrosh, të dënosh e të falësh pa patur nevojë për gjykata dhe natyrisht të fitosh zgjedhjet edhe pa marrë pjesë në to. Ndërsa e shëmtuara është se një ditë ëndrra do të mbarojë edhe për ata dhe, siç ndodh me një anije kozmike që është endur nëpër hapësirë, kthimi në realitet do të jetë i ashpër dhe i vështirë. Pasi, ndërkohë, jeta ka ecur përpara edhe pa ata dhe nuk është e thënë që bota reale të ketë shfaqur ndonjë dëshirë apo durim për t’i pritur.(Shqiptarja.com)